Ngjarje

Foto-Video/ Operacioni, mbërrijnë në Shqipëri 19 shqiptarë nga kampet e ISIS-it. Dy refuzuan të kthehen

Kanë mbërritur në Tiranë 19 gra dhe fëmijë, të cilët arritën të liroheshin nga  Kampi Roj, në fshatin Derik, në verilindje të Sirisë, të cilët mbaheshin të ngujuar në kampet e ISIS-it.

Familje shqiptare ishin nisur nga Liban me një charter të vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare, i cili zbarkoi sot në aeroportin “Nënë Tereza”. Bashkë me to ishte dhe kryeministri Edi Rama me ministrin Bledi Çuçi.

Duke komentuar rikthimin e tyre në atdhe, kryeministri Edi Rama ka thënë se ka qenë një nga operacionet më të vështira.

Ai theksoi se do të ketë një tjetër të tillë, duke pohuar se dy shqiptarë, që ndodhen në kampin Al Hol, kanë refuzuar që të riatdhesohen. Gjatë një konference për mediat, ai tha se ata po mbahen peng në këtë kamp, ndërsa ndihen të kërcënuar për jetën.

"U përmbyll një operacion i jashtëzakonshëm që na jep mundësinë të çojmë drejt shtëpive 19 bashkëatdhetarë nga kampet e ferrit në Siri.

Këtë herë 5 gra e 14 fëmijë, të cilët mundëm t’i shkëpusnim pas një përpjekje të gjatë dhe operacioni të ndërlikuar me shumë vështirësi e jo pak rreziqe”, tha Rama në konferencë për median.

Një pjesë e tyre kanë familjarë e adresa në Shqipëri e do të çohen nëpër shtëpi, ose pastaj do të qëndrojnë në struktura të posaçme.

"Bëhet fjalë për gra e fëmijë, e bën të lehtë këtë punë nga pikëpamja e sigurisë ndërsa nga pikëpamja shoqërore kërkon kujdesin e vet, por ne jemi përgatitur siç kemi bërë më parë”, vijoi Rama.

Rama tha se të riatdhesuarit nga kampi në Siri do të kenë një periudhë karantinimi ndërsa do t'u bëhen të gjitha ekzaminimet mjekësore.

“Tani ata janë marrë nga strukturat tona të posaçme të kombinuara të policisë dhe të mirëqenies dhe do i drejtohen një sturkture enkas të përgatitur për ta në Durrës ku do bëhen të gjitha ekzaminimet mjekësore dhe psikologjike ku do kenë një periduhë të shkurtër karantinimi. Më pas do të çohen ose nëpër shtëpi ose do të qëndrojnë në struktura të posaçme por kemi parasysh se bëhet fjalë për gra dhe fëmijë”.

Kryeministri shtoi tha se ka pasur 2 persona që refuzuan të ktheheshin nga kampi Sirian.

“Operacione të kësaj natyre janë të vështira sepse nuk zhvillohen në terren miqësor, kampet nuk janë kampe pushimi po as shtetërore të sistemuara sipas një rregulli të caktuara, dhe kampet janë kampe lufte, me autoritete që variojnë. Puna që bëhet është e dyfishtë me ata që administrojnë kampet dhe me personat e infiltruar për të mbledhur informacion, brenda kampit ka dinamika të ndryshme  ka njerëz që nuk shfaqen fare ka që janë pengje të të tjerëve aty dhe të gjitha e bëjnë operacionin kompleks. Ka pasur 2 raste personash që kanë refuzuar por nga operacionet e marra personat janë pengje brenda kampeve, janë persona që kanë frikë dhe e kanë të bazuar frikën në faktin se gjatë shkëputjes mund tu marrin jetën. 2 persona kanë refuzuar të vijnë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë