Politike

Njihet si kryetar i PD, por jo edhe si drejtues i grupit/ Gjykata pezullon statutin e 2 shtatorit të Bashës (Bardhi ende kryetar i deputetëve)

Gjykata e Tiranës ka vendosur të hënën pezullimin e çështjes për regjistrimin e statutit të dalë nga Kuvendi i 2 shtatorit drejtuar nga Lulzim Basha.  Gjykata ka pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi se pa u zgjidhur konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 Dhjetorit, nuk mund të zhvillohet dhe të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar i mëpasshëm apo statut i ndryshuar.

Për pasojë statuti i dalë në 2 Shtator, përmes të cilit, Lulzim Basha është edhe kryetar i Grupit Parlamentar nuk është njohur ende zyrtarisht nga gjykata, sa kohe që cështja është pezulluar.

Përfaqësuesit ligjor të Bashës tha se vendimi i gjykatës nuk sjell asnjë lëvizje te re dhe se statuti mbetet në fuqi për organizimin e brendshëm të partisë.

Por përfaqësuesi i Gazment Bardhit, Marash Logu, tha për mediat se kryetari i grupit parlamentar Basha nuk mund të njihet nga Kuvendi si i tillë dhe as të mandatojë njeri tjetër  sa kohe që nuk është i regjistruar zyrtarisht. “Ëndrra e Lulzim Bashës për t’u bërë kryetar i grupit parlamentar të PD, kundër vullnetit të demokratëve, do vazhdojë të qëndrojë e mbyllur në sirtarin e Lindita Nikollës”, tha Logu, përfaqësuesi i Bardhit.

Që do të thotë se pas këtij vendimi  Gazment Bardhi me dokumente njihet ende  kryetar i grupit

Ndërkohë Basha vijon të njihet si kryetar i PD-së sa kohë që për drejtimin e PD nuk ka pasur ndryshime në regjistrin për partitë politike në gjykatë, aty ku ai ende vijon të jetë kryetar.

“Partia do të funksionojë në bazë të statutit të 2 shtatorit. Regjistrimi në gjykatë është çështje formale. Gjyqi nuk ka lidhje me kryetarin.

Kërkesa që është adresuar në gjykatë është regjistrimi i ndryshimeve të statutit të 2 shtatorit.

Gjyqi nuk ka lidhje me kryetarin e partisë por vetëm me atë që është statuti në fuqi i PD", tha Indrit Sefa, perfaqesuesi ligjor i Bashes.

Grupi i deputetëve të mandatuar nga Këshilli Kombëtar i thirrur nga  Gazment Bardhi është njohur si palë nga Gjykata e Tiranës, duke përfaqësuar në gjykim Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Ata kanë kërkuar nga gjykata pezullimim e çështjes, kërkesë që është pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë