Taksa

Nuk ka rimëkëmbje ekonomike pa transparencë fiskale

Ndërsa kriza ekonomike e lidhur me pandeminë e Covid-19, po nxit më shumë se kurrë kërkesën për drejtësi sociale, një investigim i ri nga një konsorcium gazetash ndërkombëtare, ka zbuluar “tmerret financiare” të Luksemburgut, një parajsë taksash në zemër të Europës. Ne duhet të ndryshojmë urgjent sistemin ekonomik, dhe ta orientojmë atë drejt drejtësisë sociale dhe rishpërndarjes së të ardhurave.

Le t’ia fillojmë me prioritetet.

E para duhet të jetë ringjallja sociale, ajo e pagave dhe ekologjike. Kriza e Covid-19 ua ka bërë të qartë të gjithëve, se sa të ulëta janë pagat në sektorët më thelbësorë. Konfederata Demokratike Franceze e Punës (CFDT), një sindikatë e konsideruar e moderuar, kërkoi në janar një rritje të menjëhershme prej 15 për qind në të gjitha pagat e nivelit të ulët dhe të mesëm në sektorin e shëndetësisë.

E njëjta gjë duhet të bëhet për arsimin dhe sektorët e tjerë me paga të ulëta. Gjithashtu, ka ardhur koha që të përshpejtojmë seriozisht rikualifikimin energjetik të ndërtesave, për të krijuar sa më shumë vende të reja pune në sektorët mjedisorë dhe të energjisë së rinovueshme, për të zgjeruar sistemin e të ardhurave minimale për të rinjtë dhe studentët.

Por deri sa larg është e ligjshme që të shkohet në këtë punë proces?

Përgjigja është e thjeshtë: për sa kohë që inflacioni dhe normat e interesit janë thuajse zero, ne kemi nevojë të ecim përpara me këtë reformë. Nëse inflacioni do të rritet në nivele më të rëndësishme (për shembull, midis 3-4 për qind në vit për 2 vite rresht), atëherë do të jetë koha që të ngadalësojmë disi hapin me këto masa.

Mjete të dobishme

Hapi i dytë është taksimi i pasurive private për të financuar ringjalljen e shtetit social, dhe për ta zvogëluar borxhin publik. Kjo do të kërkojë një përpjekje shtesë të transparencës financiare. Këtë e dëshmon edhe investigimi i OpenLux.

Regjistri i pronarëve të kompanive, përtej kompanive që veprojnë si mbulesë, të cilin Luksemburgu e ka bërë publik pasi është i detyruar nga Europa (dhe të cilin Franca nuk e ka bërë ende publik në internet), ka shumë defekte.

E njëjta gjë vlen për shkëmbimin automatik të sistemit të informacionit bankar, të ngritur nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).Këto mjete të reja janë të dobishme, por ato duhet të përdoren me synim detyrimin e njerëzve më të pasur që të paguajnë, sidomos ata që deri më tani kanë shmangur taksat.

Mbi të gjitha, është thelbësore që qeveritë të sigurojnë qasje për t’i lejuar cilitdo që të verifikojë rrugëtimin në funksion të një sistemi fiskal më të drejtë. Administratat tatimore duhet të publikojnë të dhëna të hollësishme për taksat e paguara dhe për kontrollet që kryhen çdo vit në kategori të ndryshme tatimpaguesish.

Këto të dhëna duhet të jenë nominale, sidomos për kompanitë dhe pasuritë më të mëdha. Nëse nuk mund të bëhet kjo gjë, të paktën të ketë më shumë transparencë mbi taksat e paguara nga njerëzit më të pasur:pasuritë midis 1 deri në 10 euro, ato midis 10 dhe 100 milion, ato midis 100 milion deri 1 miliard, etj.

Miliarderët shfaqen në të gjitha gazetat, është koha që ata të jenë të pranishëm edhe në statistikat fiskale. Sipas revistës franceze “Challenges”, midis viteve 2010-2020,vlera e 500 pasurive më të mëdha franceze u rrit nga 210 në 730 miliardë euro (pra nga 10 në 30 për qind të PBB-së).

Por si ka ndryshuar taksimi i tyre? Askush nuk e di. Nëse qeveritë kanë bërë vërtetë një progres mahnitës në lidhje me transparencën siç e thonë edhe vetë, është koha që t’ia provojnë këtë gjë publikut.

Nëse marrim në konsideratë jo më ato 500 pasuri (që i tejkalojnë 150 milion euro secila), por 500 mijë të parat (ato që e kalojnë vlerën 1.8 milion euro sipas bazës së të dhënave botërore të pabarazisë), atëherë do të flisnim në total për 2.500 miliardë euro (rreth 120 për qind e PBB-së) dhe rreth 1 për qind e popullsisë së rritur, e cila rrit më tej aksionet në çështjet e taksave.

Për ta zgjidhur këtë situatë, mund të jetë e dobishme të shihet historia. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur borxhi publik ishte më i lartë se sa sot, shumica e vendeve vendosën taksa të jashtëzakonshme mbi pasuritë private. Kjo ndodhi sidomos në Gjermani, me sistemin Lastenausgleich (ndarja e barrës), i miratuar në vitin 1952.

Falë një rritje taksash deri në 50 për qind mbi kompanitë më të mëdha dhe pasuritë e patundshme, ky sistem gjeneroi për shtetin deri në 60 për qind të PBB-së, në një kohë kur miliarderët ishin më pak të pasur se sa sot.

Së bashku me reformën monetare të vitit 1948 dhe anulimin e borxhit të jashtëm në 1953, ky sistem i dha mundësi Gjermanisë që të heqë qafe borxhin e saj të madh publik, pa pasur nevojë që të përdorë inflacionin, dhe duke u mbështetur mbi një synim të besueshëm të drejtësisë sociale. Ka ardhur koha që të kthehemi tek rrënjët e asaj që e bëri një histori suksesi rindërtimin europian të pasluftës.

Burimi: Internazionale. Përshtati Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë