Kampionati italian në sezonet e fundit na ka treguar se mund të jetë një fabrikë e vërtetë në prodhimin e sulmueseve të talentuar. Futbollisti i radhës që ka mahnitur klubet italiane, por edhe ato europiane, quhet Krzysztof Piatek. Polaku Piatek është vetëm 23 vjeç dhe këtë sezon me paraqitjet e tij tek Genoa ka bërë për vete të gjithë klubet kryesore të Serie A.
6 golat e tij në 5 ndeshjet e para në kampionat kanë tërhequr vëmendjen e skuadrave të mëdha italiane me në krye Juventus që gjithmonë është e vëmendshme ndaj talenteve që shpërthejnë në Itali. Me sulmues si Ronaldo, Icardi, Higuain, Dybala apo Dzeko është pak e vështirë të besohet se lista e golashënuesve të Serie A për këto javë të para të udhëhiqet nga Krzysztof Piatek. Sulmuesi polak është i vetmi në pesë kampionatet kryesore europiane që ka kapur numrin dyshifror sa i përket realizimeve në këtë fillimsezoni.
23-vjeçari kaloi këtë sezon nga Cracovia Kraków te Genoa, por duket se nuk do jetë e gjatë aventura e tij me fanellën kuqeblu. Juventus është e para që duket se ka shprehur interesimin për ta ndjekur ecurinë e polakut. Por torinezët nuk janë vetëm në këtë garë, pasi edhe Inter, Milan apo Napoli gjithashtu po ndjekin me vëmendje ecurinë e Piatek.
Por jo vetëm kaq, pasi për Piatek ka pasur skuadra të interesuara edhe në Premier League dhe Bundesliga. Megjithatë, Juventus mbetet favorit për të marrë 23-vjeçarin nëse do të hapet një ankand në verë. Me këtë formë që po tregon në këto javë të para, nuk duhet të çuditemi nëse Piatek do të jetë një nga emrat më të lakuar të merkatos së verës së ardhshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.