Financa Personale

Obligacionet 7-vjeçare, vijon rënia e interesit

Teksa kërkesa e qeverisë për borxh në tregun e brendshëm nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë dhe obligacioneve ka qenë më modeste edhe si efekt i eurobondit, interesi i tregut për të financuar këtë nevojë mbetet i lartë. Kjo ka bërë që interesi me të cilën sigurohet ky borxh të vijë në rënie, një tendencë që vijon prej muajsh dhe që është theksuar edhe më shumë muajve të fundit.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se në ankandin e fundit për obligacionet 7-vjeçare, interesi shënoi 5.02 për qind ndërkohë që raporti i mbulimit ishte 2.52 çka do të thotë që qeverisë iu ofrua nga tregu 2.52 herë më shumë sesa ajo kërkoi në shumën e shpallur fillimisht.


Ky është interes më i ulët për obligacionet 7-vjeçare për këtë vit, por tendenca e rënies së këtij interesi vijon prej kohësh. Në ankandin e parë të këtij viti, ku u emetuan obligacione 7-vjeçare qeveria kërkoi 4 miliardë lekë, por nga tregu u ofruan 3.6 miliardë. Shuma që në fund qeveria pranoi ishte pak më shumë se 3.3 miliardë, me një interes uniform prej 5.86 për qind.
Ankandi i dytë i obligacioneve 7-vjeçare u zhvillua më 7 qershor ku qeveria shpalli një kërkesë për 3 miliardë lekësh dhe tregu ofroi 3.7 miliardë. Në finale, qeveria do të pranonte 3 miliardë lekë nga tregu me një interes uniform 5.78 për qind


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë