Treg

Numri i kartave bankare këtë vit është rritur me 5.3%

Numri i kartave të lëshuara nga bankat tregtare në Shqipëri arriti në 1 milionë e 332 mijë njësi në fund të tremujorit të tretë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë numri i kartave është rritur me 0.84% krahasuar me një tremujor më parë dhe 5.3% që nga fillimi i këtij viti.

 I shprehur në vlerë absolute, vetëm gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, numri i kartave bankare aktive është shtuar me pothuajse 68 mijë njësi. Kartat bankare dominohen nga kartat e debitit të lidhura me llogaritë rrjedhëse të klientëve, që përbëjnë rreth 86% të numrit të përgjithshëm të tyre. Pjesa e mbetur ndahet mes kartave të kreditit dhe kartave me funksion paraje elektronike.

Paralelisht me rritjen e numrit të kartave, po vazhdon edhe zgjerimi i infrastrukturës së pagesave të lidhur me përdorimin e tyre.

Në fund të shtatorit, numri i bankomateve (ATM) arriti në 802, niveli më i lartë që prej vitit 2016.

Që nga fillimi i këtij viti, numri i ATM-ve aktive është rritur me 10% që nga fillimi i këtij viti ku tashmë, 30% e tyre mundësojnë edhe depozitimin e parave, përveçse tërheqjen e tyre.

Ndërkohë, numri i pikave elektronike të shitjes për pagesa me kartë (POS) në tremujorin e tretë të këtij viti ka arritur nivelin më të lartë historik. Sipas Bankës së Shqipërisë, tashmë bankat kanë aktive 13 350 pajisje POS, me një rritje prej 10% që nga fillimi i vitit.

Rritja e numrit të kartave bankare dhe sidomos e atyre të debitit si një produkt bazik, është një tregues i tërthortë i rritjes së depërtimit të shërbimeve bankare në shoqëri. Anketimet e bankës së Shqipërisë deri në vitin 2018 kanë treguar se vetëm 40% e popullsisë në moshë madhore zotëron një llogari bankare aktive. Për të rritur depërtimin e shërbimeve bankare, Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”.

Kjo llogari do t’iu ofrohet individëve rezidentë nga të gjitha bankat tregtare pa pagesë ose me tarifa të përgjysmuara, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese.

Sipas projektligjit, tarifë e arsyeshme do të konsiderohet tarifa e cila nuk tejkalon 50% të nivelit mesatar të tarifës së aplikuar nga subjekti, për të njëjtat shërbime të ofruara nëpërmjet një llogarie të zakonshme pagesash.

Megjithatë, bankat do të jenë të detyruara t’i ofrojnë shërbimet e pagesave me tarifë zero, për kategoritë që i përkasin grupit të konsumatorëve të cilët përfitojnë nga të drejtat e parashikuara në legjislacionin që rregullon asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë