Avokati i Popullit do të padisë në Gjykatën Administrative një vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që e përjashton këtë institucion nga vëzhgimi i gjithë procesit të shqyrtimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese dhe akuzon kryetarin e KED-së, Ardian Dvorani për mungesë transparence.
Përmes padisë, Avokati i Popullit do të kërkojë shfuqizimin nga ana e Gjykatës Administrative të një vendimi të datës 11 mars 2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që sanksionon se verifikimi i kandidaturave kryhet në mbledhje të mbyllura dhe vetëm me praninë e anëtarëve të KED.
Avokati i Popullit nënkupton se përmes këtij vendimi është shkelur Kushtetuta dhe është penguar që të marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes e dorëzimit të kandidaturave në organet e emërtesës, ndërsa akuzon se pavarësisht se është përjashtuar nga ky vëzhgim, në vendimet e KED-së thuhet sikur ky institucion ka qenë i pranishëm.
“Fakti i përjashtimit të institucionit të Avokatit të Popullit nga veprimtaria e KED-së, nuk pasqyrohet as në Vendimet e KED-së. Në pjesën hyrëse të këtyre vendimeve thuhet se Avokati i Popullit ka qënë prezent, në pjesën arsyetuese thuhen mendimet e dhëna nga Avokati i Popullit për çështjen në fjalë, por në asnjë rresht të këtyre vendimeve nuk thuhet që Avokati i Popullit, nuk ka qënë prezent (për shkak të parashikimit të Rregullores nr. 4 të KED-së “Për procedurat e verifikimit të kandidatëve”, në momentin e diskutimeve për problematikat e ndryshme që mund të rezultojnë për kandidatët, apo në momentin e votimit”, thotë Avokati i Popullit.
Deklarata e këtij institucioni flet për mungesë të theksuar transparence, jo vetëm për publikun, por edhe për vetë Avokatin e Popullit.
“Deri në momentin e hartimit të këtij raporti paraprak, nuk kemi arritur të gjejmë të publikuar ndonjë vendim pakice, bashkë me vendimet për kalimin e procedurës se verifikimit për anëtaret e Gjykatës Kushtetuese, ndaj supozojmë se vendimet duhet të kenë qënë unanime”, vijon deklarata.
Për mungesën e transparencës fajësohet kryesisht kryetari i KED-së, Ardian Dvorani, që sipas ligjit për organet e qeverisjes vendore siguron që mbledhjet e KED të regjistrohen në audio dhe të zbardhen në procesverbale dhe më pas bëhet publik në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë.
“Duke qenë se në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë KED-së nuk botoheshin procesverbalet e mbledhjeve, ne kërkuam të na viheshin në dispozicion këto procesverbale (ose në versionin audio, ose në versionin e zbardhur). Pavarësisht kërkesave tona të përsëritura bërë në mbledhjet e këtij organi, por edhe kërkesave me shkrim drejtuar kryetarit të KED-së, ne nuk na u vunë asnjëherë në dispozicion procesverbalet e disa mbledhjeve (qoftë edhe në version audio, që nuk kërkon punë shtesë për zbardhjen)”, nënvizon Avokati i Popullit.
Ky institucion akuzon KED se gjatë hartimit të rregullores së brendshme u vu re një përpjekje e vazhdueshme për të kufizuar kompetencat e Avokatit të Popullit dhe për t’iu shmangur detyrimeve që burojnë nga Kushtetuta për transparencë.
“KED ka miratuar një rregullore në të cilën prezanton konceptin e dhomës së këshillimit në mbledhjet e këtij organi administrativ, gjë e cila jo vetëm nuk është e parashikuar në ligj, por edhe nëse do i referoheshim teorisë të së drejtës, është një koncept i përdorur në procedurat gjyqësore dhe jo në ato administrative. Duke vlerësuar një parashikim të tillë në kundërshtim me kompetencat që Kushtetuta dhe ligji që cituam më siper i kanë dhënë institucionit tonë, ne kemi përgatitur padinë përkatëse për të goditur këtë akt nënligjor”, theksohet në deklaratë.
Por përse nuk është dorëzuar më parë kjo padi në gjykatë.
“Për të mos penguar procesin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese kemi pritur për depozitimin e padisë deri në përfundimin e procesit nga ana e Këshillit për të evidentuar tërësisht problematikat që mund të përfshihen në këtë padi, por edhe për të mos dëmtuar imazhin e reformes së drejtësi. Pra, shumë shpejt ne do të paraqesim këtë padi në Gjykatën Administrative të Apelit, me objekt shfuqizimin e disa prej neneve të dy prej rregulloreve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, thotë Avokati i Popullit.
Në të njëjtin raport paraprak, Avokati i Popullit thotë se propozon për në 2020 që të përcaktohen qartë kompetencat e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për të shmangur paqartësitë, vendimet dhe veprimet e dyshimta të kryetarit të këtij institucioni.
Për të tërë pjesëmarrësit në këtë proçes, nuk ka asnjë shpjegim të asnjë lloji (as publik dhe as në mbledhje pa praninë e të tretëve), se çfarë shkaktoi dërgimin e listave përfundimtare për te organet e emërtesës gjegjësisht ditë pas datës 21.9.2019, (pra pas 15 ditësh Presidentit të Republikës dhe 21 ditësh Kuvendit të Republikës së Shqipërisë).
Për këtë arsye, Avokati i Popullit thotë gjithashtu se nuk gjen asnjë shpjegim të asnjë lloji, as publik dhe as në mbledhje pa praninë e të tretëve që ka zhvilluar KED se çfarë shkaktoi vonesën në dërgimin e listave përfundimtare të miratuar më 21 shtator me 15 ditë tek Presidenti dhe me 21 ditë tek Kuvendi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.