Treg

Noti në Shqipëri, treg nën potencial që mbahet veç nga fëmijët

Çmimet e shkollave të notit në botë po ulen, aktorët në treg po rriten ndërsa kostot vijojnë të jenë të larta. Por në Shqipëri këta elementë kanë ngecur në vend e ky treg nën potencial ende nuk ka gjetur hapësirat për t’u zhvilluar ashtu siç duhet.

Nëse kudo nëpër botë mund të gjesh mësime noti dhe pishina të përfshira në shkolla, ky realitet në Shqipëri është ende krejt i largët teksa tregu është akoma në fillimet e tij.

Duke qenë se në Shqipëri mungon infrastruktura, disa nga aktorët në treg që ofrojnë kurse dhe seanca noti pohojnë për GazetaSi.al se të interesuarit po u drejtohen bizneseve private por janë vetëm fëmijët ata që e “mbajnë gjallë këtë treg.”

Biznesi i notit ka nisur të lulëzojë nëntë vitet e fundit, gjë që ka nxitur jo vetëm kapacitetet akomoduese por ka shtuar gjithashtu edhe burimet njerëzore ku janë punësuar e trajnuar shumë profesionistë.

Nobis dhe NSP, aktorë në tregun shqiptar pohojnë se ky treg është i nënvlerësuar dhe ka shumë mundësi për t’u zgjeruar por pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të tyre për të ndërgjegjësuar prindërit për rëndësinë e këtij sporti, kërkesat janë ende të ulëta dhe kulmojnë vetëm gjatë stinës së verës.

Këto qendra tregojnë se fëmijët kanë nisur të frekuentojnë kurset e notit që nga mosha tre vjeçare më së shumti gjatë tre viteve të fundit dhe prindërit shprehen se i regjistrojnë ata jo vetëm për të mësuar notin por edhe për ta kthyer atë në një sport nga i cili nuk do heqin dorë as në të ardhmen.

Enisa, është një mama 30-vjeçare e cila e dërgon rregullisht vajzën e saj 5 vjeçare, Lisën, në kurset e notit.

“Vajza ime e pëlqente shumë ushqimin dhe hante në sasi të mëdha, e ndonjëherë nuk mund ta kontrollonim dot. Dalëngadalë ajo filloi të shtonte shumë në peshë dhe pata frikë se mos do vuante nga obeziteti. Kështuqë e regjistrova menjëherë në një kurs noti këtu në Shqipëri dhe që atëherë jo vetëm që është bërë shumë aktive por e pëlqen shumë notin.”-tregon ajo për gazetën “SI.”

Në Shqipëri kurset e notit ofrohen në disa nivele, ku çdo seancë është 10 mijë lekë të vjetra shqiptare dhe çdo nivel zgjat 6 javë ndërsa për të rriturit dhe njerëzit me probleme shëndetësore kostoja është më e lartë varësisht dhe kërkesave që kanë.

Investimet në pishina kërkojnë një lloj kostoje të lartë dhe ndonjëherë aktorët stepen për faktin se rikuperimi i kësaj kostoje jo gjithmonë realizohet nga tarifat e anëtarësimit të klientëve.

Ambienti për një kurs noti përfshin disa hallka dhe disa aparatura të ndryshme.

Për mirëmbajtjen e një kursi të tillë ekziston forma manuale, kostoja e së cilës varet nga volumi i ujit të pishinës ku përgjithësisht hidhet 1kg klor/100m³ dhe një formë më moderne e cila përdoret sot në pishinat më kryesore, ajo automatike digjitale.

Kjo e dyta kërkon një investim fillestar prej rreth katër mijë euro.

Gjithashtu, në kosto përfshihet licenca fillestare, trajnerët që duhet të jenë të kualifikuar për këtë lloj sporti por edhe hapësirat që u dedikohen dhomave të veshjes, dusheve, banjove etj.

Por veçmas fëmijëve që duhet të angazhohen për të marrë përfitimet e tij që në vegjëli,edhe qytetarët që vuajnë nga probleme shëndetësore të cilët rekomandohen të kryejnë këtë aktivitet fizik, janë shumë të paktë në Shqipëri.

Ermali, një fizioterapist i pavarur që ka klinikën e tij, tregon për Gazetën “Si” se vetëm dy  nga 10 klientë  shkojnë të aktivizohen në kurse noti pavarësisht se e kanë të domosdoshme dhe se ai ua këshillon këtë.

“Nuk e di çfarë ndikon specifikisht. Mbase po të ishte një treg më i përhapur dhe i njohur në Shqipëri edhe klientët nuk do të stepeshin. Është shumë shqetësues fakti që dhe pse e kanë të domosdoshme të shkojnë, sërish nuk e bëjnë.

Unë i kam parë edhe çmimet e kurseve të notit dhe nuk janë shumë të shtrenjta. Duke qenë se përballojnë kushtet e fizioterapisë, një kurs i tillë nuk iu kushton ndonjë gjë shumë.”-tha ai për gazetasi.al

Periudha më e madhe e kërkesave është ajo e pranverës ku në National Park Sport regjistrohen rreth 500 fëmijë nga mosha tre deri në moshën 12 vjeçare por pas sezonit turistik, të rrallë janë ata që e shtrijnë këtë lloj aktiviteti përgjatë gjithë vitit.

“Noti rrit aftësitë respiratore të mushkrive, forcon sistemin kardiovaskular, përmirëson qëndrimin dhe pozicionimin e trupit si dhe ndihmon femijët të kapercejnë frikën dhe të kenë besim tek vetja duke i bërë atë të jenë të pavarur.”-shkruan Europe Active duke shtuar se njerëzit duhet të bëjnë not përgjatë gjithë vitit.

Në botë, sipas FPP, një faqe europiane që ka në fokus tregjet e aktiviteteve sportive, qarkullimi i këtij sektori është rritur me më shumë se 35% vitet e fundit duke kaluar vlerën e 2.5miliardë eurove.

Ndërsa qeveria britanike do të financojë me kosto shtesë mësimet e notit për fëmijët, në Shqipëri një gjë e tillë në shkolla jo vetëm që është larg por edhe bizneset private nuk ia dalin të tërheqin mjaftueshëm klientë për zhvillimin e tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë