Politike

OSBE: Të dielën, zgjedhjet të qeta. Ndëshkoni dhunën!

Drejtuesit kryesorë të strukturave të OSBE-së kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku konfirmojnë 30 qershorin si datë zgjedhjesh vendore dhe kërkojnë prej të gjithë aktorëve kryesorë politikë që të punojnë për një proces votimi të paqtë dhe të drejtë.

“OSBE po vëzhgon nga afër ngjarjet në Shqipëri dhe përsërit kërkesën që të gjithë aktorët politikë të angazhohen në dialog, të respektojnë proceset demokratike të vendit dhe të tregojnë vetëpërmbajtje e distancim nga dhuna. Tani më shumë se kurrë lipset nga aktorët politikë shqiptarë të heqin dorë nga kushtet dhe të punojnë e bisedojnë së bashku për të garantuar edhe që zgjedhjet e kësaj të diele të jenë të paqta”, thuhet në deklaratën e OSBE.

E vënë në dijeni të sulmit të fundit ndaj KZAZ-së në Vaun e Dejës, deklarata e OSBE dënon këtë akt dhe aktet e tjera të ngjashme që janë regjistruar në ditët e kaluara.

“Duke njohur të drejtën e tubimeve paqësore, OSBE dënon fort sulmet e fundit që shënjestrojnë trupën e ngarkuar me detyrën e organizimit të zgjedhjeve, duke dëmtuar shkolla dhe materiale zgjedhje. Përplasjet politike dhe administrative duhet të zgjidhen në mënyrë ligjore, përmes një procesi ligjor. Çdo akt dhune minon procesin demokratik dhe dëmton imazhin ndërkombëtar të vendit”, vijon deklarata.

OSBE thotë se çdo akuzë për shit-blerje votash dhe shantazh ndaj punonjësve të administratës duhet të adresohet dhe autorët të mbajnë përgjegjësinë sipas ligjit.

OSBE kërkon respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

“U bëjmë thirrje protagonistëve politikë në Shqipërisë që t’i binden kuadrit ligjor, të respektojnë institucionet dhe të shmangin dhunën. Si ushtruesit, ashtu edhe nxitësit e akteve të dhunës duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore. U bëjmë thirrje edhe organeve ligjzbatuese që të vetëpërmbahen dhe të veprojnë proporcionalisht ndaj dhunës”, vijon mesazhi i OSBE.

Në deklaratë kujtohet se në 2020 Shqipëria pritet të marrë presidencën e OSBE, si një vendim që njohu progresin e bërë në fushat kryesore në vitet e fundit. OSBE shprehet e bindur se ky progres mund të ruhet, por kërkon pjekuri dhe përgjegjshmëri të lartë.

Deklarata mban firmën e Presidentit të OSBE-së, Miroslav Lajçakt, atë të Sekretarit të Përgjithshëm, Thomas Greminger, të Presidenti të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare, Roberto Montella.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë