Keshilla

Doni të mos sëmureni këtë dimër? Zakonet e pandemisë që duhet të mbahen gjatë

Me rritjen e rasteve të gripit dhe sëmundjeve të tjera sezonale, ekspertët vlerësojnë se cilat masa parandaluese të Covid ia vlen të mbahen dhe cilat të hiqen.

Jemi dy vjet e gjysmë në pandeminë Covid-19 dhe duket se viruse të tjera po rrëmbejnë vëmendjen.

Lajmi i mirë është se vazhdimi i disa prej zakoneve shëndetësore dhe higjienike që i kemi marrë për shkak të Covid-it do të zvogëlojë gjithashtu rrezikun që të merrni sëmundje të tjera, thonë ekspertët.

Larja e duarve

Studimet kanë treguar se numri i njerëzve që pastronin duart ishte i ulët përpara pandemisë.

Ndërsa pandemia bëri që të gjithë të lanin dhe pastronin duar gjatë gjithë kohës.

Kerry Hancock, mjek i përgjithshëm thotë se megjithëse tashmë dihet se Sars-CoV-2 përhapet kryesisht përmes ajrit, higjiena e duarve është "guri themelor" i parandalimit të infeksionit dhe një mënyrë e thjeshtë për të ndërprerë transmetimin e viruseve dhe baktereve të tjera.

“Është një gjë kaq e lehtë për të bërë, të vazhdojmë të lajmë ose dezinfektojmë duart përpara se të hamë ose prekim gjërat edhe pse  mendoj se njerëzit nuk janë aq fanatikë për këtë sa ishin gjashtë muaj më pare”.

Pedagoge Holly Seale, eksperte në perceptimet dhe sjelljet në lidhje me sëmundjet infektive nga Universiteti i Uellsit, vëren se shumica e njerëzve janë mësuar që nga fëmijëria për higjienën në kontekstin e mbrojtjes së tyre por higjiena e duarve shkon në të dyja drejtimet.

Të siguroheni që duart tuaja të jenë të pastra përpara se të shkoni në dyqane apo të merrni ashensorin është sigurisht mbrojtje për veten dhe për të tjerët.

Zakoni që duhet hequr dorë: dorezat

Megjithatë, vendosja e dorezave për t'u mbrojtur nga mikrobet në sipërfaqe, të tilla si karrocat e supermarketeve, është e panevojshme, thotë Seale.

“Njerëzit që veshin doreza kanë më pak gjasa të lajnë duart dhe mund të rrisin rrezikun sepse mendojnë se duart e tyre janë të pastra”.

Vaksinime të rregullta

Seale rekomandon që të gjithë mbi gjashtë muaj të marrin vaksinën e gripit, e cila në vitin 2022 është mbrojtëse ndaj katër llojeve.

Ajo thotë se tani shumë njerëz janë delikatë dhe duhet të bëjnë vaksinën e gripit për tu mbrojtur.

Qëndrimi në shtëpi kur jeni i sëmurë (dhe vendosja e maskës kur nuk mundeni të qëndroni në shtëpi)

“Një nga mësimet më të mëdha të Covid-19 ka qenë rëndësia që ka qëndrimi larg punës dhe ngjarjeve sociale e njerëzve të sëmurë”, thotë Sheena Sullivan, epidemiologe.

Sullivan shpreson që njerëzit të jenë ndërgjegjësuar dhe të vendosin maskë kur janë sëmurë dhe dalin në ambiente me njerëz.

Seale sugjeron që punëdhënësit të ofrojnë maska ​​​​kirurgjikale falas në rast se stafi ka simptoma gripi gjatë punës.

Pastrimi i ajrit

"Ne e dimë se, veçanërisht në sëmundjet e transmetuara nga ajri, ventilimi është kryesor", thotë Hancock.

“Shumë kafene dhe biznese modifikuan ndërtesat e tyre, ndoshta rrëzuan një mur për të pasur më shumë dritare të hapura dhe kjo shpresoj të vazhdojë edhe më gjatë”.

Duhet pasur një plan

Pandemia ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë që njerëzit me sëmundje kronike të kenë një plan për të ndjekur nëse shëndeti i tyre përkeqësohet, thotë Hancock.

“Pacientët e mi me astmë po i përmbaheshin shumë më tepër mjekimeve të tyre parandaluese. Ata po merrnin vërtet mesazhin se nëse astma është nën kontroll dhe së bashku vjen një virus, pa marrë parasysh nëse është Sars-Cov-2 apo ftohje, ka më pak gjasa që të përkeqësohen”.

Është më e vështirë për njerëzit me sëmundje të tjera të mushkërive, të tilla si bronkiti ose sëmundja pulmonare obstruktive kronike (COPD), të kontrollojnë sëmundjen e tyre por të gjithë pacientët me sëmundje kronike të mushkërive duhet të kenë plane veprimi të shkruara, në mënyrë që ata të dinë se si të dallojnë nëse ata po përkeqësohet, nëse duhet të shtojnë ilaçet e tyre ose të fillojnë një mjekim tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë