Mendim

Operacioni “Fshesa”, Zaev largon nga qeveria të paaftët dhe korruptuarit!

Ishte paralajmëruar prej javësh, por Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duket se ka marrë seriozisht operacionin “Fshesa”, për të pastruar jo vetëm administratën shtetërore, por edhe vetë kabinetin qeveritar nga udhëheqësit që kreu i qeverisë së vendit fqinj i konsideron të “paaftë dhe korruptuar”.

Mediat në Shkup paralajmërojnë ndryshime të disa ministrave, zëvendësministrave si dhe funksionarëve me urdhër të liderit të LSDM-së, vetëm 2 javë para vendimit të BE-së për negociatat.

Ndryshimet nisën gjatë seancës së këshillit qendror të LSDM-së ku u shkarkua Këshilltari Ekzekutiv, nënkryetarët e partisë dhe sekretarët.

Vetë Zaev ka thënë se nuk sheh asnjë arsye të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, por se ka ardhur koha për ndryshime rrënjësore në qeveri. “Do të ketë ndryshime të pozicioneve të ministrave, zëvendësve dhe funksionarëve tjerë në qeveri, si dhe drejtorëve në Administratës Publike, agjencive shtetërore, gjithkund ku nuk ka rezultate, ose është treguar arrogancë apo nuk ka pasur kapacitet demokratik”, theksoi Zaev. “Duke pasur parasysh se deri tani janë ndërruar gjashtë ministra, ai i Kulturës, Drejtësisë dhe Arsimit, kemi menduar shkarkimin e një të tretës prej tyre”, deklaroi ai.

Megjithatë, ndryshimet e para në nivel qeveritar priten të ndodhin në mesin e muajit qershor. Pas deklaratave të Zaev kanë filluar tanimë edhe bisedimet mes LSDM e BDI për emrat e rinj që pritet të vendosen në krye të posteve kryesore të vendit fqinj, disa prej të cilëve përflitet të jenë shqiptarë.

Ndryshimet e paralajmëruara nga Zaev pritet të prekin edhe institucionet që drejtohen nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Siç bëhet e ditur nga mediat maqedonase, Zaev i ka dorëzuar kreut të BDI-së, Ali Ahmetit, një listë me emrat e zyrtarëve të kësaj partie që duhet ndryshuar për shkak të rezultateve të dobëta.

Kryeministri Zoran Zaev

Sipas Zaevit, raportet e partneritetit me BDI-në janë në kulmin e tyre dhe besimi mes tij dhe liderit të partisë Ali Ahmeti është i madh. "Jemi të vetëdijshëm se kemi profesionistë të dobët në radhët tona dhe prandaj flasim për ndryshimet në qeveri”, tha kryeministri maqedonas disa ditë më parë.

Zaev dhe Ahmeti kanë arritur tanimë marrëveshjen për formatin e ri të Qeverisë dhe ditët në vijim pritet që të bëhen publike emrat e rinj të kabinetit. Kjo do të jetë Qeveria “Zaev 2”, e cila do të përqendrohet tek ekonomia dhe investime kapitale.

Në qershor pritet të mbahet seanca e ardhshme e Kuvendit ku do të votohej për ministrat e rinj të Qeverisë. Sipas kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi nga 7 qershori e tutje mund të thirret një seancë emergjente për propozimet e paralajmëruara nga Qeveria.

Më 18 maj, kryeministri shkarkoi këshillin ekzekutiv të LSDM-së, të gjashtë nënkryetarët e partisë, sekretarin e përgjithshëm organizativ dhe atë ndërkombëtar, si dhe koordinuesen e Forumit të Gruas.

Duke komentuar vendimet e Zaev, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski tha janë vendime të shkëlqyera dhe se pret të mbahet seancë e re e Këshillit Qendror në të cilën do të zgjidhen udhëheqësit e rinj partiakë.

Ndërkohë, Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Koço Angjushev, deklaroi se të gjithë funksionarët shtetërorë duhet të jenë të vetëdijshëm se një ditë do të duhet të largohen nga posti që kanë.

“Është nder që të jesh anëtar i Qeverisë, por gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se një ditë do të na duhet të largohemi nga postet qeveritare”, deklaroi Angjushev, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti

Sipas tij, më e rëndësishmja është që të zbatohet programi qeveritar, ndërsa ndryshimet janë punë normale në shtete të zhvilluara demokratike.

Por për partinë opozitare, VMRO-DPMNE, këto ndryshime qeveritare janë në farsë.
“Fshesa është vetëm farsë, përderisa nuk largohen funksionarët e paaftë e nga funksionet shtetërore në krye me Zaevin dhe Shekerinskën”, deklaruan zëdhënësit e VMRO-PDMNE.

Opozita ka thënë se përgjegjës për gjendjen në vend, është Zoran Zaev nga i cili ka kërkuar që sa më parë të jap dorëheqjen dhe të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Zoran Zaev duhet të jep dorëheqje. Kjo është mënyra e vetme e tij për t'i ndihmuar Maqedonisë. Qytetarët në zgjedhjet presidenciale i thanë se duhet të shkojë së bashku me politikat e tij kriminale, shkatërruese dhe anti-shtetërore. Zaev ka humbur më shumë gjysmën e komunave të Republikës së Maqedonisë”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

Zgjedhjet e parakohshme janë kërkuar edhe nga Aleanca për Shqiptarët në opozitë. Kryetari i saj, Zjadin Sela, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë për riformatimin e Qeverisë, por për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Vetëm përmes një procesi zgjedhor të drejtë mund të lëvizim në drejtimin e duhur. Të gjitha argumentet se tani nuk është koha pasi jemi në pritje të datës për në Bashkimin Europian e kështu me radhë, janë argumente që kanë për qëllim të mbajnë “status-quo” në këtë shoqëri", ka deklaruar Sela.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë