Art dhe Kulture

“Open Cinema” me filma shqiptarë dhe të huaj starton në Tiranë

“Open Cinema”, kinemaja shëtitëse nis nesër në mbrëmje në Tiranë, ku publiku kryeqytetas do të mund të shijojë filma të ndryshëm, prodhime shqiptare dhe të huaja dhe muzikë.

Do të ketë filma, por edhe homazh për regjisorët dhe krijuesit tanë me kinemanë shëtitëse nën drejtimin e producentit Skënder Jaçe.

Filmat do të projektohen te Pazari i Ri për publikun, por nuk do të mungojnë dhe këngëtarë të njohur, që do të jenë pjesëmarrës me interpretimet e tyre.

Kinemaja shëtitëse do të vazhdojë rrugëtimin çdo të enjte dhe të premte deri në fundin e muajit gusht, ku nuk do të mungojnë edhe këngëtarë të ftuar, si Irma Libohova e Liljana Kondakçi që do të performojnë edhe kolona zanore nga filmat shqiptarë.

Programi me filmat

Filmat që janë në program në Tiranë për publikun janë: “UKU”, “Amaneti”, “Open Door”, “Kastadiva” film arkivor, “113” film shqiptar, “Unë jam Arumun” (film i ardhur enkas për “Open Cinema”) lauruar me disa çmime. Filmi “Ne kemi diellin” vjen si homazh për regjisorin Petrit Ruka, “Fan Fan Tulipan”, “Margarita” një homazh për Kujtim Gjonaj, “Sfida” film shqiptar, “Gjergj” po film shqiptar, “ Marrëzi e madhështisë”, si dhe filmi “Shamikuqja”. Aktiviteti "Open Cinema" kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri nisi mbrëmjen e 21 qershorit në qytetin e Patosit dhe këtë vit do të zhvillohet në 12 qytete të vendin tonë.

Pas Tiranës “Open Cinema” me filma dhe këngëtarët e ftuar do të vijojë në qytetin e Gjirokastrës. E veçanta e këtij viti ishte kënga kushtuar këtij aktiviteti kombëtar në 5-vjetor. Kënga “Eja në Open Cinema” me tekst të Jorgo Papingjit, muzika nga Enis Mullaj dhe kënduar nga Irma Libohova, është një këngë që përcjell mesazhin e dashurisë ndaj kinemasë së munguar dhe artistëve tanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë