Financa Personale

Njerëzit më të lumtur në botë kërkojnë rrugën drejt inteligjencës financiare

Njerëzit më të gëzuar të Tokës do të marrin ndihmë në administrimin e financave të tyre. Në Finlandë, vend i cili sapo kryesoi Indeksin e Lumturisë Botërore të Kombeve të Bashkuara, banka qëndrore po harton një strategji të arsimimit financiar për qytetarët. Ideja, e konceptuar në një vend që tashmë e tejkalon pjesën më të madhe të vëndeve të zhvilluara përsa i përket kualitetit të arsimimit, është të kuptojmë nëse pak më shumë njohuri financiare do t'i ndihmojnë finlandezët të marrin hua më pak.

Borxhi familjar finlandez është dyfishuar në dy dekadat e kaluara kundrejt një sfondi të rënies së normave të interesit dhe vjetërsimit gradual të parave cash si një formë pagese. Populli i Finlandës, shtëpia e ndërmarrjeve me famë si Nokia dhe Rovio e Angry Birds, është i njohur për më shumë njohuri teknologjike se shumica e vëndeve të tjera. Por gatishmëria e tyre për të pranuar pagesa dixhitale mbi paranë cash ka përkuar gjithashtu me më pak disiplinë në zakonet e tyre të shpenzimeve.

Tani, një rekord prej 7% e 5.5 milion qytetarëve të Finlandës nuk mund të paguajnë faturat e tyre (e fatura që datojnë prej 3 vitesh më parë). Vitet e fundit, autoritetet kanë ngritur alarmin në veçanti për rritjen e kredisë konsumatore.

Të mos kesh aftësinë për të kryer pagesa

Juha Pantzar, drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Guarantee”, i cili ndihmon njerëzit me nivele të larta borxhi të rimarrin kontrollin e financave të tyre, thotë se fakti që "paraja cash është zhdukur" ka krijuar një realitet të ri që është "duke errësuar te njerëzit ndjenjësine e të paturit dhe të menaxhimit të duhur të parave".

"Shumë njerëz kanë vështirësi për të vlerësuar se ku shpenzohen paratë e tyre, sa do të kenë lënë në fund të muajit, dhe sa mund të përballojnë për të marrë hua" tha ai.

Rreth njëzet vite më parë, paratë cash përdoreshin në 70% të transaksioneve të pagesave në dyqane, e përqindja e mbetur realizohej përmes kartave të debitit apo kreditit. Tani, ato shifra janë shkëmbyer: kartat, celularët dhe mënyrat e tjera dixhitale të pagesës janë përdorur në më shumë se 80% të kohës në 2018, sipas të dhënave të përpiluara nga banka qendrore.

Olli Rehn, guvernatori i Bankës së Finlandës, thotë, "Konsumatorët kanë lëvizur kryesisht në një botë dixhitale kur bëhet fjalë për pagesa. Njerëzit nuk kanë më kufizime të tilla fizike të buxhetit siç kanë bërë më parë, dhe kjo e bën më të vështirë për njerëzit të menaxhojnë financat e tyre".

Kjo është ajo ku banka qëndrore shpreson të bëjë një ndryshim. Hapi i parë i saj do të jetë përpilimi i të dhënave dhe praktikave më të mira nga organizatat që tashmë punojnë në këtë fushë në një përpjekje për të rritur punën e tyre dhe për të siguruar që të gjitha grupet në shoqëri po marrin ndihmë adekuate. Pastaj, ai do të përcaktojë objektiva kombëtare për njohuritë financiare dhe do të punojë me ofruesit e palëve të treta për të koordinuar përfundimin e planit kombëtar. (Banka qendrore është ende duke punuar në detajet e programit.)

Huamarrja e shpeshtë

Finlanda tashmë ka eksploruar mënyra të tjera për të ulur borxhin e familjeve. Rregullatori financiar ka vënë norma interesi tavan për kreditë hipotekore që zëjnë 85% të çmimit të blerjes së një prone, dhe planifikon për kufizime të mëtejshme që momentalisht po punohen në Ministrinë e Financave.

Deri në vitin 2023, qeveria dëshiron të ketë një regjistër kredie me të dhëna për huamarrjen e të gjithë qytetarëve për të ndihmuar huadhënësit të vlerësojnë nëse duhet të japin një kredi të re. Rregullat për kredinë e konsumatorit u shtrënguan gjatë vjeshtës së kaluar.

Autoritetet finlandeze janë të shqetësuara për koston njerëzore të borxhit, i cili, në raste ekstreme, madje mund të rezultojë në mënjanimin e punonjësve nga tregu i punës, pasi punëdhënësit shmangin punëtorët me histori krediti të dobët, dhe për shkak se njerëzit që kanë ngarkesa masive të borxhit gjejnë pak përfitime nga puna.

Në parlamentin e Finlandës, ekziston një konsensus i gjerë se mbajtja e konsumatorëve sa më të informuar për rreziqet e borxhit është thelbësore. Plani gjithashtu ka mbështetjen e sektorit financiar.

"Askush nuk duhet të mësojë të menaxhojë financat e tij duke provuar dhe gabuar," tha Piia-Noora Kauppi, drejtoresha menaxhuese e “Finland Finance”, e cila përfaqëson industrinë. "Këto aftësi duhet të mësohen në shkollë shumë më tepër dhe shumë më herët."

E siç iu shkon për gjasë finlandezëve, ata po eksplorojnë shtigje të teknologjisë së lartë për t’i edukuar qytetarët se si t'i përdorin paratë e tyre. Në të ardhmen, mjetet e reja të ndërtuara në bazë të algoritmeve të mësimit të makinerive (machine learning) do të ndihmojnë në parashikimin e sjelljes financiare të njerëzve dhe të bëjnë parashikime personale të fluksit monetar, si dhe t'u japin këshilla konsumatorëve për shpenzimet e tyre.

Por kleçka këtu është se "njerëzit duhet të jenë të gatshëm dhe të motivuar t'i përdorin ato mjete" tha Kauppi. "Nëse nuk doni të përballeni me realitetin tuaj financiar e të mësoni prej tij, atëherë asnjë nga këto mjete teknologjike nuk do t'ju ndihmojë."

Burimi: Bloomberg


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë