Shkencë

Një tjetër person është shëruar ‘natyrshëm’ nga HIV

Shkencëtarët kanë identifikuar personin e dytë që shpëtoi nga HIV-i pa një trajtim specifik mjekësor, sipas një artikulli të botuar të hënën në revistën “Annals of Internal Medicine”. Pacientja, është një grua që jeton në Argjentinë dhe është diagnostikuar me virusin e mungesës së imunitetit njerëzor në vitin 2013.

Që nga viti 2017, një ekip ndërkombëtar studiuesish shqyrtuan ADN-në e pacientes në kërkim të gjurmëve të virusit. Ata madje kontrolluan placentën e saj pasi ajo lindi në mars të vitit 2020. Pas renditjes së shumë analizave, shkencëtarët kanë konfirmuar se gruaja është pa HIV. Mjekësia moderne ka bërë të mundur që shumë njerëz të jetojnë duke e kontrolluar virusin, por ata zakonisht kërkojnë terapi të qëndrueshme antiretrovirale për të parandaluar riprodhimin e virusit.

Pacientja është personi i katërt në botë që është shëruar nga HIV deri më tani. Megjithatë, dy prej tyre të quajtur nga ekspertët "pacienti i Berlinit" dhe "pacienti i Londrës" u shëruan pas transplantimit të qelizave staminale, një procedurë e rrezikshme që shkencëtarët janë përpjekur ta përsërisin me pacientë të tjerë, por pa sukses.
Vetëm një herë më parë shkencëtarët kanë gjetur një rast të konfirmuar të një personi që ka pastruar plotësisht virusin nga sistemi i tyre. Në vitin 2020, shkencëtarët ndanë një raport për Loreen Willenburg - ose "pacienten e San Franciskos", siç e quajtën mjekët e cila ishte rasti i parë i njohur i një kure sterilizuese pa ndërhyrje mjekësore.

Willenburg dhe pacienti pa emër në Argjentinë njihen si "kontrolluesit elitë", një nëngrup i vogël i pacientëve me HIV, sistemi imunitar i të cilëve e ka shtypur natyrshëm virusin.
Sipas shkencëtarëve pacientja argjentinase njihet si "pacientja e Esperanza" sepse ajo është nga qyteti i Esperanza - që përkthehet si "shpresa" në spanjisht. Ajo ka një vajzë, e cila është pa HIV dhe është në pritje të një fëmije të dytë me partnerin e saj.
“Vetëm duke menduar se gjendja ime mund të ndihmojë në arritjen e një kure për këtë virus, më bën të ndjej një përgjegjësi dhe angazhim të madh për ta bërë këtë realitet”, ka thënë pacientja.
Burimi:Bussines Insider/Përshtati:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë