Drejtësia

Ndryshon Kodi Penal: Droga, pornografia, dhuna seksuale, trafikimi i të miturve dhe armët, ashpërsohen dënimet për veprat në shkolla

Nga Gazeta Si - Paketës së re të masave për rritjen e sigurisë së nxënësve në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar, u janë shtuar edhe ndryshime në kodin penal për veprat që vënë në rrezik apo cënojnë jetën dhe shëndetin e fëmijëve brenda shkollave dhe në perimetrin e sigurisë rreth tyre.

Ndryshimet ligjore parashikojnë ashpërsimin e dënimit për veprat penale që kryhen në mjediset e institucioneve arsimore ose në Perimetrin e Sigurisë së tyre, për vepra penale veçanërisht të rrezikshme për të rinjtë, si:

- Dhuna seksuale (neni 107/a);

-Pornografia (neni 117);

-Trafikimi i të miturve (neni 128/b);

-Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit (neni 278);

-Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta (neni 279);

-Prodhimi dhe shitja e narkotikëve (neni 283);

-Përshtatja e lokalit për përdorim droge (neni 285/a);

-Hedhja ose braktisja e shiringave (neni 285/b);

-Nxitja për përdorimin e drogës (neni 286);

-Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt (neni 291).

Më konkretisht, neni për dhunën seksuale, ku personi që kryen këtë vepër ndaj një të mituri, pavarësisht nëse kryhet me dhunë apo jo, dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet, i shtohet edhe paragrafi “Kur kjo vepër kryhet në mjediset ose në perimetrin e sigurisë së institucionit arsimor të frekuentuar nga i dëmtuari dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet”.

Në nenin 117, për pornografinë, shkruhet se “Prodhimi, shpërndarja, reklamimi, importimi, shitja e botimi i materialeve pornografike në mjediset ku ka fëmijë dënohet me burgim deri në 2 vjet. Nëse kjo vepër ndodh në ambientet e shkollës ose perimetrin e sigurisë, me ndryshimet e reja, personi dënohet me burgin nga 3 deri në 5 vite.

Ndërsa pas paragrafit “Rekrutimi ose bindja e një fëmije, për të marrë pjesë në shfaqje pornografike, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet, shtohet edhe paragrafi që parashikon 7 deri në 15 vite dënim kur kjo vepër kryhet në një institucion ose perimetrin e sigurisë.

Trafikimi i të miturve me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit ose formave të tjera të shfrytëzimit dënohet me burgim nga 10 deri në 20 vjet dhe me ndryshimet e reja të propozuara, i dënuari merr shtesë dhe ¼ e dënimit nëse vepra kryhet në institucionet arsimore.

Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet dhe kur “kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet”.

Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet dhe me ndryshimet e reja, kur kjo vepër kryhet në ambientet e institucionit arsimor, dënohet me burgim nga 3 deri në 6 vjet.

Prodhimi dhe shitja e narkotikëve dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vite kur kjo vepër kryhet në ambientet e shkollës (në ndryshim nga 5 deri në 10 vite që ka qenë deri më tani).

Përshtatja e lokalit për përdorim droge dënohet me burgim deri në 5 vite dhe me ndryshimet e reja, kjo vepër parashikon dënim nga 5 deri në 10 vite kur kryhet në ambientet e shkollës.

Hedhja ose braktisja e shiringave përbën kundërvajtje penale dhe tashmë do të dënohet me 1 deri në 3 vite nëse kryhet në ambientet e shkollës.

Gjithashtu, kur nxitja për përdorimin e drogës bëhet ndaj fëmijëve në institucione penale, shkollore, sportive apo të çdo veprimtarie tjetër shoqërore dënohet me burgim jo më pak se 10 vite.

Ndërsa drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë dënohet me burgim nga 10 ditë deri në 3 vjet. Me ndryshimet e reja, nëse kjo vepër kryhet në ambientet e shkollës ose brenda perimetrit të sigurisë, dënohet me 1 vit deri në 3 vite.

Kryerja e veprave penale në mjediset e institucioneve arsimore ose në Perimetrin e Sigurisë së tyre parashikohet si rrethanë rënduese edhe për të gjitha veprat e tjera penale të kryera në këto mjedise, nëse personat e dëmtuar janë të mitur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë