Ne rrjet

Një vit qeverisje Haradinaj, mes telashesh e skandalesh

I konsideruar nga ndërkombëtarët si i “forti” i Kosovës, Ramush Haradinaj, erdhi si sot një vit më parë në krye të qeverisë si “atdhetari”që do ta çonte përpara shtetin e vogël ballkanik. Kreu i AAK-së u zgjodh për herë të dytë si kryeministër falë koalicionit të partisë së tij me Partinë Demokratike të Kosovës, Nismës për Kosovën, por edhe Aleancës Kosova e Re, Listës Serbe dhe partitë e tjera të minoriteteve.

Edhe pse erdhi në pushtet me premtime të mëdha, qeveria Haradinaj është përballur me një sërë telashesh e skandalesh, që kanë penguar miratimin dhe realizimin e një sërë reformash jetësore për Kosovën. Megjithatë analistët në Prishtinë shprehen në përgjithësi optimistë për qeverisjen e ish-komandantit të UÇK-së, duke deklaruar se si ka arritur të fuqizojë demokracinë dhe të forcojë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Analisti, Astrit Gashi shprehet se gjatë këtij viti, demokracia në vend ka ecur prapa. Si suksese të Haradinajt ai përmend Ligjin për Prishtinën, Ligji për Pagat, si dhe përfundimi i procesit të Demarkacionit dhe avancimit në procesin për liberalizimin e vizave. Por Zekirja Shabani, një tjetër analist  i njohur, shprehet se pothuajse të gjitha reformat ekonomike të kryeministrit Haradinaj  kanë dështuar.

“Nuk është se ka pasur ndonjë arritje të madhe ekonomike gjatë këtij viti qeverisje. Edhe pse janë marrë vendime ekonomike, ato kanë qenë në disfavor të zhvillimit ekonomik. Qeverisja do të mbahet mend edhe për shpronësimet në Hade dhe Shipitullë, pra për vendime të ngutshme ekonomike që nuk japin shpresë se do të gjenerojnë rritje ekonomike, dhe do të krijojnë një ambient më të mirë për biznesin në vend”, thotë Shabani. Ndërkohë, Arton Demhasaj  përfaqësues nga Organizata Çohu shprehet se gjatë këtij viti qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka pasur shumë skandale e pak punë. Por cilat janë disa nga skandalet që trazuan parlamentin e Kosovës?

Në fillim të mandatit të tij, Haradinaj mori një vendim të papritur duke vendosur të anulojë votimin për anëtarësimin në Kosovës në Interpol, duke deklaruar se Kina, vendi mikpritës i Asamblesë së Përgjithshme të Interpol-it, ka shfaqur hezitime për të lejuar pjesëmarrjen e delegacionit të Prishtinës në këtë Asamble. Kjo tërheqje e Haradinajt ishte kritikuar ashpër edhe nga ekspertë të sigurisë, sipas të cilëve Kosova nuk duhet te tërhiqej nga aplikimi në Interpool.

Por një nga telashet më të mëdha të Haradinaj, do të ishte marrëveshja me Malin e Zi. Dikur një nga kundërshtarët më të mëdhenj të demarkacionit me Malin e Zi, një nga kriteret e fundit për liberalizimin e vizave, Haradinaj miratimin ratifikimin e saj duke shkaktuar përplasje të ashpra me partitë e opozitës dhe me disa nga partitë e koalicionit. Sa ishte në opozitë, kryeministri deklaronte vazhdimisht se me këtë marrëveshje, Kosova humb 8200 hektarë tokë.  Por marrjes së “timonit” të qeverisë, Haradinaj u detyrua të kalonte marrëveshjen, duke ftuar deputetët e të gjitha partive parlamentare, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, që ta kuptonin rëndësinë  e këtij pakti. Kuvendi i Kosovës është mbledhur këtë vit në katër seanca plenare për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, por marrëveshja kaloi vetëm pas një takimi disa orësh mes Haradinaj dhe Thaçit.

Sikur të mos të mjaftonte kjo, qeveria e Kosovës vazhdon të ketë një numër të paprecedentë ministrish, duke lënë pas edhe shumë nga vendet e mëdha europiane. Sipas shumë përfaqësuesve të shoqërisë civile, një numër kaq i lartë i anëtarëve të kabinetit konsiderohet luks i panevojshëm dhe sjell shpenzime të mëdha për buxheti e varfër të  vendit. Ata shprehen se ky numër i kabinetit qeveritar është krijuar për shkak të përmbushjes së kërkesave të partive të shumta që ka koalicioni aktual. Numri i madh i ministrive me të njëjtat përgjegjësi ka bërë që buxheti i shtetit të mbingarkohet dhe të shpenzohen miliona euro duke paguar staf për secilin ministër, zëvendësministër dhe zëvendëskryeministër. Në vazhdën e këtyre skandaleve, erdhi vendimi i kryeministrit për t’i rritur rrogën vetës, me argumentin se nuk kishte para që të blinte kollare apo kostume për takimet zyrtare.

Sfidat që e presin Haradinaj

Në mandatin katër vjeçar si Kryeministër, Haradinaj e presin një sërë vështirësish, sidomos për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës. Ramush Haradinaj, ka qenë një nga kundërshtarët më të mëdhenj të tezës së hedhur nga Presidenti Hashim Thaçi, për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, duke deklaruar se ndryshimi i kufijve të Kosovës mund të bëhet vetëm me luftë dhe çështja e vetme që mund të diskutohet me Beogradin është njohja reciproke.  Pas një takimi me “armikun e tij më të madh politik” Presidentin Thaçi , Haradinaj ka bërë një paralajmërim të fortë në përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ku shprehet se ndryshimi i kufijve do të ishte një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, pasi çon në destabilizim dhe pasiguri në rajon. Shefi i ekzekutivit të Kosovës ka deklaruar do të qëndrojë i palëkundur kundër idesë së hedhur nga Thaçi dhe u bën thirrje ndërkombëtarëve që të kundërshtojnë rishikimin e kufijve.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes”, shprehet Haradinaj.

Megjithatë përpjekja e tij më e madhe për të penguar presidentin dhe të për të përcaktuar anëtarët e grupit negociator me Serbinë ka dështuar. Opozita e udhëhequr nga Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mungoi në të dyja seancat. LDK dhe Vetëvendosje njëzëri thonë se qëllimi i grupit negociator është i dyshimtë.

Në këto kushte, Haradinaj duket se do të ketë pak ndikim në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, e cila mund të përfundojë edhe me ndarjen e Kosovës. Edhe pse është shprehur se kufijtë do të ndryshojnë vetëm me pushkë, analistët në Prishtinë besojnë se Haradinaj do ta jetë i pafuqishëm përballë një pakti të dëmshëm me Beogradin, veçantërisht nëse ai merr bekimin e BE-së dhe SHBA-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë