Humbja 4-0 e Zenitit në ndeshjen e parë ndaj Dinamos së Minskut i habiti të gjithë, sepse skuadra ruse ka një përvojë mjaft të madhe në Kupat e Europës. U duk gjithçka e mbyllur, por Zeniti vazhdon të jetë pjesë e Europa League, falë fitores 8-1 në ndeshjen e kthimit, që u luajt të mërkurën në Shën Peterburg. Koha e rregullt përfundoi me rezultatin 4-0, aq sa duhej për ta çuar ndeshjen në shtesë. Më pas rusët shënuan edhe 4 gola të tjerë dhe arritën kualifikimin “e çmendur”, me rezultatin e përgjithshëm 8-5.
Por menjëherë janë ngritur hije dyshimi për këtë rezultat. Dyshimet janë të forta për vetë faktin se 6 nga 8 golat e kësaj ndeshjeje Zeniti i ka shënuar kur kishte mbetur me 10 vetë në fushë, pas daljes me karton të kuq të Paredes në minutën e 72-të. Në atë moment rusëve u duheshin dhe dy gola dhe ata i shënuan, ndërsa në 30 minutat shtesë shënuan edhe 4 herë të tjera. Kundërshtari dukej inekzistent në fushë. E vërteta është se Zeniti ka luajtur mirë dhe, nëse nuk vërtetohen dyshimet, meriton gjithë kopertinën, ndërsa në të kundërt do të ishte një skandal i vërtetë. Paredes, Noboa dhe dy herë Dzuba shënuan në 90 minutat e kohës së rregullt. Në shtesë, pas golit të bjellorusëve, që komplikoi gjithçka, shënuan Driusi, Dzuba dhe dy herë Mak. Ky i fundit i shënoi të dy golat në shtesën mbi shtesat. Ovacione nga tifozët, por duhet pritur për të parë, nëse kjo ndeshje do të jetë objekt i ndonjë hetimi apo jo, sepse dyshimet janë.

Pak Shqipëri në Europa League
Skuadrat e mëdha të Europa League kanë kaluar pa probleme, me përjashtim të Fejnordit, që nuk mundi të bënte përmbysjen ndaj Trencin. Kopenhageni kaloi CSKA-në e Sofies me rezultatin 2-0,. Atalanta e Berishës dhe Gjimshitit (titullar në ndeshjen e fundit), do të ndeshet pikërisht me ekipin danez në turin tjetër. Sevilja shënoi 5 herë në fushën e Zalgiris, ku gjykuan arbitra shqiptarë, me kryesor Enea Jorgjin. Olimpiakosi i shënoi 3 herë Lucernës, Bordosë i mjaftuan 2 gola për të kaluar ukrainasit e Mariupolit, ndërsa Beshiktashi ka shpëtuar në minutën e 91-të me golin e spanjollit Soldado. Ka kaluar më tej edhe Steaua e Kamer Qakës, me një gol në kohën shtesë, por mesfushori kuqezi nuk ishte i grumbulluar në këtë ndeshje për shkak dëmtimi.

Barazim për Lajpcigun, por skuadra gjermane kalon turin, falë fitores së thellë në ndeshjen e parë. Fejnord i nuk mundi të bënte atë që bëri Zeniti dhe nuk shkoi më shumë se barazimi në ndeshjen e kthimit, duke vërtetuar momentin e errët që po kalojnë holandezët. Surpriza është Dudelange e Luksemburgut, që po paraqitet shumë mirë dhe që së fundi ka eliminuar edhe Legian e Varshavës, pasi kishte eliminuar më parë Dritën e Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.