Ngjarje

Operacioni i tetorit / Lirohet grupi i parë i fëmijëve shqiptarë nga kampi Al Hawl (Foto/Video)

Gjysmë Hëna e Kuqe Siriane njoftoi se një operacion i përbashkët me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar për lirimin e fëmijëve shqiptarë të mbajtur peng në kampin famëkeq Al-Hawl të Sirisë ka përfunduar me sukses.

Operacioni i lirimit të tyre është mbikëqyrur nga Khaled Hboubati, President i Gjysmë Hënës së Kuqe Siriane. Katër fëmijët dhe familjarët e tjerë shqiptarë u janë nënshtruar kontrolleve mjekësore dhe më pas janë transportuar në drejtim të Damaskut.

Dy fotot e mësipërme janë nga operacioni i lirimit të katër fëmijëve shqiptarë dhe nënës së tyre, siguruar nga Bedri Elezi, Drejtori i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Kosovë.

Numri i saktë i shtetasve shqiptarë që po mbahen në kampin Al-Haël mbetet i paqartë, por ka raportime se bëhet fjalë për rreth 70 persona, ku të paktën 35 prej tyre janë gra dhe fëmijë.

Disa ditë më parë, një delegacion shqiptar i kryesuar nga konsulli i nderit i Shqipërisë në Liban, Mark Ghareeb udhëtoi në Siri për riatdhesimin e fëmijëve dhe grave shqiptare të kampit Al-Haël. Pjesë e delegacionit ishin përfaqësues të Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Indrit Doda dhe Gledis Nano. Delegacioni shqiptar i antiterrorit ndodhet prej mesit të shtatorit në Liban.

Ferri Al-Hawl

Al-Hawl ka emrin kamp, por në të vërtetë që prej shpërbërjes së ISIS-it ai është njëri prej burgjeve më të mëdha të ngritura në fusha të hapura për të mbajtur nën kontroll ekstremistët. Kampi u ngrit si një oaz shpëtimi e shprese për të strehuar të gjitha gratë dhe fëmijët të penduara nga bashkimi me ISIS-in.

Por, jo të gjithë brenda kampit janë të penduar. Shumë gra vazhdojnë t’i qëndrojnë besnike rregullave të rrepta të Kalifatit, madje edhe duke ngritur në mënyrë vullnetare një polici që kontrollon kodin e veshjes dhe sjelljes për gratë e tjera. Nëse ky kod shkelet, ndëshkimet shkojnë nga goditja me kamzhik, deri tek gjymtimet. Por, ndëshkimet më të ashpra janë parashikuar për gratë që bisedojnë me personelin e sigurisë, apo me gazetarët.

Kampi është i ndarë në disa sektorë dhe në muajin janar të 2019-ës, OKB fliste për 70 mijë banorë nga të paktën 50 vende të ndryshme të botës të strehuar aty në kushtë çnjerëzore. Bëhet fjalë kryesisht për vajza dhe fëmijë. Sipas dëshmisë së dhënë nga Afrim Berisha dhe nga gazetarët italianë të “Le Iene”, Alvini, që fatmirësisht u lirua, mbahej në sektorin e jetimëve.

Kampi ruhet vazhdimisht nga luftëtarë të armatosur, sirianë, kurdë dhe irakianë të “Syrian Defence Forces”, grupim i mbështetur nga SHBA kundër regjimit të Bashar al-Assad. Por, me tërheqjen e SHBA nga zona, shumë prej luftëtarëve aktualisht funksionojnë dhe operojnë si të pavarur, pa një komandë qendrore. Ata nuk lejojnë asnjë që të largohet, apo që t’i afrohet perimetrit të kampit pa lejen e tyre.

Të vetmit që mund t’i afrohen, apo të hyjnë brenda kampit janë punonjës të organizatave humanitare, që shpërndajnë ushqime dhe ilaçe dhe me raste edhe gazetarë të mediave të ndryshme. Më 11 tetor 2019, dy ditë para se Turqia të niste ofensivën ushtarake kundër kurdëve në Siri, CNN raportoi për skena kaotike në kampin Al-Hawl, që për zyrtarët vendorë sirianë, konsiderohet si kërcënim për sigurinë për shkak të sulmeve të shpeshta të dhunshme të grave që strehohen aty.

Për autoritetet siriane dhe irakiane, por edhe për vetë Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjërat kanë ndryshuar dhe nëse më parë bëhej fjalë vetëm për një krizë humanitare, tashmë kampi është më shumë burimi i një krizë sigurie për shkak të elementëve ekstremistë që po përpiqen të ringjallin ISIS-in. Në mes të tyre qëndrojnë edhe celula të pavarura të ISIS-it dhe grupe të tjera terroriste, në shënjestër të të cilëve janë sidomos të huajt të huajt. Ata i marrin peng dhe më pas i lirojnë vetëm kundrejt një shume të caktuar parash.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë