Mendim

Një propozim: Të dhënat personale edhe mund të tregtohen

Tashmë është normale për qytetarët e San Diegos të Kalifornisë, falë ligjit të mbrojtjes të dhënave që hyri në fuqi në 1 janar të 2020-s, që në rast se abuzohet me të dhënat e tyre elektronike personale, ata të dëmshpërblehen. Ligjet e mëparshme nuk i konsideronin të dhënat e individëve (ato që ne japim kur regjistrohemi për të blerë një produkt online apo për të marrë një shërbim) si pronësi të tyre.
Ky ndryshim në mentalitet dhe në ligj u rrit riskun financiar kompanive që merren me të dhënat e rezidentëve. Kjo gjithashtu përforcon ligjet e reja të privatësisë që mund të dalin.
“Statuti i ri ligjor thotë se nëse ju jeni viktimë e një shkeljeje të të dhënave personale, ju duhet të dëmshpërbleheni për dëmet që ju janë shkaktuar”, u shpre Kathy Delaney Winger, një avokate me qendër në Tucson të Arizonës. “Ky përbën një ekspozim të madh risku për kompanitë”, shton ajo.
Qeveria e Kalifornisë ka thënë se përgatitja për ligjin e ri pritet t'u kushtojë bizneseve rreth 55 miliardë dollarë. Madje, me shumë mundësi, firmat e vogla do të jenë ato që do të hasin më shumë vështirësi në adoptimin e këtij ligji.
Akti i Privatësisë të Konsumatorëve në Kaliforni u jep të drejtë rezidentëve që të dinë se çfarë të dhënash personale kompanitë e ndryshme mbledhin si dhe të zgjedhin nëse dëshirojnë që të dhënat e tyre të ndahen më pas me palë të treta apo të shiten.
“Rregullorja e Përgjithshme e Bashkimit Europian për Mbrojtjen e të Dhënave dhe ligjet e fundit në Indi, si dhe në shumë vende të tjera, reflektojnë një mendim të ngjashëm”, pohoi në simpozium Lily Li, një avokate e privatësisë dhe sigurisë kibernetike si dhe themeluese e firmës “Metaverse Law” me bazë në Irvine të Kalifornisë.
Ky ndryshim, sipas Ëinger, mund t’i shtyjë ligjvënësit që t’i detyrojnë kompanitë t’u vendosin një vlerë financiare të dhënave të konsumatorëve si dhe mbase ta bëjë me pagesë përdorimin e tyre. Nëse kjo pikë arrihet, sipas avokates Winger, atëherë do të kemi të bëjmë dhe me një impakt brenda pasqyrave financiare të kompanive.
“Drejtuesit e departamenteve të sigurisë kibernetike në kompani të ndryshme, mund të kenë autoritetin për t’i shtyrë eprorët në miratimin e buxheteve të projekteve lidhur me kibernetikën, duke u shpjeguar pasojat financiare të shkeljeve të Aktit të Privatësisë për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave”, thotë Juliet Okafor, shefe ekzekutive e firmës së këshillimit mbi mbrojtjen e të dhënave “RevolutionCyber”. “Risku kibernetik është shumë i gjerë, por propozimet e ndryshme lidhur me atë çfarë mbulon ligji mund t’i ndihmojë kompanitë në vlerësimin e riskut ndaj të cilit kompanitë ekspozohen”, shton Okafor. /WSJ


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë