Ngjarje

Riatdhesohen nga kampi i ISIS-it ‘Roi’ në Siri 4 gra dhe 9 fëmijë shqiptarë

Gazeta Si - Një grup prej 13 shqiptarësh, mes tyre gra dhe fëmijë, janë riatdhesuar nga kampi “Roi” i ISIS-it në Siri.

Të gjithë janë familjarë të luftëtarëve shqiptarë që iu bashkuan grupeve ekstremiste islamike, që luftonin në Siri dhe Irak.

Ata janë nxjerrë nga kampi dhe autoritetet siriane i kanë dorëzuar te një përfaqësi e kryesuar nga drejtori i Antiterrorit në policinë shqiptare, Alban Dautaj.

Lajmin është publikuar në Twitter nga zyrtari Abdulkarim Omar përmes një postimi. Sipas tij, shtetasit shqiptarë i janë dorëzuar autoriteteve përkatëse.

“Në 27 maj 2022, 13 shtetas shqiptarë (4 gra dhe 9 fëmijë) të familjeve të organizatës ISIS i janë dorëzuar një delegacioni zyrtar të qeverisë shqiptare, pas nënshkrimit të dokumentit zyrtar të dorëzimit ndërmjet AANES dhe Republikës së Shqipërisë”, ka shkruar  një zyrtar i lartë sirian Dr. Abdulkarim Omar.

Sipas burimeve paraprake, operacioni i riatdhesimit, i cili është mbajtur sekret deri këtë të premte, ka nisur para pak ditësh. 

Shqiptarët e riatdhesuar janë nga kampi “Roi”, ndërsa nga autoritetet e Ministrisë ë Brendshme nuk ka ende një reagim zyrtar.

Mes 13 të riatdhesuarve, dyshohet se është edhe gruaja e dytë e Genci Ballës, Almira Kastrati dhe 2 djemtë e saj.

Balla është i dënuar nga drejtësia shqiptare për rekrutim të besimtarëve për qëllime terroriste, i njohur si imami i vetëshpallur i  “Unazës së Re”. Ai është i vendosur në regjimin “41 bis” në burgun e Peqinit.

Me këtë riatdhesim shkon në 38 numri i shqiptarëve të riatdhesuar nga kampet e ferrit në Siri, "Roi" e "Al Hol".

Deri tani, në 4 misione shpëtimi, janë riatdhesuar 38 persona, ndërsa vijojnë të jenë në kampe dhe 17 shqiptarë të tjerë.

Në fund të korrikut të kaluar ishte riatdhesimi i fundit, kur erdhën 5 gra shqiptare dhe 14 fëmijë që jetonin prej vitesh në kampin famëkeq “Al Hol” në Siri.

Janë riatdhesuar Brunilda Koçollari nga Tirana me 5 fëmijët e saj, Emanuela Vladi nga Dibra, nënë e 4 fëmijëve, Ruzhdije Balliu nga Librazhdi, Lavdie Kaca nga Tirana dhe 2 fëmijët e saj, si dhe Klotilda Zani nga Tirana me 3 fëmijë.

Deri më tani, nga Siria është kthyer Alvin Berisha, Floresha Rasha me katër fëmijët e saj (më 26 tetor 2020) dhe Endri Dumani, ndërsa motra e tij, e njohur si Eva Dumani, edhe këtë herë nuk është kthyer, pasi nuk është gjetur sërish nga zyrtarët

Pas kthimit nga kampi i ferrit "Al Hol" Rasha me fëmijët e saj si dhe Endri Dumani u zhvendosën për rehabilitim në shtëpinë e pushimit të ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes, në Konvaleshencë në Durrës.

Prej vitesh, me dhjetëra familje shqiptare të indoktrinuara nga rryma fetare, u larguan nga Shqipëria për luftën e xhihadit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë