Shkencë

OBSH: Pandemia do të jetë e gjatë!

Pandemia e koronavirusit ka të ngjarë të jetë "e gjatë", paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetit, pasi mbara bota po përpiqet të përmbajë përhapjen e koronavirusit.

Të dielën u shpall gjendja e jashtëzakonshme në shtetin australian të Viktoria, pavarësisht masave gjithëpërfshirëse për të mbajtur shpërthimin nën kontroll. Në Europë gjatë fundjavës Franca dhe Polonia ishin ndër ndër vendet që raportuan rritje alarmante të rasteve të koronavirusit.

OBSH paralajmëroi botën për kohëzgjatjen e kësaj pandemie, pasi komiteti i urgjencës së OBSH-së u takua të premten për të vlerësuar krizën gjashtë mujore e cila vuri botën në alarm më 30 janar. Grupi paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e "lodhjes së qytetarëve" duke marrë parasysh presionet sociale-ekonomike ndaj kombeve botërore.

“OBSH vazhdon të vlerësojë nivelin e rrezikut global të Covid-19 si shumë të lartë," tha organizata në deklaratën e saj të fundit.

Komiteti i Emergjencës inkurajoi individët, të rinjtë në veçanti por edhe komunitetet, që të mbeten vigjilentë me qëllim parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së COVID-19.

Gjithashtu, ai përgatiti një seri këshillash për t’i zbatuar kundër pandemisë. Në veçanti, Komiteti sugjeroi që OBSH të bashkëpunojë me organizatat globale dhe rajonale dhe të mbështesë shtetet anëtare në garantimin e shërbimeve shëndetësore, me qëllim diagnostikimin dhe kujdesin në raste infektimi.

Një tjetër këshillë drejtuar vendeve të ndryshme ishte financimi i kërkimeve lidhur me koronavirusin.

Numri i personave të prekur me koronavirus në të gjithë botën ka shkuar mbi 18 milionë mes të cilëve 688,939 kanë humbur jetën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dhe vendi me numrin më të lartë të personave të infektuar dhe personave që kanë humbur jetën. Deri më tani në SHBA janë konfirmuar me Covid 4 764 318 dhe 157 898 kanë humbur jetën. I dytë në botë si vendi më i prekur nga Covid është Brazili me  2.7 milionë raste dhe India me rreth 1.7 milionë prej fillimit të pandemisë.

Meksika ka zëvendësuar Britaninë duke u renditur e treta në botë për nga numri i vdekjeve nga COVID-19. Në Meksikë kanë humbur jetën mbi 47 mijë vetë

Ndërkohë media ruse njoftoi se Moska po përgatitet të nisë një fushatë vaksinimi masiv kundër koronavirusit në shtator ose tetor. Njoftimet i referohen burime sipas të cilave vaksina është zhvilluar në një institucion kërkimor shtetëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë