Shkencë

Pajisja e re analizon automatikisht ëndrrat: Ato janë veçse vazhdim i jetës së përditshme

A jeni zgjuar ndonjëherë nga një ëndërr që nuk kishte kuptim dhe pyesni veten se për çfarë bëhej fjalë?
Një ekip studiues pretendojnë se ëndrra që keni përjetuar është vetëm një vazhdim i asaj që po ndodh në jetën tuaj të përditshme, pa ndonjë kuptim më të thellë ose të fshehur. Ekspertët nga laboratori "Nokia Bell" në Kembrixh krijuan një teknikë që mund të analizojë automatikisht ëndrrat dhe t’i përcaktojë ato. Sipas asaj që shkencëtarët e gjumit e quajnë "hipotezë e vazhdimësisë", ëndrrat tona pasqyrojnë atë që ne përjetojmë në jetën tonë reale dhe sistemi i ri vërteton teorinë.
Për shkak se ëndrrat tona pasqyrojnë çdo ditë jetën, autorët thonë se mund të jetë e mundur të ndërtohet një mjet që mund të ndihmojë në diagnostikimin dhe trajtimin e shëndetit mendor.
Duke përdorur "Dreamcatcher", ekipi arriti të studiojë mbi 20,000 raporte të ëndrrave dhe zbuloi se ajo që ne ëndërrojmë është vazhdim i asaj që ndodh në jetën e përditshme.
Ata gjetën një mënyrë për të vendosur automatikisht ëndrrat në një shkallë që zakonisht përdoret nga ekspertët e gjumit të quajtur sistemi "Hall and Van de Castle".

Gjatë shekullit të dytë pas Krishtit, Artemidorus Daldianus shkruajti një vepër të titulluar “Interpretimi i ëndrrave”
Në vitet 1890, Sigmund Freud tregoi kuptime specifike për personazhet, objektet, kafshët dhe skenarët që shfaqeshin shpesh në ëndrra.
Kohët e fundit, shkencëtarët e gjumit kanë zhvilluar mënyra gjithnjë e më të sofistikuara të kodifikimit të ëndrrave, me më shumë se 150 shkallë vlerësimi të ëndrrave dhe analiza në dispozicion sot, duke përfshirë sistemin më të mirë të vlerësuar “Hall and Van de Castle”.
Ky sistem e sheh një ëndërr si kast personazhesh, një proces në të cilin personazhet ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe që pasqyron gjendje të ndryshme. Problemi është se ky është një proces që kërkon shumë kohë dhe kufizon numrin e ëndrrave që mund të kodohen. Sistemi i ri i zhvilluar nga ekipi i Kembrixhit u vendos për të zgjidhur atë problem duke gjetur një mënyrë për të përpunuar gjuhën që përshkruan ëndrrat automatikisht.
Nga secili raport i ëndrrave, sistemi nxorri emra për të identifikuar njerëzit, kafshët dhe personazhet e trilluar dhe klasifikoi ndërveprimet në aspektin e bashkëveprimeve miqësore ose veprimeve të agresionit.
Rezultatet tregojnë se është e mundur që në të ardhmen të krijohet diçka që lidh përfundimisht botën reale me ëndrrat.

Ndërkohë, "Hall and Van de Castle" është më afër perfektes deri tani.
"Ne vlerësuam efektivitetin e sistemit në raport me librat dhe ato që të tjerët kanë thënë për ëndrrat dhe dolëm në përfundimin se ‘hipoteza e vazhdimësisë’ është e duhura", thanë studiuesit nga ekipi i Kembrixh. Në kontekstin terapeutik, qëllimi kryesor i analizës së ëndrrave është të ndihmojë njerëzit të adresojnë problemet e tyre të jetës reale dhe ekipi thotë se mjeti i tyre mund të përdoret për të ndihmuar njerëzit të identifikojnë gjendjet emocionale të fshehura dhe për të ndihmuar njerëzit të përballen me ngjarje të rëndësishme të jetës.
"Për ata që vuajnë nga makthi, interpretimi i ëndrrave dhe ndikimi i tyre janë mënyra për të trajtuar pjesërisht gjendjen e tyre,"shpjeguan autorët.
Autorët mbështesin idenë se ekziston një vazhdimësi midis asaj që përjetojmë në jetën reale dhe asaj që ëndërrojmë.
Gjithashtu, autorët zbuluan se njerëzit e verbër, të cilët pritej të ëndërronin në mënyra të ngjashme me gjithë të tjerët, kishin prirje të ëndërronin personazhe imagjinarë.
Nuk dihet se kur do ta kemi mes nesh një mjet që analizon ëndrrat tona apo nëse do jetë në formën e aplikacionit por e presim me padurim.
Burimi:DailyMail. Përktheu: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë