Keshilla

Nuk ju zë gjumi natën nga vapa? Ja disa këshilla si të flini më mirë

Ndërkohë që shumë vende po përjetojnë temperatura të larta, një ndër problemet që krijon vapa është edhe gjumi i keq gjatë natës. Është e vështirë të flesh natën kur është nxehtë. Për këtë, Nerina Ramlakhan, një eksperte gjumi, tregon disa mënyra si mund të bëni gjumë të qetë gjatë temperaturave të larta.

“Temperatura optimale e dhomës së gjumit për të fjetur është midis 16 gradë celsius dhe 21 gradë celcius dhe truri duhet të jetë pak më i freskët se pjesa tjetër e trupit. Një gjumë i mirë është i rëndësishëm për të përpunuar informacionin gjatë gjithë ditës, si dhe për të riparuar dhe ri-ekuilibruar trupin fizikisht dhe mendërisht", thotë Ramlakhan.

Mund t'ju duket e çuditshme, por të fusësh çarçafët apo pizhamet në frigorifer para se të shtriheni është një ide e mirë.

Mund të mbushni një shishe me ujë të ftohtë dhe ta vendosni pak minuta para se të shtriheni tek gjunjët, kyçet, qafa, ijet apo bërrylat. Gjithashtu mund të mbushni një shishe me ujë të freskët dhe ta mbani në shtrat.

Para se të shtriheni lyeni trupin me një krem aloe vera por që ta keni lënë në frigorifer më parë për t'u freskuar.

Mbushni një shishe parfumi të zbrazët me ujë të ftohtë dhe mbajeni atë pranë shtratit tuaj, spërkateni në fytyrë, pjesën e pasme të qafës dhe pjesën e pasme të gjunjëve që të qetësoheni.

Përdorni pizhame pambuku dhe çarçafë të hollë, të pastër, pambuku për shtratin tuaj. Pambuku është materiali ideal për të fjetur në temperaturat e larta.

Sigurohuni që nuk po hani shumë proteina pasi kjo në të vërtetë mund të ngrohë trupin tuaj duke rritur shpejtësinë e metabolizmit.

Hani ushqim pikant, por të paktën tre orë para gjumit pasi mund t’ju ​​bëjë të djersiteni, gjë që e qetëson trupin.

Ushtroni në mëngjes dhe jo në mbrëmje për të ndaluar trupin tuaj të nxehet shumë.

Bëni dush në mbrëmje me ujë të vakët për të ulur temperaturën e trupit. Megjithatë mos bëni dush me ujë të ftohtë pasi trupi juaj do të reagojë ndaj ndryshimit të papritur të temperaturës duke ruajtur nxehtësinë.

Dritaret duhet të jenë të mbyllura gjatë ditës për ta mbajtur shtëpinë më të freskët. E njëjta gjë edhe për perdet.

Fikni të gjitha pajisjet elektrike në dhomën e gjumit pasi ato lëshojnë nxehtësi.

Mbani këmbët tuaja të freskëta, ose duke i mbajtur ato jashtë mbulesave ose duke i mbështetur në diçka të freskët.

Vendosni një tigan me akull përpara një ventilator për të ftohur ajrin.

Pini ujë rregullisht gjatë ditës, por jo shumë gjatë natës. Një gotë ujë para gjumit do të jetë e mjaftueshme për t'ju mbajtur të hidratuar.

Mundohuni të flini vetëm pasi dy trupa=dyfishi i nxehtësisë së trupit.

Ato që nuk flenë dot pa çorape, flini me çorape të freskëta, të lagura ose edhe me një bluzë të lagur.

Shpëlani kyçet dhe këmbët me ujë të ftohtë para se të shtriheni.

Nëse zgjoheni natën, fërkoni një copë akulli në ballë për t'ju ndihmuar të qetësoheni.

Mund dhe të lagni një bluzë dhe ta vendosni në ballë vazhdimisht derisa të qetësoheni.

Burimi: The Independent. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë