Ekspozite

Njeriu që fotografoi Picaso-n. Gjon Mili i kthehet Korçës

Një nëntor me veprimtari kushtuar fotografit me famë botërore, që e çoi imazhin e mbërthyer në celuloid në një nivel krejt të ri, thuajse sublim, në Korçën e fëmijërisë së largët… Një ekspozitë në nder të tij ka mbledhur njëzet fotografë nga Ballkani, që në teknikën bardhezi kanë sjellë çaste dhe aromë nga jeta e rrugëve në rajonin, ndoshta më dinamik në botë.

Alfred Hitchcock, fotografuar nga Gjon Mili 


Një ngjarje që flet se edhe sot, Gjon Mili mbetet revolucionar i artit të fotografisë, me ithtarët e tij. “Ditët e Fotografisë Gjon Mili”, është ekspozita homazh për veprën e Milit, në qytetin ku u lind e nga i cili u largua në moshën 5-vjeçare, për t’u vendosur së pari në Rumani e më pas në Francë e Shtete të Bashkuara të Amerikës, ku për shumë vite bashkëpunoi me revistën LIFE, ndërsa lentja e tij mbërtheu esencën – ndoshta të pa shfaqur më parë – të artistëve si Pablo Picasso ndërsa pikturon me dritë, regjisorin e famshëm Alfred Hitchcock, kompozitorin Stravinski, dramaturgun Sean O’Kejsi, piktorin Brak, pianistin Rubinstein, dramaturgun Jonesko, violonçelistin dhe dirigjentin Kazals, piktorin Matis, këngëtaren Zhyljet Greko, aktoren Helen Vajgel, këngëtarët Frank Sinatra dhe Pol Robson e shumë të tjerë. Në vitin 1946, kur në Paris u çel ekspozita e tij vetjake, filozofi Jean Paul Sartre do të shkruante “Mili iu vë tërësisht në grackë, në fotografitë e tij gjendeni në luftë me vetveten - si i zënë në kurth”.

Ekspozita "Ditët e Fotografisë Gjon Mili" Muzeu i Arsimit, Korçë


Mikpritës i kësaj ekspozite, që do të qëndrojë e hapur për dhjetë ditë, ishte Muzeu i Arsimit Kombëtar , në muret e të cilit u ekspozuan tridhjetë fotografi. Sa të ndryshme nga syri vëzhgues i artistëve aq edhe të ngjashme në shpirtin dallues të Ballkanit të trazuar. Drejtori artistik i ekspozitës, Burim Myftiu e sheh këtë ekspozitë si një bashkim të gadishullit, nga ku janë ndezur jo pak luftëra “Të gjithë popujt e Ballkanit luftën nuk e duan, duan bashkimin. Më mirë se ç’mund ti bashkojë arti, se politika e ka treguar që nuk e bashkon dot.”
Fotografitë kanë për qëllim të evokojnë punën e Gjon Milit dhe trashëgiminë që ua la brezave. Edhe kuratori i ekspozitës, Osman Demiri e sheh të tillë. “ Janë, në fakt tridhjetë dëshmi se Gjon Mili na ka lënë një dëshmi të fortë me fotografinë edhe më botën.”

Foto nga Rozafa Shpuza, e paraqitur në skepozitë

Fotografja shqiptare, Rozafa Shpuza, pjesëmarrëse në këtë ekspozitë, e pa këtë ekspozitë si privilegj. “Ishte emocion dhe privilegj për mua të isha pjesë e kësaj ekspozite, që shënoi një arritje për sa i përket vlerave artistike. Kishte fotografë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Boshje- Hercegovina, Greqia, Bullgaria e të gjithë së bashku “mikpritën” muzën e kësaj ekspozite, shqiptarin që na bëri të famshëm në botë, Gjon Milin, i cili shpresoj shumë se “u ndie krenar” për pasardhësit e tij”, thotë Shpuza, ndërsa shton se Artistë fotografë nga Ballkani u tubuan me fotografitë e tyre bardhezi për të përcjellë shpresë, dhimbje, lutje, dashuri, frymë personazhesh të fiksuara nga aparatet fotografike, bash aty ku jeta rrjedh natyrshëm, pa truke e zbukurime false. Fotografja mendon se jehona e Milit, të cilin e quan gjeni të fotografisë, mbërriti më e fortë se kurrë në vendlindjen e tij, Korçë, dhe “u shpërnda prajshëm, si një bekim, te 30 fotografitë e ekspozitës “Jeta në rrugët e Ballkanit”, që u hap këtë të shtunë në Muzeun e Arsimit, Korçë”, përfundon ajo.


Por nuk do të jetë vetëm ekspozita ajo që nderon korçarin me famë botërore. Së shpejti do të ketë një muze kushtuar Gjon Milit dhe një pjesë të punëvë të tij, që i shtohet atraksioneve kulturore të Korçës, përkarh muzeve si ai i Artit Mesjetar, i artit oriental “Bratko” apo shtëpisë-muze të piktorit Vangjush Mio. Këtë e bëri të ditur kryebashkiaku i Korçës,
Sotiraq Filo. Gjatë karrierës së tij, Gjon Mili kuptoi rëndësinë e ndriçimit të objektit apo subjektit që fotografohet. Pasi u diplomua në prestigjiozin Institut Teknologjik të Masaçusetsit, si inxhinier ndriçimi, më pas do të bëhej pionier i shpikjes së dritës stroboskopike dhe fleshit elektronik, nga profesori Harold Edgerton, me të cilin bashkëpunoi gjatë.

Mili, bashkë me studimet dhe eksperimentet në fushë të teknikes, vazhdoi të fotografonte, duke u dalluar përherë e më shumë edhe në lëmin artistik. Fotografitë e tij me ekspozim ultra të shkurtër, përbëjnë një nga dukuritë më interesante të lidhjes së shkencës me artin. Gjon Mili është marrë edhe me kinematografi, duke realizuar gjashtë filma dokumentarë, ndërsa fotografia e tij u shtri pothuaj në të gjitha zhanret, nga portreti te peizazhi, reklama, foto dokumentare, politike, atë të arteve sportive dhe eksperimentale. Jo vetëm në artet pamore, Gjon Mili gjithashtu shkroi gjatë jetës së tij tre novela – “Larg”, “Ëndërr” dhe “Nëna”, të cilat u botuan në revistën “Studenti shqiptar” , të Odhise Paskalit, në Torino, në vitin 1929.
Gjatë gjithë jetës mbeti amerikan me origjinë shqiptare, duke e shkruar emrin e tij “Gjon” si në gjuhën shqipe. Mili u nda nga jeta më 14 shkurt të 1984-ës, në Stamford, Konektikat.
Stacioni i radhës së kësaj ekspozite, në nder të Gjon Milit, do të jetë kryeqyteti e më pas do të udhëtojë edhe në disa vende të tjera të Ballkanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë