Politike

Padia me më shumë firma e (151) profesionistëve të lirë në Kushtetuese, avokati: Ligji sjell falimentim dhe emigrim

Padia me më shumë firma e (151) profesionistëve të lirë në Kushtetuese, avokati: Ligji sjell falimentim dhe emigrim

Nga Gazeta Si - Ligji për Tatimin mbi të ardhurat është shndërruar në një nga ligjet më të kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese. Pas kërkesës së inicuar nga deputetët demokratë të Komisionit të Ekonomisë dhe më pas nga Shoqata e Kontabilistëve, në Gjykatën Kushtetuese, është dorëzuar së fundmi, një nga paditë më masive të bërë ndonjëherë. Avokati Lulzim Alushaj, që do të mbrojë çështjen në Kushtetuese dhe që organizoi profesionistët për padinë, tregoi për Gazetën Si, se si brenda një kohe të shkurtër u bën bashkë mbi 400 persona, ndërsa dokumentacioni për në kushtetuese u plotësua për 151 profesionistë të lirë.

“Aktivizimi i tyre u bë në kushtet e afateve që duheshin respektuar për depozitimin e Kërkesës në Gjykatën Kushtetuese.”- tha av. Alushaj në intervistë, gjatë të cilës shpjegon se ata u organizuan vetëm pasi administrata tatimore u kërkoi parapagim tatimi një shume të lartë. “Mospezullimi i efekteve të këtij Ligji dhe, më tej, mosshfuqizimi i tij nga Gjykata Kushtetuese do të gjenerojë mbyllje të shumë aktiviteteve profesionale dhe emigrim masiv të tyre.”- tha av. Lulzim Alushaj për Gazeta Si, duke vënë në dukje edhe një fakt tjetër interesant. Padia në Gjykatën Kushtetuese është një shërbim që po kryhet falas prej studios së tij si një shërbim ndaj vendit.

Gazeta Si: Padia e dorëzuar së fundmi në Gjykatën Kushtetuese për Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, që aplikohet për profesionet e lira ka marrë qindra nënshkrime, ndoshta është padia me më shumë firma ndonjëherë. Sa nënshkrues janë gjithsej dhe a patët vështirësi për t’i mbledhur?

Av. Lulzim Alushaj: Duhet theksuar që interesi ka qenë shumë i lartë, pasi janë regjistruar gati 400 profesionistë të interesuar, por për arsye edhe të organizimit dhe shpejtësisë është vijuar vetëm me 2 shoqatat dhe 151 profesionistët e lirë. Aktivizimi i tyre u bë në kushtet e afateve që duheshin respektuar për depozitimin e Kërkesës në Gjykatën Kushtetuese. Të gjitha fazat e përgatitjes së kërkesës janë bërë pa asnjë pagesë nga Studio Ligjore, pasi kjo Kërkesë vjen si nevojë për reagim dhe ndërgjegjësim që duhet të kemi ndaj padrejtësive dhe shkeljeve individuale apo masive të të drejtave që vijnë nga kushdo institucion publik, Ligjvënës, Ekzekutiv, Gjyqësor.

Gazeta Si: Cilat janë kërkesat tuaja kryesore për Gjykatën Kushtetuese?

Av.Lulzim Alushaj: Kërkesa, së bashku me provat e aktet e përfaqësimit, shkon në 660 faqe. Në të janë marrë kryesisht në konsideratë disa parime kushtetuese. 1. Cënimi i parimit të barazisë para ligjit dhe mos diskriminimit. 2. Cënimi i lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe profesionit. 3. Cënimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike. 4. Parimet e sigurisë juridike dhe mbrojtja e pritshmërisë së ligjshme. 5. Paragjykimi i hyrjes në profesionet e lira dhe rëndësinë e vazhdueshmërisë së profesioneve të rregulluara (ose jo), 6. Cënimi i drejtëpërdrejtë i konkurencës dhe ngritja artificiale e çmimeve të shërbimeve. Gjithashtu jemi fokusuar tek arsyetimi mbi efektin prapaveprues të Ligjit dhe pasojat që sjell aplikimi i Ligjit dhe pezullimin e pjesshëm të tij etj.

Gazeta Si: Pse e konsideroni ligjin antikushtetues?

Av. Lulzim Alushaj: Në rastin e kërkesës që kemi ndjekur dhe depozituar në Gjykatën Kushtetuese, me të gjithë pjesëmarrësit si kërkues,  që kemi konsultuar, jemi përpjekur të arsyetojmë përplasjet reale që ky Ligj sjell në krahasim me disa të drejta kushtetuese që individët dhe subjektet kanë dhe duhen mbrojtur. Gjykata Kushtetuese i ka të gjithë elementët e duhur dhe lartësinë e rolit kushtetues që të pezullojë efektet e disa neneve të këtij Ligji dhe t’i shfuqizojë ato si në kundërshtim me Kushtetutën, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatës Europiane e Drejtësisë.

Gazeta Si: Kjo është padia e tretë që dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për të njëjtën çështje. Ka ndonjë ndryshim nga paditë e tjera dhe nëse po, ku qendron ndryshimi?

Av. Lulzim Alushaj: Nuk njoh përmbajtjen e Kërkesave të tjera, por mund të them që jemi përpara një Kërkese me një numër të lartëkërkuesish, ndoshta i vetmi në këtë nivel pjesëmarrje, ku mund të konfigurohet si class action. (padi e një grupi njerëzish, që përfaqësohen nga një person). Ndryshimi kryesor i përket reagimit dhe bashkimit si asnjëherë tjetër i profesionistëve të lirë për një çështje, e cila penalizon profesionet dhe jetën e tyre.

Gazeta Si: Keni besim tek gjykata kushtetuese se do të vendosë me paanshmëri, në një kohë kur ka disa akuza nga opozita, por dhe grupe të ndryshme interesi për varësi nga qeveria?

Av. Lulzim Alushaj: Gjykata Kushtetuese është organ kushtetues që duhet të jetë e pavarur në vendimmarrjen e saj, sidomos në rastin konkret ku preken profesionet e lira që duhet të garantojnë cilësi dhe vijimësi të shërbimeve, por, nga ana tjetër, edhe përgatitjen e brezave të rinj të profesionistëve. Mospezullimi i efekteve të këtij Ligji dhe, më tej, mosshfuqizimi i tij nga Gjykata Kushtetuese do të gjenerojë mbyllje të shumë aktiviteteve profesionale dhe emigrim masiv të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë