Politike

Reagimi i parë i ndërkombëtarëve, OSBE: Kriza mund të thellohet në Shqipëri

Pasi Ilir Meta anuloi zgjedhjet e 30 qershorit dhe PS vendosi të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit, vjen reagimi i parë i ndërkombëtarëve, atje ku palët i kanë drejtuar sytë dhe veshët. OSBE në një reagim në mbrëmjen e së hënës tha ishte e shqetësuar për zhvillimet e fundit.

Deklaratë e plotë e Kryetarit të Radhës të OSBE-së për zhvillimet në Shqipëri

Kryetari i Radhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm dhe për Çështjet Evropiane i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, shprehu sot shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, të cilat mund të thellojnë më tej krizën politike dhe të çojnë në ndalimin e funksionimit të institucioneve shtetërore.

Kryetari i Radhës u bëri thirrje udhëheqësve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë legjislacionin në fuqi, si edhe rolet kushtetuese të institucioneve demokratike përkatëse. Ai theksoi pritshmërinë e tij se udhëheqësit do të veprojnë në përputhje me parimet demokratike dhe do të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar për përfaqësuesit e tyre, brenda kufijve kohorë të vendosur nga kuadri ligjor shqiptar. Gjithashtu, ai shprehu besimin e tij se Shqipëria është e aftë ta trajtojë vetë situatën, brenda kornizës së saj kushtetuese dhe ligjore, dhe se do të gjejë një zgjidhje, e cila do t’i mundësojë vendit të përqendrohet në sfidat e rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë