Ngjarje

Pa guidë dhe mes mjegullës, si ranë në humnerë dy turistet belge e franceze në Valbonë. 4 të huaj të vdekur në 24 orë

Gazeta Si - Trupat e pajetë të dy turisteve të huaja janë nxjerrë nga humnera në Valbonë, pasi ranë aksidentalisht teksa po eksploronin terrenin.

Në nisje të këtij sezoni, turistik, kanë humbur jetën 4 turistë të huaj mes të hënës dhe të martës, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur në  aksidente rrugore.

Baets Myrthe, 25 vjeçe nga Belgjika dhe Joanna Blocaille nga Franca, ranë në një zonë të thepisur në zonën në Qafë-Valbonë.

Mësohet se ato po lëviznin në aksin Valbonë-Theth pa asnjë shoqërues që njeh zonën dhe si pasojë e terrenit të ashpër dhe kushteve jo të favorshme atmosferike, me mjegull e borë, kanë rrëshqitur dhe kanë përfunduar në greminë.

Sapo kanë kaluar Thethin, ata janë përballur me një mjegull të dendur dhe prani të dëborës. Në zonën e njohur si “Qafa e Valbonës”, që është edhe pjesa me e rrezikshme, turistët kanë ngatërruar shtegun dhe për shkak të mjegullës së madhe, tre prej tyre kanë rrëshqitur duke rënë në humnerë.

Dy prej tyre kanë humbur jetën menjëherë pas përplasjeve të forta dhe rënies se gurëve, një është plagosur ndërsa tjetri ka njoftuar policinë. Këta të fundit kanë mbërritur të parët në vendin e ngjarjes, por për shkak të mungesës se pajisjeve dhe teknologjisë së kërkim – shpëtimit, kanë kërkuar ndihmën e vullnetarëve dhe grupit të ekspertëve të Kosovës.

Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë shkuan në vendngjarje shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes.

Kjo është e disata herë, që të huajt lëvizin pa guidë në Alpet e veriut dhe gjejnë vdekjen në vendin tonë.

Ndërkohë po në ditët e fundit, një turist holandez dyshohet se ka humbur jetën në lumin Osum, pasi e ka marrë rrjedha ku ishte futur për të notuar së bashku me gruan e tij.

Gjetja e trupit të 68-vjeçarit është e vështirë për shkak të prurjeve të shtuara në lumin Osum.

Bilanc tragjik për turistët e huaj ishte dhe aksidenti i ndodhur të martën pasdite në Përrenjas, ku humbi jetën një 56-vjeçare me kombësi gjermane.

Ajo ishte duke udhëtuar me partnerin e saj, në momentin kur mjeti i tyre është goditur nga një trajler që transportonte mallra dhe që drejtohej nga një shtetas serb.

Çifti mësohet se po udhëtonte me një mjet të marrë me qera. Ndërkohë në 5 maj, një çift turistësh të huaj u aksidentuan me motor pas përplasjes me një makinë në aksin Lezhë-Shkodër.

Të dy personat kanë marrë fraktura në kokë dhe në këmbë dhe janë transportuar në spitalin e Lezhës, jashtë rrezikut për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë