Lajme

Operacioni antidrogë “Tranzit”, lihen në burg 7 të arrestuarit

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 7 të arrestuarit nga operacioni antidrogë “Tranzit”.

Në burg janë lënë shtetasit:

Pajtim Aga, vëllai i ish-shefit të Qarkullimit në Dibër, Fatjon Dodaj, Marsida Piperi, Arjet Halilaj, Edmond Rajta, Shkëlzen Mazari, Devis Mija.

Prokurori Robert Kote në seancën e djeshme tha se prova më e fortë për ta janë përgjimet dhe droga e sekuestruar.

7 shtetasit u vunë në pranga, pasi kishin siguruar lëndë narkotike të llojit “Cannabis sativa në formë çokollate” në shtetin grek, lëndë të cilën e kishin kaluar nëpërmjet kufirit nga Konispoli, nëpërmjet dy shtetasve me banim në Gjirokastër.

Më pas, lënda narkotike do transportohej në Tiranë, me qëllim për ta nisur më vonë në një qytet në veri të vendit, për ta trafikuar jashtë Shqipërisë. Ndërkohë iu sekuestruan 32.5 kg lëndë narkotike cannabis sativa në formë çokollate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë