Ngjarje

Paketa për sigurinë e nxënësve s’mjafton, ekspertët: ‘Problemi’ i vërtetë, fëmijët. S’merret kush me anën sociale

Nxënës të viteve të para dhe të dyta

Nga Sorgena Leka- Paketa e masave për rritjen e sigurisë së nxënësve në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar është e pamjaftueshme. Ekspertët kanë treguar për Gazetasi.al se qeveria duhet të punojë me origjinën e problemit, që janë fëmijët dhe se marrja e masave të tilla është një ‘mbulim’ i punës së dobët të Ministrisë së Arsimit këto vitet e fundit.

Sociologe Marsida Simo thotë për Gazetasi.al se kur flitet për ashpërsim të dënimit, bëhet fjalë për rehabilitim.

“Dëmi në këtë rast është bërë dhe sado ashpërsimit të dënimit të autorit, fëmija që është abuzuar ka nevojë për një sërë mbështetjesh psiko sociale në vazhdimësi. Madje trauma dhe pasojat psikologjike mund të mbeten edhe gjithë jetën”, thotë Simo, e cila shton se duhet punuar më shumë me origjinën e fenomenit, zinxhirin e pasojave dhe sigurisht më tej me rehabilitimin, diçka që nuk përfshihet në paketën e sigurisë së nxënësve.

Simo thotë se sugjerimet për parandalim duhet të nisin që nga forcimi i strukturave policore rreth perimetrit të shkollës, por edhe më tej, pasi përmes internetit abuzuesit e kanë të lehtë të afrohen me viktimën.

“Duhet monitorim i vazhdueshëm dhe bashkëpunim me shkollat, por edhe kontroll i bareve/lokaleve përreth shkollave, ku nxënësit frekuentojnë apo lënë takimet me persona të ndryshëm. Madje i gjithë ky kontroll dhe forcim duhet për të gjithë hapësirën ku fëmijët ndërveprojnë, siç janë parqet, bizneset ku grumbullohen fëmijë që luajnë video lojëra, vende ku janë të izoluara, ku lehtësisht mund të shfrytëzohen për këto aktivitete kriminale”, thotë Simo.

Ndërsa Altin Hazizaj, drejtor i CRCA, organizatë për mbrojtjen e fëmijëve thotë për Gazetasi.al se kjo masë nuk i mbron fëmijët dhe se lufta është e kotë nëse nuk kthen komunitetin në komunitet mbështetës.

“Shteti dhe bashkitë duhet të investojnë në komunitetet tona, në mbështetjen e fëmijëve. Historia e vendeve që kanë probleme masive me drogën e kanë treguar se përpos qasjes ligjore, do ishte më mirë që të ketë një pakt kombëtar midis institucioneve, Bashkive dhe shoqërive civile në mënyrë që të kemi komunitete që reagojnë ndaj krimit”, thotë Hazizaj.

Psikologia klinike, Dr Xhensila Xhelili thotë për Gazetasi.al se prania e personave që shesin lëndë narkotike në shkolla ose që përfshijnë nxënësit në vepra të tjera penale, mund të ketë ndikim serioz në zhvillimin e varësive, përfshirjen në sjellje të jashtëligjshme, mirëqenien psikologjike si dhe shëndetësore të nxënësve dhe prandaj janë shkollat ato që duhet të investojnë në masa sigurie si personel sigurie dhe kamera mbikëqyrje për të parandaluar trafikantët e drogës.

Psikologia klinike, Dr Xhensila Xhelili.

Përveç masave ligjore, Xhelili thotë se duhen edhe disa masa të tjera si:

- Programet Edukative dhe Parandaluese: Krijimi dhe implementimi i programeve edukative që rrisin ndërgjegjësimin mbi rreziqet e përdorimit të drogës dhe trafikimit, duke edukuar nxënësit si të rezistojnë ndaj presionit të shoqërisë dhe të marrin vendime të shëndetshme.

- Shërbimet e Këshillimit dhe Mbështetjes: Psikologu i shkollës, mund të ofroj mbështetje për nxënësit që mund të jenë në rrezik me abuzimin e substancave. Kjo mbështetje mund të ofrohet në formën e ndërhyrjes individuale ose në grup. Parandalimi është gjithmonë një hap më i sigurt sesa të përballurit me faktin ose trajtimi

- Angazhimi i Komunitetit: Përfshirja e prindërve, organizatave komunitare dhe organet ligjvënëse e ligj zbatuese në krijimin e një komuniteti mbështetës dhe të kujdesshëm që lufton aktivisht kundër trafikut të drogës dhe promovon një mjedis shkollor të sigurt.

- Bashkëpunimi me Organet e Rendit: Monitorimi dhe vlerësimi i vazhdueshëm i mjedisit shkollor për shenjat e aktiviteteve të lidhura me drogën. Rishikimi dhe përditësimi i rregullave të sigurisë rregullisht sipas nevojës. Shkollat duhet të kenë protokolle të vendosura për raportimin e aktiviteteve të dyshimta tek autoritetet.

“Sigurimi i nxënësve në shkolla dhe luftimi i ndikimit të trafikantëve të drogës kërkon një qasje shumë dimensionale që përfshin shkollën, komunitetin dhe organet e rendit. Masat proaktive, edukimi dhe një rrjet mbështetës janë thelbësore për të mbrojtur nxënësit nga efektet negative të trafikut të drogës në shkolla”, thotë Xhelili.

Këtë e thotë edhe Hazizaj i cili shton se problem janë fëmijët dhe duhet punuar për të kuptuar se çfarë po ndodh me to që shkojnë drejt përdorimit të drograve.

“Duhet të vendosën edhe fëmijët në qendër. Dakord ka trafikantë në derën e shkollës, por duhet të punohet me faktin se përse fëmijët po përdorin drogën, cili është problemi tyre”.

Por pse nuk janë marrë masa deri më tani?

Hazizaj thotë se për këtë duhet pyetur Ministria e Arsimit, që sipas tij, duhet të kishte vepruar prej kohësh për të parandaluar këtë fenomen.

“Ministret e arsimit duhet të japin llogari se përse i kanë lejuar vepra të tilla që të përhapen kaq shumë në shkolla dhe të shkojë në këtë gjendje. Është një ministri që po mundohet të mbulojë veprimet që ka bërë një ministri tjetër”, thotë Hazizaj i cili ngre pyetjen se përse nuk ka funksionuar deri më tani strategjia e ministrisë së arsimit për shkollat si qendër komunitare, ku do të kthehej shkolla në vendin ku ndërtohet partneriteti shkollë-familje-komunitet.

“Është një program që ka dështuar përderisa thonë se droga dhe trafikantët janë sheshit nëpër shkolla. Pse e la drogën të gëlonte nëpër shkollat?”, thotë Hazizaj i cili shton se fenomeni ka qenë prej disa kohësh dhe tani e vetmja gjë që ka mbetur për tu bërë është që të merren masa ligjore ndërkohë që nuk duhej të shkonim deri këtu.

“Duhej të kishte prej kohësh informim të komunitetit apo dhe të mblidheshin institucionet e duhura për ta parandaluar si fenomen që në momentin që filloi të ndodhte. Është një ministri që ka mbyllur sytë dhe tani duhet ndihma e një ministrie tjetër për të shpëtuar fëmijët”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë