Ka ndodhur

Operacioni antidrogë në Itali/ Arrestohen 55 persona, 27 shqiptarë, 5 të arrestuar në Shqipëri

Policia e Shtetit ka dhënë detaje nga operacioni ndërkombëtar antidrogë i zhvilluar në Itali, Shqipëri dhe Gjermani, ku si rezultat janë arrestuar edhe 27 shqiptarë, pjesë e një grupi që trafikonin dhe shisnin lëndë narkotike në Itali.

Nga 55 të arrestuar në total, në Shqipëri janë arrestuar 5 persona, të gjithë banues në Vlorë, të cilët do të ekstradohen drejt Italisë.

Të arrestuarit në vendin tonë janë: A. J., 25 vjeç, Dionis Moskaj, 23 vjeç, Ersild Nelaj, 27 vjeç, Rezart Elmazaj, 31 vjeç, Z. A., 25 vjeç.

Policia thotë se ndaj tyre rëndon akuza nga Gjykata e Romës për “Organizatë kriminale me qëllim trafikun e narkotikëve”.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me pjesëtarët e tjerë të organizatës kriminal, dyshohen se nga data 01.06.2018 deri më 21.01.2019, kanë marrë pjesë në role të ndryshme në një organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike (marijuanë) nga Shqipëria në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës”, thotë Policia.

Mediat italiane thonë se dyshimet e policisë italiane kanë nisur që në vitin 2018, dhe nga kontrollet e tyre kishin vënë re se në një stacion autobusi në Tributina, gjithmonë kalonte një nigerian, duke shtyrë një karrocë me rrota, brenda së cilës kishte rroba të përdorura.

Por pas një kontrolli, policia mësoi se brenda karrocës nuk kishte rroba, por kilogramë të tëra droge.

Pas dy vitesh intensive hetimesh, ndjekje dhe përgjimesh, policia e Romës ka arritur të godasë një nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare.

Droga dyshohet se vinte nga Shqipëria dhe tregtohej në Itali dhe Gjermani. Droga dërgohej drejt Gjermanisë me autobusë dhe përmes linjës hekurudhore. Ndërsa sasia shpërndahej më së shumti nga nigerianë, të cilët kamufloheshin si endacakë e të pastrehë. Organizata, e cila drejtohej nga shqiptarë, kishte krijuar një sistem të mirorganizuar. Operacioni është zhvilluar në tre shtete, Gjermani, Shqipëri dhe Itali.

Të arrestuar janë 55 persona, mes të cilëve 52 burra dhe 3 gra, të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

27 shtetas janë shqiptarë, 23 nigerianë, 4 italianë dhe 1 gambian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë