Ngjarje

Alvini fluturon larg ferrit të Al Hol

“Më merr me vete në shtëpi të lutem. Më ka marrë shumë malli, babi”. Kjo ishte letra e vetme që Alvini i vogël i kishte dërguar nga Siria, babait të tij Afrim Berisha, duke i kërkuar ta shpëtonte nga lufta në Lindjen e Mesme. Sot, pas 5 vitesh, lutjet e tij kanë marrë fund.

I rrëmbyer nga e ëma, në moshën 6-vjeçare, Alvin Berisha u gjend mes luftës në Siri, për t’u rritur mes masakrave dhe tmerreve të Shtetit Islamik. Pas pesë vitesh nën kalifatin e ISIS-it, ku humbi edhe të ëmën, Alvin Berisha duket se do të bashkohet më në fund me të atin. Ditët e Alvinit në kampin Al Hol kanë marr fund, pasi 11-vjeçari udhëton sot drejt Romës, ku e presin krahët e ngrohta të të atit, Afrim Berishës.

Lajmi bëhet i ditur nga Bedri Elezi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Kosovë, i cili thotë se është vënë prej ditësh në kontakt me autoritet kurde për ta kthyer Alvinin e vogël, në shtëpi.

ID e Alvinit dhe Afrim Berishës

“Urime, Alvini së shpejti në Romë”, shkruan Elezi në një postim në Facebook, ku ka shpërndarë një shkrim të gazetës britanike “The Independent” për punën e organizatës së tij mbi kthimin e shqiptarëve nga Siria në shtëpi. Zoti Elezi edhe më herët ka qenë një burim i besueshëm informacioni për Gazetën “Si”. Më herët ai na ka shpjeguar se si ka arritur që të sjellë në Kosovë disa persona të tjerë, të cilët prej kohësh gjendeshin të bllokuar në kampet në Siri. Elezi ndërkohë është ofruar që të ndihmojë qeverinë shqiptarë të kthejë në shtëpi fëmijët dhe gratë e bllokuar në kampin Al-Hol, duke thënë se ka komunikuar me zyrtarë kurdë, të cilët ishin të gatshëm të ndihmonin Shqipërinë në këtë proces. Burime të ndryshme jozyrtare bëjnë të ditur se Alvini është nxjerrë tanimë nga kampi Al-Hol në Siri dhe ndodhet në një vend të sigurt. Operacioni për shpëtimin e Alvinit u realizua në bashkëpunim me Gjysmë Hënën Siriane, Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe autoritet italiane.

Postimi i Bedri Elezit në faqen e tij në FB

Historia e Alvnit përloti jo vetëm shqiptarët por edhe italianët. Lindur dhe i rritur në në 2014 në Barzago, provinca e Lecco, në moshën gjashtëvjeçare ai rrëmbehet nga e ëma (tashmë e radikalizuar) dhe dërgohet në Siri, mes radhëve të Shtetit Islamik. Sot e ëma rezulton e vrarë gjatë bombardimeve të qytetit Baghuz.

Alvini në kampin Al-Hol. Gazeta Si, 2019

Alvini mbeti i vetëm dhe pas përpjekjeve të shumta të babait të tij, emisioni investigativ "le Iene" arriti të gjejë të birin në kampin Al-Hol pas 5 vitesh. Afrimi tregonte mes lotësh për “Le Iene” se sa i mungonte djali i tij, të cilin e quan kampion dhe kurrë nuk e ka kuptuar se çfarë kishte ndodhur me bashkëshorten, për të marrë këtë vendim. Teksa mban fotografinë e të birit në duar, Afrimi tregonte se gjithë kohës ka punuar për të mbajtur familjen e tij dhe bashkëshortes nuk i ka munguar asgjë.

Afrim Berisha dhe djali i tij Alvin, në kampin Al-Hol. Gazeta Si, 2019

Por vështirësitë e Afrimit, nuk do të mbaronin me kaq. Autoritetet e kampit i thanë babait se nuk do të mund ta merrte djalin e tij, pasi duheshin kryer një sërë procedurash për sa i përket nxjerrjes nga kampi. Duke qenë se Alvin ishte me shtetësi shqiptare në certifikatë, duhej që nga kampi ta nxirrnin autoritetet shqiptare. Ata u ndanë me lot, pasi Alvini nuk mund të nxirrej nga kampi pa praninë e një diplomati shqiptar.

“Gjithsej në Kampin Al Hol janë 144 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi”, do të shprehej para pak kohësh Bedri Elezi. Ai zbuloi për Gazetën “Si” se në kampin e ruajtur nga kurdët në Veri të Sirisë janë strehuar rreth 70 fëmijë dhe gra nga Shqipëria, të cilët presin mes dëshpërimit të kthehen në vendin e tyre.

Afrim Berisha dhe djali i tij Alvin, në kampin Al-Hol. Gazeta Si, 2019

Gazeta “Si” ka kontaktuar më herët me Ministrinë e Brendshme, por ajo nuk ishte në gjendje të jepte një përgjigje, duke thënë se kjo është një çështje shumë e komplikuar. Burimet nga kjo ministri thonë për Gazetën “Si” se shteti shqiptar është i pafuqishëm pa ndihmën e organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare.

Por cila është procedura e riatdhesimit të shqiptarëve që po mbahen në Siri dhe sa të të vështirë e ka shteti shqiptar t’i kthejë në shtëpi gratë dhe fëmijët e mitur?
“Shteti shqiptar fillimisht duhet të vendosë kontakte me zyrtarët kurdë, të cilët aktualisht kanë nën kontroll kampin, të shkëmbejnë gjeneralitetet e personave shqiptare në atë kamp dhe kështu të fillojë procesi i transferimit të tyre deri ne Irak ne Erbil”, shpjegon Bredi Elezi për Gazetën "Si". Nga Erbili, do të mund të organizohej një fluturim për në Tiranë. Aktualisht zyrtarët kurdë janë shumë të interesuar të zhvendosin familjaret e pjesëtareve të ISIS për shumë arsye, e sidomos finaciare”, thotë eksperti i sigurisë.

Zoti Elezi tregon për Gazetën "Si" se Instituti për Studime Ndërkombëtare në Kosovë po mban kontakte me gratë shqiptare në kampin Al-Hol.

“Ato na kanë treguar se situata aktualisht është e qetë, por shumë e brishtë”, thotë ai.
Do të ishte historia e Alvinit të vogël ajo që do të bënte publikun shqiptar të kthente kokën nga këta fëmijë, një pjesë e të cilëve kanë humbur nënat dhe janë në gjendje aq të rënduar psikologjike saqë nuk flenë për ditë të tëra.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë