Ne rrjet

Paketa antishpifje, antikushtetuese që në gjenezë

Mentor Kasa - Në mungesë të votave në Parlament për të ashpërsuar ndëshkimet për shpifjen në Kodin Penal, apo Kodin Civil, (një nismë e Kryeministrit Edi Rama), Partia Socialiste po mendon kalimin e një ligji të ri me shumicë të thjeshtë.

Nuk ka ende një datë se kur projektligji i ri, që Kryeministrit në rrjetet sociale i pëlqen ta quajë “paketa antishpifje” do të dorëzohet në Kuvend, por që tani ideja e Edi Ramës po shkakton pështjellim në komunitetin e juristëve dhe avokatëve.

Sot, legjislacioni shqiptar e ndëshkon shpifjen si në Kodin Civil, në nenin 647/a, ashtu edhe në Kodin Penal, në nenin 120, madje në Kodin Penal është përcaktuar qartë edhe niveli i gjobave që duhet të paguajë një i dënuar për këtë vepër penale.

"Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht në dëm të disa personave, ose më shumë se një herë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë”, parashikon neni 120 i Kodit Penal.

Gazeta “Si” u interesua pranë një zyre avokatie, që nuk dëshiron të identifikohet. Pyetja jonë ishte e thjeshtë se si shihet në komunitetin e juristëve nisma e Qeverisë?

“Nuk ka ende gjë zyrtare, por që tani nisma është antikushtetuese, sepse bie ndesh me të dyja kodet. Kodi Civil dhe Kodi Penal e kanë të parashikuar shpifjen dhe një ligj i ri, që do të parashikonte ndëshkimet ndryshe do të binte ndesh me kodet”, thonë juristët.

Por, pse përplasja me Kodin Penal dhe Kodin Civil e bën antikushtetues këtë nismë, nëse do të shndërrohet në ligj?

“Në hierarkinë e ligjeve, Kushtetuta dhe marrëveshjet ndërkombëtarë të ratifikuara qëndrojnë të parat. Më pas vijnë ligjet organike, siç janë Kodet dhe poshtë tyre ligjet e tjera. Tani, nëse nesër-pasnesër miratohet ligji i ri për shpifjen, kujt duhet t’i referohen gjyqtarët në momentin që japin vendimin, Kodeve, që miratohen me shumicë të cilësuar, apo ligjit të ri që do të kalojë me shumicë të thjeshtë?”, deklarojnë juristët.

Ekspertët na thonë se në të tilla kushte, ligji i ri është një dublim i panevojshëm dhe për më tepër i pavlerë, që nëse do të ankimohej në Gjykatën Kushtetuese, do të rrëzohej menjëherë. Por, sot Gjykata Kushtetuese është e rrëzuar vetë.

“Prandaj duhet që puna e parë që duhet të kryejnë të gjitha institucionet është të ngrenë Gjykatën Kushtetuese dhe jo hartimi i ligjeveve të reja që dublikojnë ligjet organike”, thonë juristët.

Si zgjidhje ekspetët deklarojnë se ka vetëm një rrugë, rishikimi i Kodit Penal dhe atij Civil. “Çdo nismë tjetër do të ishte e pavlerë”, deklarojnë ata.

Por, për të ndryshuar kodet, shumicës i duhen së paku 84 vota. Aktualisht, Partia Socialiste së bashku me deputetët e pavarur dhe ata të PDIU-së zotërojnë 78 kartonë në sallën e Parlamentit.

I vetëdijshëm se me klimën aktuale politike Edi Rama nuk mund të marrë mbështetjen e opozitës, që e akuzon si shpifëse dhe nuk e ka kërkuar asnjëherë, të paktën publikisht konsensin e saj për këtë çështje. Por, dorën e bashkëpunimit e ka shtrirë për një tjetër temë, atë të luftës ndaj krimit.

“Qeveria ka nisur draftimin e një pakete ndryshimesh në Kodin Penal për të fortët. Kështu quhet paketa, “Të fortët”, të cilëve përmes një trajtimi ekzemplar, përmes përshkallëzimit të presionit të Policisë së Shtetit në çdo territor do t’u rezervojmë dhe ndëshkime penale ekzemplare për format e tyre të preferuara të karshillëkut ndaj ligjit, ndaj qytetarëve dhe ndaj biznesit”, deklaroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë