Ka ndodhur

Bien në greminë gjatë eksplorimit, humbin jetën dy turistet e huaja në Tropojë

Gazeta Si - Trupat e dy ty turisteve nga Belgjika dhe Franca janë gjetur të pajetë pasditen e kësaj të marte në “Qafë Valbonë” të Tropojës, ku ato po eksploronin terrenin. 

Policia thotë se më herët dy gratë u bllokuan në zonën e Valbonës, pasi ranë në një greminë për shkak të terrenit të thepisur.

Në një njoftim zyrtar, policia bën me dije se për shkak të kushteve të këqija të motit dhe terrenit të vështirë, trupat nuk janë nxjerrë ende nga vendngjarja.

Pavarësisht territorit shumë të vështirë dhe motit të keq me mjegull dhe me borë, shërbimet e Policisë, pas shumë kërkimesh, kanë bërë të mundur që në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”, të gjenin trupat e pajetë të dy turisteve, shtetases belge B.M., dhe shtetases franceze J.B.

Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë, shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes.

Grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së dy turisteve.

Një ditë më parë, një turist holandez, të cilin e mori rrjedha e lumit Osum në Berat humbi jetë, ndërsa ka shpëtuar bashkëshortja e tij, e cila është paraqitur në spitalin e Çorovodës për të marrë ndihmën mjekësore. Polumbarët e RENEA-s po punojnë ende për gjetjen e turistit holandez..


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë