Sport

Nurmagomedov, luftëtari rus që theu mitet

Quhet Khabib Nurmagomedov, vjen nga rajoni i Dagestanit në Rusi, thirret nga të gjithë “Shqiponja” dhe prej dy ditësh e gjitha bota po flet për të. Sportisti i arteve marciale të miksuara mposhti në një duel epik, atë që nga shumë analistë ishte konsideruar si legjenda e UFC, Conor McGregor. Në Las Vegas, ishte arena që priti dy luftëtarët më të mëdhenj të këtij sporti për momentin. Ishte një mbrëmje që do të mbahet mend gjatë nga fansat për atë që ndodhi në oktogon, por edhe jashtë tij.

Pas katër raundeve shumë të luftuar dhe të ashpër, Nurmagomedov e mposhti irlandezin, me dorëzim. Përballja nuk mund të parashikohej lehtë se kush do e fitonte, por luftëtari nga Dagestani tregoi një nivel më të lartë rezistence, për të mos folur pastaj për grushtin e tij që ishte i papërballueshëm nga McGregor.

Përtej fitores kjo ndeshje ka bërë një bujë të madhe mediatike, për atë që ndodhi pas duelit. Në momentin që McGregor u dorëzua dhe arbitri e shpalli fitues, Nurmagomedov doli nga ringu dhe shkoi të përballej me stafin e luftëtarit irlandez. Dalja e tij nga oktaringu shkaktoi një sherr të madh, ku të gjithë u përfshinë një përleshje masive dhe situata për disa minuta doli nga kontrolli. Për faj të këtij episodi luftëtari nga Dagestani mund ta pësojë keq. Prej dy ditësh të gjitha mediet botërore falsin për skenarët e mundshëm që mund të ndodhin me Khabib Nurmagomedov. Përjashtimi i tij nga UFC duket të jetë skenari më negativ, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia që mos t’i jepet rripi dhe shpërblimi prej 2 milionë dollarësh për fitoren me irlandezin.

Kjo fitore e rusit, Nurmagomedov ishte thyerje disa miteve në UFC.

Nurmagomedov që kur debutoi në këtë sport, ishte i pari që i përkiste besimit islam. Ky sport është  konsideruar si një mit për luftëtarët e këtij besimi, pasi quhet si dëmshëm për trupin dhe është i ndaluar. Rusi në daljet e tij për mediet, e kishte theksuar disa herë që ky lloj sporti është kundër parimeve të fesë së tij, por ai po lufton për një parim të madh, që të nderojë vendin e tij. Në disa raste Nurmagomedov, nuk ka nguruar që të bëjë edhe rite fetare në oktaring. Pikërisht për këtë pjesë të besimit të tij, luftëtari nga Dagestani ra pre e sulmeve të kundërshtarit iralndez MeGregor para ndeshjes. Ky i fundit në shumë raste nuk nguroi ta ofendonte dhe tallte rusin, deri në pikën e fundit.

Khabib Nurmagomedov është 30 vjeç dhe aktualisht është rekordmen absolut në UFC, pasi ka 27 ndeshje dhe të gjitha të fituara, ku 5 prej tyre i ka fituar me KO. Ai pas triumfit me McGregor do të bëhet mbajtësi i dy brezave të artë, sigurisht nëse nuk penalizohet nga gjykata, e cila ka hapur një hetim, për atë që ndodhën pas ndeshjes me luftëtarin irlandez.

I ardhur nga një rajon shumë i varfër i Rusisë, si Dagestani, Khabib ia del që të shkojë në majën e një sporti që çdo vit që kalon, bëhet akoma dhe më shumë popullor. Triumfoi kundër njeriut më të njohur në këtë sport, Conor McGregor, i cili mund të jetë një luftëtarët që ka sjellë më shumë fansa në këtë sport.

Nofka e tij është “Shqiponja”, Por ajo që frikëson të gjithë kundërshtarët e tij është “kafshimi i luanit”, kështu e ka quajtur vetë rusi kapjen e tij klasike, falë të cilës ka marrë shumë fitore. Edhe Conor McGregor në ndeshjen që u zhvillua në Las Vegas ra pre e kësaj kapje, të cilës nuk i rezistoi dot dhe u detyrua që të dorëzohej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë