Sport

Novak Gjokoviç triumfon në Shangai, tani numri 2 në botë

Moment i artë për tenistin serb, Novak Gjokoviç. Pasi fitoi në Uimbëlldon, Sinsinati dhe Us Open, ai ka bërë të vetin për herë të katërt në karrierë edhe "Rolex Shanghai Masters", duke mundur në finale tenistin kroat Borna Çoriç. Ky i fundit kishte eliminuar nga turneu Roxher Federerin. Gjokoviç fitoi 2-0 me sete, 6-3 dhe 6-4. Për “Nolen” është një sukses i dyfishtë, pasi prej së hënës do të kalojë Federerin në klasifikimin ATP dhe do të jetë numri 2 në renditjen botërore.

Novak Gjokoviç

Gjokoviç, i cili e ka çuar në 18 numrin e fitoreve radhazi, ka fituar titullin e 32-të Masters. Tani ai synon të ngjitet në shkallën më të lartë të renditjes botërore, pra të kalojë edhe Rafael Nadalin, të cilin e ka aktualisht 215 pikë përpara. Tenisti serb nuk e ka vënë në asnjë moment në diskutim fitoren në finalen ndaj kroatit Çoriç, që është i 19-ti në renditje dhe që ka pasur edhe një problem muskulor në kofshën e djathtë. Ky është titulli i 72-të në karrierën e Gjokoviç, në 103 finale të luajtura. I katërti në këtë sezon të suksesshëm. E vetmja finale e humbur e serbit në vitin 2018 është ajo e “Queen's”, ku u mposht nga Çiliç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë