Ekonomi

Një truk i thjeshtë për të zhdukur varfërinë…

Një botë pa varfëri dikur do të dukej si një fantazi. Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, ajo mezi mund të imagjinohej. Rreth vitit 1800, kur më shumë se 8 nga 10 njerëz jetonin në mjerim, Thomas Malthus, një ekonomist tejet pesimist, këmbëngulte se ishte një ligj i hekurt që “disa qenie njerëzore duhet të vuajnë nga mungesa”.

Herbert Spencer, po aq i zymtë e përshkroi varfërinë si “mbijetesë e më të fortit”. Ky pesimizëm nuk ishte i kufizuar vetëm te anglezë të tillë. Ideja se varfëria mund të zhdukej mezi shfaqet në shkrime para mesit të shekullit XX. Edhe Jezu Krishti, në tre nga Ungjijtë, u thotë ndjekësve se të varfrit do të jenë gjithmonë mes tyre.

Në prag të mijëvjeçarit të fundit, bota vendosi ta provojë gjithsesi. 189 shtetet anëtare të OKB-së, vendosën një objektiv: të përgjysmonin deri në vitin 2015 përqindjen e njerëzve që jetonin me më pak se 1.25 dollarë në ditë, krahasuar me vitin 1990. Çuditërisht, duke parë madhësinë e sfidës, objektivi jo vetëm u arrit, por u tejkalua: 1.2 miliardë njerëz dolën nga varfëria në ato 25 vite, duke ulur normën globale nga 43% në 13% (sipas pragut të sotëm të varfërisë). Rritja ekonomike bëri pothuajse gjithë punën. Një Kinë në bum ekonomik përbënte rreth dy të tretat e këtij përmirësimi; India dhe Indonezia kontribuan në pjesën tjetër. Dukej sikur mrekullitë e rritjes do ta çonin varfërinë në të kaluarën.

Mrekullitë janë të vështira për t’u përsëritur

Që nga viti 2015, ritmi i uljes së varfërisë është ngadalësuar ndjeshëm, në rreth një të katërtën e ritmit të mëparshëm. Rreth 1 në 10 njerëz në botë, ose 830 milionë, jetojnë ende në mjerim sot.

Strategjia e vjetër, dhënia e ndihmës me shpresën se do të nxisë rritjen ka zhgënjyer, jo pak sepse receta për këtë rritje mbetet e paqartë. Për më tepër, varfëria tani është përqendruar në vende ku rritja është më e vështirë dhe popullsia po rritet shpejt. Rreth shtatë në dhjetë nga të varfrit e botës ndodhen në Afrikën nën-Sahariane; vetëm Kongo, Etiopia dhe Nigeria përbëjnë një të katërtën e totalit.

Nëse normat aktuale vazhdojnë, rritja e shpejtë e popullsisë mund të bëjë që këto tre vende të përmbajnë më shumë se dy të pestat e më të varfërve të botës deri në vitin 2050. A do të dalë në fund me të drejtë Malthus?

Jo domosdoshmërisht, sepse ekziston një mënyrë më e thjeshtë për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme. Në vend që të përpiqesh ta bësh Kongon si Kinën, ideja është të mbyllet hendeku mes asaj që njerëzit kanë dhe asaj që u nevojitet. Në parim, kjo do të thotë t’u jepet njerëzve të varfër mjaftueshëm para për t’i nxjerrë mbi pragun e varfërisë: nëse dikush jeton me 2 dollarë në ditë dhe pragu është 3, i duhet edhe 1 dollar. Me informacion të përsosur, kostoja e kësaj do të ishte çuditërisht e ulët dhe në rënie. Sipas dollarëve të sotëm, ajo ka rënë nga 330 miliardë dollarë në vit në 1990 në 90 miliardë në 2023.

Një problem është se askush nuk e di saktësisht kush është nën pragun e varfërisë dhe sa i mungon. Një zgjidhje do të ishte një të ardhur bazë universale pagesa për të gjithë, pavarësisht të ardhurave. Nëse zbatohet në vendet e varfra në nivelin 2.15 dollarë në ditë, kjo do të kushtonte 2–3% të PBB-së globale çdo vit.

Në praktikë, qeveritë përpiqen të ulin kostot duke e drejtuar ndihmën te më nevojtarët. Shumica e mbi 130 vendeve me programe transfertash cash përdorin “teste të të ardhurave të përafërta”, duke u bazuar në tregues të thjeshtë si materiali i shtëpisë apo distanca nga tregjet për të vlerësuar kush është i varfër. Kjo është e lirë dhe e zbatueshme në shkallë, por me shumë mangësi. Në një studim në nëntë vende afrikane, këto metoda lanë jashtë deri në katër të pestat e atyre nën pragun e varfërisë dhe, njëkohësisht, përfshinë gabimisht rreth gjysmën e atyre mbi të.

Prandaj, eliminimi i varfërisë ekstreme varet nga identifikimi i saktë i nevojave të secilit. Një studim i fundit nga Roshni Sahoo i Stanford University dhe bashkëautorët propozon një mënyrë për ta bërë këtë. Duke përdorur të dhëna nga 23 vende, ata simuluan një situatë me informacion të kufizuar dhe pyetën si duhet të shpërndahen transfertat për të ulur varfërinë sa më shumë. Në vend që të përpiqet të parashikojë kush është i varfër, metoda përdor një algoritëm të inteligjencës artificiale për të caktuar shuma të ndryshme për çdo individ, me qëllim minimizimin e mundësisë që dikush të mbetet në varfëri pas ndihmës. Pra, synon hendekun e varfërisë, jo thjesht pragun.

Rezultati është një faturë çuditërisht e ulët.

Vlerësimet tregojnë se do të duheshin rreth 318 miliardë dollarë në vit për të ulur varfërinë globale në 1% sipas pragut 2.15 dollarë në ditë rreth 0.3% e PBB-së globale edhe me informacion jo të përsosur. Edhe me pragun më të ri prej 3 dollarësh në ditë, kostoja rritet vetëm në 466 miliardë dollarë, ose rreth 0.5% e PBB-së globale. Kjo është më pak se një e treta e asaj që bota shpenzon për alkool çdo vit dhe shumë më pak se subvencionet bujqësore në vendet e pasura.

Ta bëjmë varfërinë histori

Natyrisht, këto vlerësime përfshijnë thjeshtime të mëdha. Shumë nga vendet më të varfra nuk mund të shpërndajnë ndihma në mënyrë të besueshme, sidomos në zona lufte. Flukset e mëdha ndërkufitare të parave mund të shtrembërojnë stimujt dhe të ndikojnë në kursin e këmbimit, ndërsa programet e synuara dobët mund të shkaktojnë pakënaqësi, si në Indonezi, ku rregullat e paqarta kanë nxitur protesta. Për më tepër, kostoja nuk është fikse: krizat e ushqimit dhe energjisë, si ato të shkaktuara nga luftërat në Ukraine dhe së fundmi Iran, mund të rrisin shpejt numrin e të varfërve.

Megjithatë, asgjë nga këto nuk është e pakapërcyeshme. Siç vuri në dukje dikur Alfred Marshall, një figurë themelore e ekonomisë moderne, zhdukja e varfërisë është më pak një problem ekonomik sesa një çështje e “aftësive morale dhe politike të natyrës njerëzore”. Ai gjithashtu theksoi se instinktet fisnike mund të nxiten nga faktet.

Një studim nga Abhijit Banerjee, Esther Duflo dhe Michael Greenstone i Universitetit të Chicago-s sugjeron këtë: rreth 60% e njerëzve në vendet e pasura thonë se do të pranonin të jepnin 0.5% të të ardhurave të tyre nëse kjo do të mjaftonte për të zhdukur varfërinë ekstreme. Mrekullitë e rritjes janë të vështira. Vendosja e një çmimi për zbutjen e varfërisë është më e lehtë dhe mund të mjaftojë për të nxitur veprimin./TheEconomist


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë