Interviste

Pakti për Detin, Ksenofon Krisafi: Negociatat le të zgjasin, të ruhemi nga precedentët

Njerëzit e zakonshëm të skajeve më fundore të jugut të Shqipërisë e ata të thjeshtët në veri të Greqisë, i kanë pasur marrëdhëniet mes tyre gjithmonë miqësore. Është politika ajo që i trazon hera-herës ujërat duke ndezur ndjesi nacionalizmash dhe urrejtjeje. Kështu mendon ai, si pasardhës i një familjeje nga Jugu i vendit. Si diplomat, ambasador dhe përfaqësues i Shqipërisë pranë zyrave të OKB-së dhe OBT-së, në Gjenevë dhe profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, Prof.Dr. Ksenofon Krisafi, në një intervistë ekskluzive për Gazeta Si e sheh procesin e zgjatur si diçka që nuk ka pse të ngjallë shqetësime. Sipas tij zgjatja mund të interpretohet edhe si mundësi e mirë për të shmangur gabimet e së shkuarës. Si pjesë e Grupit Negociator për arritjen e marrëveshje së kufirit detar me Greqinë, ai zbulon se klima është pozitive, ndërsa ngulmon se gjithçka i duhet lënë në dorë specialistëve të pavarur, duke e mënjanuar politikën.

Duke risjellë në kujtesë marrëveshjen e 2009-s, mbi kufirin detar, por edhe shijen e hidhur dhe pasigurinë që krijon mbajtja në fuqie Ligjit të Luftës nga pala greke, Krisafi thekson se negociatat duhet të kryhen në frymën e barazisë sovrane e të shmangen intimidimet apo presionet në Bruksel, me kërcënimin e tërthortë të përdorimit të vetos për t’i penguar Shqipërisë rrugën drejt integrimit europian.

Rikthimi tek tema e negociatave mbi kufirin detar me Greqinë , ku vitet e fundit u fol shumë për një rrugë pozitive drejt arritjes së një marrëveshjeje, ka ndezur debatin publik dhe atë politik. A ka vend për shqetësim? Ju jeni edhe pjesë e ekipit negociator...

Zhurma e këtyre ditëve në mjediset mediatike ka krijuar një lloj shqetësimi tek njerëzit, për mendimin tim, të ligjshëm, sepse bëhet fjalë për ndarjen e kufijve. Dhe kufijtë krijojnë gjithnjë probleme, që nga gjërat më të thjeshta e të zakonshme, midis individëve, familjeve apo  fshatrave e deri midis shteteve. Aq më tepër kur bëhet fjalë për kufijtë midis Shqipërisë dhe fqinjëve jugorë, që historikisht kanë qenë problematikë. Shqiptarët kanë edhe një mendësi -nuk e di sa i saktë është, por sidoqoftë ka një bazë realizmi, përgjithësisht e keqja u ka ardhur nga përtej kufijve. Dhe kur dëgjojnë fjalët kufi, i hapin veshët shumë dhe përpiqen të mësojnë maksimumin e mundshëm të gjërave që kanë të bëjnë me procedurat e prekjes apo të caktimit të kufijve.  Përvoja  e vendosjes së vijave të kufirit mes Shqipërisë dhe fqinjit jugor, që përflitet këtë kohë,  nuk ka qenë e mirë,  ka qenë problematike. Nuk  ka as  përse të fshihet fakti, se një pjesë të  mirë të territoreve që nga pikëpamja autoktone kanë qenë shqiptare, Fuqitë e Mëdha që vendosën kufijtë midis Shqipërisë dhe Greqisë  një shekull e ca përpara,  i kaluan padrejtësisht në territorin e shtetit grek.

Si rezultat i presionit nga Greqia dhe Serbia Konferenca e  përmbyllur me Traktatin e Londrës më 1913-n,  mori vendime që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë, të banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë dhe rreth gjysma e shqiptarëve mbetën larg kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar. Një komision special u ngarkua për të përcaktuar kufirin shqiptaro-grek. Nën pretekstin se ishte e pamundur studimi i hartave etnografike, vendimi që mori konferenca qe mbi argumente strategjike, ekonomike e politike. Ky vendim i dhuroi Greqisë Epirin Jugor, një tokë të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë. Pavarësisht se Shqipëria u njoh shtet i pavarur me vendimin e Fuqive të mëdha më 29 korrik 1913, kufiri zyrtar i saj u mbyll në vitet 1925-1926.

A vijon të na ndjekë hija e së shkuarës në caktimin e kufijve?

Sidoqoftë,  kjo është një kohë e shkuar. Ka  kaluar një shekull e  ca, gjërat kanë marrë një formë të caktuar  dhe nuk ma do mendja se ka njerëz këtu që do të pretendonin për aventura, të marrim pushkët e të nisë lufta për të rimarrë atë ç’na  kanë marrë. Janë destine të caktuara historike që janë zgjidhur në një mënyrë të caktuar dhe popujt, jo vetëm ne, por në përgjithësi të gjithë, janë detyruar t’i pranojnë këto fate. Por, kur është fjala për të venë dorë akoma mbi kufijtë, vëmendja, sipas mendimit tim, është shumë e përligjur.

Aq  më tepër për kufijtë detarë, duke pasur parasysh se ka një precedent që lidhet me marrëveshjen e 2009-s, e cila u provua katërcipërisht që ishte marrëveshje e keqe, që cenoi Kushtetutën e Shqipërisë, legjislacionin shqiptar, të Drejtën Ndërkombëtare, Konventën e Montego Bay-t për të Drejtën  e Detit, Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve, cenoi rëndë interesat kombëtare të Shqipërisë, sepse nëpërmjet saj, sikurse kanë konkluduar specialistët përkatës, ndër të cilët duhet përmendur prof. Myslym Pashaj, u tentua që Shqipërisë t’ i merrej një sipërfaqe prej 354.4 km katrorë në një zonë me rëndësi të jashtëzakonshme.  Jo  vetëm gjeostrategjike,  por ku thuhet se ka pasuri të konsiderueshme hidrokarburesh,  ose ku mendohet se mund të kalojnë rrugët e gazsjellësve dhe naftësjellësve që do të marrin këto lloj burimesh natyrore  nga Kaspiku, Deti i Zi dhe Egjeu për t’ i çuar në Europë.

Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë, nëpërmjet Ministrave respektivë të Punëve të Jashtme, më datë 27.04.2009, nënshkruan Marrëveshjen “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Marrëveshja e lidhur i iu dërgua Kuvendit për ratifikim. Sipas relacionit që shoqëronte  marrëveshjen dërguar Kuvendit, lidhja e kësaj marrëveshje vinte si nevojë jo vetëm e përcaktimit të kufijve detarë midis dy vendeve fqinjë, por edhe e përdorimit dhe shfrytëzimit ekonomik të hapësirave detare nga ana e shtetit shqiptar. Të dy shtetet ishin palë në konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit, e cila theksohej se ka shërbyer si bazë për lidhjen e marrëveshjes.

Kjo përvojë dhe njëkohësisht tentativë e keqe, e sanksionuar në një marrëveshje që fatmirësisht nuk e përshkoi të gjithë ciklin e vet për t’u shndërruar në marrëveshje dhe që u hodh poshtë nga gjykata Kushtuese, një institucion gjyqësor autoritar dhe mjaft i rëndësishëm që meriton të gjithë lëvdatat për kurajën dhe profesionalizmin që tregoi gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeve.

Gjykatës Kushtetuese  iu paraqit një kërkesë nga disa parti politike si Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia Social-Demokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia Demokristiane, Partia “Ligj dhe Drejtësi” dhe Partia G 99, me objekt shqyrtimin  si  të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë  marrëveshjen  e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

Gjykata Kushtetuese vendosi më 15 maj  të 2010-s,  deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës të marrëveshjes në fjalë, të lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë.

Marrëveshja mes ministres së jashtme greke Dora Bakojanis dhe ministrit të Jashtëm shqiptar Lulzim Basha, 2009.

Çfarë u mësua nga përvoja e marrëveshjes së 2009-s, që më pas  cilësua  e papajtueshme me Kushtetutën nga Gjykata Kushtetuese?

Kjo marrëveshje edhe pse u deklarua nul dhe e paqenë për shkak të karakterit antishqiptar që kishte dhe tentativës për të përvetësuar territor shqiptar, mbeti si sinjal alarmi për këdo që do të guxonte të merrej sërish me këtë çështje. Por kjo nuk do të thotë që shqiptarët dhe grekët duhet të qëndrojnë mënjanë dhe nuk duhet të ulen e të bisedojnë. Përkundrazi, për sa kohë bëhet fjalë se aty mund të ketë pasuri të rëndësishme,  është mëkat të rrinë të fshehura e të mos shfrytëzohen as nga pala jonë e as nga pala greke. Ato duhet të dalin e të shndërrohen në të mira materiale për njerëzit, të vihen në shërbim të tyre

Dhe nuk ka rrugë tjetër më normale e më të ligjshme sesa  ajo e negociatave.  U  bë shumë mirë që pas rrëzimit të marrëveshjes së vitit 2009  nga Gjykata Kushtetuese, të dyja palët u bindën dhe u ulën sërish në negociata. Këto  negociata kanë vazhduar me Takimin e Kretës, atë të Korçës e më pas me tre takime, dy në Athinë e një në Tiranë dhe që teorikisht dhe juridikisht duhet të vazhdojnë ende, sepse janë të pambyllura.

Në nëntor të 2017-s, shefi i asokohe i diplomacisë shqiptare, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i shihte bisedimet për Çështjen e kufirit detar në rrugë të mirë, i vetëdijshëm për ngërçet dhe vështirësitë historike më shumë se 70 vjeçare. Kjo do ta bënte edhe më të rezervuar në zbulimin e hollësive të bisedimeve mes tij dhe homologut grek. Pas Takimit të Kretës, ministri i Jashtëm grek, Kotzias, fliste për premisat e një marrëveshje pozitive për të dyja palët, nisur nga marrëdhëniet e mira mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Më 22 qershor të 2018-s, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bënte  të ditur se në Athinë ishte përmbyllur raundi i tretë i bisedimeve për delimitimin e zonave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Një takim, sipas zyrtarëve të ministrisë, pozitiv, me klimë miqësore dhe bashkëpunuese.

Është dëshirë  e kujtdo qoftë, veçanërisht e ne shqiptarëve që në këto negociata të mos bëhen gabimet që u bënë herën e parë, në ato peudo-negociata që u bënë në vitet 2008-2009, që të dyja  palët të shfaqin lirisht vullnetin e tyre politik apo rivendikimet e tyre të ligjshme për sa i përket territoreve detare dhe pasurive që pretendojnë se i kanë. Kjo  do të thotë  që të dyja palët duhet të bisedojnë mbi bazën e parimeve të  së Drejtës Ndërkombëtare, barazisë sovrane, mosndërhyrjen në punët e brendshme të njëri-tjetrit, mos cenimit të tërësisë territoriale, respektimit të sovranitetit kombëtar, mos ushtrimit të kërcënimeve, presioneve, intimidimeve, etj.

Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati para takimit në Tiranë, 15 korrik , 2015.

Si është klima në grupet negociatore në këto përpjekje për të shkuar drejt një marrëveshje për kufirin detar?

Ka mirëkuptim. Sipas meje rëndësi  ka që palët po negociojnë, duhet të palët të rektifikojnë pozicionet, qëndrimet dhe mendimet duke u afruar dhe për t’u bashkuar në një pikëtakim. Si shqiptar dhe pasardhës i një familjeje nga jugu i Shqipërisë, besoj se njerëzit e thjeshtë në jugun e vendit si edhe njerëzit e thjeshtë në veri të shtetit fqinj, nuk kanë pasur kurrë probleme në raportet mes njëri-tjetrit.  Marrëdhëniet midis njerëzve në rajonet kufitare kanë qenë kurdoherë shumë vëllazërore, miqësore, por që politika i ka intoksikuar me helmin e vet të nacionalizmave, duke krijuar probleme. Njerëzit e thjeshtë nuk i duan, dhe unë dëshiroj me gjithë zemër që të mos ketë probleme dhe këto çështje që janë kaq serioze për të ardhmen e dy popujve të zgjidhen me mençuri dhe urtësi.

Por duket një proces shumë i gjatë në kohë dhe me ngërçe. Cilat kanë qenë arsyet që e kanë bërë të ngjajë zvarritës caktimin e kufijve detarë me Greqinë?

Mendoj se nuk ka vend për shqetësime se përse po zgjaten negociatat. Bëhet fjalë për vendosje kufijsh dhe kufijtë ndajnë territoret mes njerëzve. Janë gjëra kaq serioze dhe që të vendosen aty ku duhen vendosur,  duhen peshuar  mirë e nuk duhet toleruar asnjë shkelje, gabim, pakujdesi  e aq më pak nuk duhet lejuar asnjë lloj presioni  apo kërcënimi. Duke u takuar shumë herë, duke i parë këto gjëra me urtësi e vëmendje me profesionalizëm, sipas dijeve profesionale, teknike, teknologjike të atyre që marrin pjesë në këto negociata dhe duke u përpjekur për  ta mbajtur politikën mënjanë, sa më larg, sepse politika, megjithëse një e keqe e domosdoshme, ngatërron dhe hera-herës spërkat me helme. 

Nuk ka shumë kohë që bisedohet. Përvoja  e shteteve të tjera tregon se kanë njëzet, pesëdhjetë apo edhe  një shekull e ca. Amerikanët kanë 118 vjet që bisedojnë me meksikanët për një sipërfaqeje që nuk është as një hektar e gjysmë e shumë vende të tjera kanë kohë që bisedojnë për pesë a dhjetë kilometra. Shembujt janë pafund. Mua nuk më shqetëson fakti që këto bisedime kanë zgjatur, sepse sa më shumë të zgjasin, aq më mirë do të jetë për të pjekur mendimin racional tek të dyja palët për të shmangur arbitraritetet, pakujdesitë, gabimet e të tjera.  Negociatat  janë edhe një shkollë profesionalizmi  për ata që marrin pjesë, mësohet edhe nga njëri-tjetri.

Unë kam qenë kryetar i delegacionit të negociatave të kufirit detar me Italinë. Zgjatën afro dhjetë vjet. Ishte realisht një shkollë për ne. Në mësuam nga  italianët, po edhe ata mësuan nga ne, madje u habitën kur panë hartën e bregdetit tonë dhe bregdetit italian, të përgatitur nga Instituti  i Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, së asaj kohe. Flasim  për vitet ‘80. Kur morën hartën tonë, specialistët  italianë  bënë vlerësime maksimale dhe mbi atë hartë u punua.

"Për suksesin e negociatave për këdoqoftë, duhet të sigurohen kushtet e duhura, ku së pari palët t’ i garantojnë njëra-tjetrës barazinë sovrane. Delegacionet e tyre duhet të jenë të ulura në tavolinë, në kushte të barabartë dhe jo në kushtet ku njëra palë ka një mundësi për  ta përdorur si një formë presioni, qoftë edhe të tërthortë, ndaj palës tjetër", Prof.Dr.Ksenofon Krisafi

Unë së paku që i di këto punë dhe kolegë të mi, kur dëgjojmë  se u punua mbi hartën greke, themi se nuk ka asgjë të keqe. Harta greke është hartë e përgatitur nga specialistë, por nuk ke të drejtë të thuash se ne nuk dimë t’i bëjmë këto. I kemi bërë kohë më parë, kur nuk i kemi pasur këto mekanizma e teknologji që kemi sot.

Pra, duke u rikthyer te shqetësimi për zgjatjen e negociatave, duhet pranuar se ato janë të dobishme, të domosdoshme. Mua nuk më shqetëson fakti që po zgjatin. Le të zgjatin, mjafton që produkt i të jetë ai që dëshirojnë të dy vendet, të dy qeveritë. Ato çka janë në fund të detit, ose në nëntokën e tij, mbeten aty. Nëse nuk shfrytëzohen sot, do të shfrytëzohen nesër. Mirë është të shfrytëzohen sot, por jo duke lëshuar qoftë ne apo qoftë edhe fqinjët tanë, grekë.

Madje doja të shtoja që, nëse palët mund të gjenden në veshtirësi për të rënë në emërues të përbashkët, për të gjeur zgjidhje të pranueshme, për të dyja palët, nuk do të kishte asgjë të keqe që ato t’iu drejtohen procedurave gjyqësore ose arbitrale ndërkombëtare ose procedurave të pajtimit të parashikuara nga Konventa e Montego Bay Për të drejtën e detit, 1982.Shpresohet se zgjedhjet e tyre do të kenë më shumë elemente të objektivitetit.

Përmendët më lart se është e rëndësishme që negociatat të kryhen pa frymë kërcënimi apo presionesh. A ka të tilla nga organizmat ndërkombëtarë, qoftë edhe nga vetë Bashkimi Europian për ta mbyllur sa më shpejt këtë marrëveshje, ndërsa Shqipëria është në rrugën e saj të integrimit, pas marrjes së dritës jeshile për çelje të negociatave, me kushte?

Unë nuk i di këto, pasi janë pjesë e politikës. Jam anëtar i thjeshtë dhe marr pjesë si specialist në të këtë grup negociator. Ka një gjë që dihet se BE nuk preferon të pranojë në gjirin e saj shtete  që kanë probleme me njëri- tjetrin, dhe ndoshta e ka mire, por ky nuk është motiv që ne të ngutemi dhe të gabojmë. Ne do të hyjmë në BE kur të jenë pjekur kushtet e të mos kemi paguar një kosto që do t’u rëndojnë brezave në të ardhmen. Derisa të krijohet bindja edhe tek politikanët, pasi për fat të keq siç cedojnë në jo pak raste në politika ose sipërmarrje brenda vendit, nuk përjashtohet mundësia që ta bëjnë këtë gjë edhe në raporte me botën e jashtme. Por specialistët e fushës, që i njohin këto gjëra në thelb nuk duhet të impresionohen nga urdhra, porosi, kërkesa apo edhe presione të tërthorta të politikës.

Por shqetësimi i opinionit publik rreth çështjes, duket se është furnizuar nga ngjarjet e lidhura me Greqi-Turqi, duke parë një tablo më të madhe të gjeopolitik të gjeopolitikës. Përse Greqia po kërkon tani këtë shtrirje në det dhe përse po ndez konflikte në rajon?

Më lejoni së pari të korrigjoj një lapsus që jam i sigurt se shpëtoi nga ngutja që imponon zakonisht intervistimi. Nuk mund dhe nuk duhet të themi se Greqia po ndez konflikte në rajon, sepse nuk i dimë realisht dhe saktësisht zhvillimet dhe aq më tepër që askush nuk na e jep të drejtën e dhënies së verdiktit për çështje të tilla kaq madhore. Ajo është një ngjarje me të panjohura dhe të papritura, të cilat askush nuk i dëshiron. Përkundrazi dëshirohet gjetja e zgjidhjes në tavolinën e bisedimeve, me urtësi e larpamësi, mbi bazën e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe fqinjësisë së mirë.

Zhurma që është prodhuar në mjediset tona, edhe më tej se ne, lidhet padyshim me ngjarjet Turqi-Greqi, që morën në momente të caktuar pamje traumatike. Paralajmëronin gjëra jo fort të këndshme për njerëzit. Njerëzit nuk duan luftë, duan paqe, duan të jetojnë e të punojnë. Dhe nuk mund të thuhet se ajo çka ndodhi atje nuk ndikon në këtë zhurmë të madhe. Njerëzit  janë kaq të mençur sa bëjnë disa lidhje; Greqia dëshiron ta zgjidhi këtë problem në hapësirën detare me Shqipërisnë, sikurse vepruan me Egjiptin dhe Italinë. Duhet bërë një saktësim se edhe me ato nuk janë përcaktuar ende zgjidhja përfundimtare. Janë akte paraprake që përgatisin rrethanat dhe kushtet për të shkuar te marrëveshjet përfundimtare.

Për suksesin e negociatave për këdoqoftë, duhet të sigurohen kushtet e duhura, ku së pari palët t’ i garantojnë njëra-tjetrës barazinë sovrane. Delegacionet e tyre duhet të jenë të ulura në tavolinë, në kushte të barabartë dhe jo në kushtet ku njëra palë ka një mundësi për  ta përdorur si një formë presioni, qoftë edhe të tërthortë, ndaj palës tjetër.

E them këtë sepse nëse flasim për negociatat e zhvilluara midis Shqipërisë dhe Greqisë në vitet 2008-2009, kanë ndodhur gjëra të tilla. Agjencia investigative Wikileaks, nxori mjaft fakte që edhe pse me pikëpyetje rreth vërtetësisë së tyre, prapë janë sinjale që të bëjnë të mendosh e të tregohesh i kujdesshëm, për të mos pranuar shkeljen e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Një kabllogram i Ambasadës amerikane, zbuluar nga Wikileaks, tregon të dhënat se në gjysmën e dytë të vitit 2008,  qeverisë shqiptare i kërkohej  nga  homologët grekë, të pakti detar dhe varrezat e ushtarëve grekë.

“Qeveria greke po i bën presion qeverisë shqiptare që të pranojë kërkesat e saj për negociata dypalëshe për të bërë delimitimin e kufirit detar. Athina po kërcënon se do të refuzojë ratifikimin e MSA-së së Shqipërisë me BE-në për shkak të një çështje të debatueshme për ngritjen e varrezave greke në Shqipëri, të cilën qeveria shqiptare e sheh si një përsëritje që Greqia i bëri Maqedonisë që aspironte për në NATO. Bisedimet për varrezat vazhdojnë ende dhe raundi i fundit i negociatave u mbyll pa sukses”, thuhej në materialin konfidencial, firmosur nga zv/ambasador  Stiven Kristina, i deklasifikuar  më 10 gusht të 2018-s.

Nga Lufta italo-greke.

Megjithë marrëdhëniet e mira mes dy vendeve,  mbetet ende në fuqi Ligji i Luftës. Sa e arritshme duket një marrëveshje për kufirin detar në këto kushte?

Kanë kaluar e deri më sot 80 vjet dhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe  Greqisë vazhdon një hije e zezë që e ka emrin Ligj i Luftës. Nuk ka asnjë logjikë të jetë.Të dy vendet kanë vendosur marrëdhënie diplomatike qysh në vitin 1971. Kanë lidhur me dhjetëra, mbase dhe me qindra marrëveshje, kanë bërë shkëmbime, mijëra shqiptarë jetojnë në Greqi pa këtë ndjesi diskriminimi, përkundrazi me miqësi e krushqi dhe anasjelltas. Përse  të qëndrojë kjo relikte e së kaluarës, kjo shpatë Demokleu në kokën e shqiptarëve?! Aq më tepër që shqiptarët nuk kanë asnjë përgjegjësi për atë  që ndodhi në tetorin vitin 1940. Luftën nuk ua shpallën shqiptarët grekëve, luftën ua shpalli Italia, me të cilën ata e kanë hequr Ligjin e Luftës.

Shqiptarët patën fatin e keq që ishin të pushtuar nga Italia  dhe si kudo në botë ushtritë pushtuese aty  ku kalojnë, mbledhin njerëz që i detyrojnë të rreshtohen në ushtrite e tyre për të pushtuar territoret e shteteve të tjerë. Kështu  mblodhën edhe në Shqipëri 600 deri në 1000 vetë, tëcilët i çuan në front për të luftuar kundër grekëve. Këtu është vendi  për të vënë në dukje një të vërtetë historike të pohuar nga ata që bënë atë luftë, që thoshin se italianët e humbën luftën pikërisht se i tradhtuan shqiptarët. Shqiptarët nuk luftuan me grekët, sepse e ndjejnë veten  vëllezër me ta dhe nuk kishin pse të luftonin për hatër të Italisë me vëllezërit e tyre grekë. Në këto kushte është shpallur ky ligj në atë kohë. Në dy- tre raste është thënë “E hoqëm, e hoqëm”, por në fakt asnjë veprim nuk ështëndërmarrë. Të gjitha deklarimet publike të ardhura nga autoritetet greke kanë rezultuar alibi. Ligji i Luftës natyrisht qëndron i varur edhe mbi kryet e atyre që negociojnë një marrëveshje të tillë serioze që kanë të bëjnë me kufijtë. Duhet hequr Ligji i Luftës, duhet hequr patjetër kjo barrë e rëndë, kjo hije e zezë, që negociatat të çlirohen prej tij, si dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke të relaksohen maksimalisht prej vjetërsirave të një të shkuare të padëshirueshme.

Mbreti i Greqisë Konstandin nxjerr Dekretin Mbretëror nr. 2636 i vitit 1940 sipas të cilit shpallte “ Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve pasuri armike”. Njëkohësisht të gjitha pasuritë e shqiptarëve i vendosi në “sekuestro konservative”. Në deklaratën e saj zyrtare të sulmit nga Italia, Greqia rendiste si aleate të Italisë në këtë agresion edhe Shqipërinë. Shqipëria shfaqej “de jure” si pjesëtare e kësaj agresioni.

Si mund të qëndrojë ende në fuqi një ligj lufte mes dy vendeve anëtare të NATO-s, por që edhe në një të ardhme do të takohen brenda familjes së BE-së, me Shqipërinë që vijon rrugën e asaj të aspiratave për anëtarësim?

Mund të thuhet “Punë e madhe që nuk u hoq ai ligj, marrëdhëniet i kemi shumë të mira”. Dakord, por ka një realitet që nuk mund të mohohet,  sa herë që i është kërkuar palës greke një dokument që të dëshmojë se është hequr Ligji i Luftës, ajo thotë se është në fuqi  akoma. Kjo tregon se nuk mbahet rastësisht ai ligj. Prandaj sado të tregohemi tolerantë dhe të mirkuptueshëm për ta shpërfillur ekzistencën e tij, ai duhet hequr pa diskutim dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo është detyrë e palës greke, e cila, nëse e ka vullnetin për ta hequr, nuk ka pse t’ia “shesë” palës shqiptare si nder ose favor. Ajo e shpalli, ajo duhet ta abrogojë.

Ajo, madje edhe partnerët tanë të përbashkët, duhet të mbajnë parasysh faktin e rëndësishëm se Shqipëria po përpiqet të anëtarësohet në BE dhe sa herë i afrohet dyerve të saj del gjithmonë ndonjë problem, si fjala vjen trajtimi i minoritetit në Himarë,  që nuk ka pasur dhe nuk ka minoritet grek në Himarë, pronat, kisha, shkolla etj.

Disa nga kushtet e Këshillit Europian për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në ishin pasqyrim i kërkesave të Greqisë mbi përparimin në njohjen e pronave të minoritetit grek në Himarë. Po ashtu, deri në anëtarësimin e plotë, mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të jenë zgjidhur përfundimisht çështje të rëndësishme të mbetur pezull siç është ajo e përcaktimit të kufirit detar.

Duhen krijuar kushte dhe një mjedis barazie sovrane mes palëve. Në këtë drejtim them se kalimi i  kohës ofron më shumë shanse që barazia të jetë reale. Dhe kur ka barazi, ka mundësi edhe shprehje të vullnetit politik nga të dyja palët, i shprehur pa presion, pa intimidim.

Më shumë sesa debati aktual publik, në rast të gabimeve të sotme gjykimi i brezave do të jetë më i ashpër...Si mund të shmangen gabimet apo qoftë edhe arritja e një marrëveshje pa ceduar  në atë që ju profesor e quani barazi sovrane?

Gjykimi i historisë pastaj, ka për të qenë shumë i rëndë, për cilindo qoftë. Përmenda pak më parë pjesëmarrjen time në negociatat me Italinë, që zgjatën nga 1984-1992, kur u bë marrëveshja. Çfarë u konstatua aty dhe çfarë del nga përvoja e të tjerëve në të tilla negociata?! Përgjithësisht në grupet negociatore nuk prefereohet pjesëmarrja e drejtorëve, sekretarëve të përgjithshëm, zëdhënësve, këshilltarëve ose ndihmësve të ministrave apo të kryeministrave, etj.  Në negociata duhet të marrin pjesë specialistë. Ata njohin hartën, ligjin, fundin e detit, arkeologjinë, ata njohin gazin natyror e të tjera. Përveç  kësaj, kjo kategori njerëzish nuk janë të margjinalizuar, sikurse nuk përjashtohet të ndodhi me drejtorët, shefat, këshilltarët etj. Për këta do tëmjaftonte një  telefonatë nga shefi, që ta bënte ndonjërin të “futej i tëri brenda kostumit” dhe të mos guxonte shprehte lirisht mendimin e tij, nëse ai ishte i ndryshëm nga i shefit. Veç kësaj duhet të mos harrojmë edhe diçka që dihet se një pjesë e tyre nuk janë më të mirët në radhën e specialistëve.

Disa prej tyre vijnë nga radhët e militantëve që bërtasin në mitingje e bëhen menjëherë drejtorë. Dhe këta, të katapultuar në pozicione të tilla, me injorancën profesionale dhe bindjen partiake, shkaktojnë dëme të mëdha. Një  specialist i pavarur, një profesor në universitet, një studiues, një shqiptar që punon jashtë vendit - dhe ka plot talente të tillë kudo-, janë kandidatët më të përshtatshëm për të qenë negociatorë.Grupi negociator duhet të përbëhet nga këta njerëz, madje mund të përfshiheshin edhe specialiste me bindje partiake të opozitës. Kjo Shqipëri nuk është vetëm e maxhorancave, por vend i të gjithë shqiptarëve edhe i atyre që  jetojnë sot dhe brezave të ardhshëm.

Intervistoi: Suadela Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë