Politike

Kim i kujton 5 qershorin Ramës e Bashës: Mbani fjalën e dhënë!

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u kujton udhëheqësve politikë shqiptarë zotimin e tyre për t’i qëndruar marrëveshjes së 5 qershorit, të arritur me ndërmjetësimin e fortë të Yuri Kim.

“I kujtojmë Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe udhëheqësve të tjerë për zotimet që kanë bërë përsa i përket 5 qershorit dhe çdo ndryshimi tjetër përtej kësaj marrëveshjeje. Angazhimi, propozimet dhe kundërpropozimet duhet të bëhen me mirëbesim. SHBA do t’ju mbështesë gjithmonë, por ju, udhëheqësit politikë jeni pala përgjegjëse për këtë”, deklaroi përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

Çfarë do të thotë? E thjeshtë: për Ramën, kuptimi është që nuk mundet thjesht t’i thotë ‘jo’ opozitës. Për Bashën: nuk mundet që thjesht të ankohet dhe të bëjë pyetje retorike, duhet të bëjë një propozim konkret.

Në korrik, Kim pati shkruar: “Përfshirja dhe transparenca duhet të jenë norma për veprim domethënës kombëtar. Gjë e mirë që Këshilli Politik u rimblodh për të marrë në konsideratë masa shtesë përtej 5 qershorit. Të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në mirëbesim, të vazhdojnë përfshirjen dhe transparencën”.

https://twitter.com/USAmbAlbania/status/1309063507145621504

A po bëjnë të dyja palët lojra? Ndoshta, por asnjëra nuk është plotësisht e angazhuar. Mbase duhet të përpiqen pak më shumë. Tek e fundit, Kim e thotë shqip “propozime dhe kundër-propozime". E thotë gjithashtu se "Përgjegjësia mbetet e udhëheqësve shqiptarë". Mbase do të lëvizë ndonjëri tani!

Ky reagim i Ambasadores amerikane mbërrin pas përplasjes në Këshillin Politik mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje me formulën e koalicioneve parazgjedhore dhe hapjen e listave të kandidatëve. PD dhe LSI vlerësojnë se hapja e listave u përdor si mjet nga Edi Rama për të ndryshuar dhe ndaluar koalicionet parazgjedhore dhe kërkon që formula aktuale të mos ndryshojë.

PS nga ana tjetër ka dorëzuar një draft në Këshillin Politik dhe ka paralajmëruar se do të presë opozitën deri më 1 tetor, kur do ta kalojë në seancë plenare për miratim. PD ka refuzuar që të dorëzojë një draft dhe në vend të tij ka dorëzuar disa pyetje teorike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë