Shkencë

Një mënyrë e re për të trajtuar osteoartritin: Implant që stimulon rritjen e kërcit në gjymtyrë

Një implant që bllokon pjesën e brendshme të nyjës së gjurit për të stimuluar rritjen e kërcit, mund të jetë një mënyrë e re për të trajtuar oste artritin.
Shkencëtarët në Universitetin e Connecticut në SHBA kanë zhvilluar një pjesë metalike që gjeneron sasi të vogla elektriciteti për të nxitur rritjen e kërcit, indit që vepron si një amortizator mes gjymtyrëve dhe ndalon fërkimin e tyre.
Këto impulse të vogla elektrike, të lëshuara nga implanti vihen në punë kur nyja e gjurit lëviz. Kërci artikular, një substancë e lëmuar dhe e rrëshqitshme, mbulon skajet e kockave ku ato takohen në nyje dhe vepron si një amortizator. Por me kalimin e kohës, kjo lënë reduktohet duke rezultuar në fërkim të kockave e rrjedhimisht krijon dhimbje.
Trajtimi varion nga qetësuesit e dhimbjeve për të lehtësuar shqetësimin, te fizioterapia dhe mbajtëset e gjurit që mbështesin dhe forcojnë muskujt rreth kyçit. Studiuesit në Universitetin e Connecticut kanë zbuluar se nivelet e ulëta të energjisë elektrike mund të ndihmojnë në nxitjen e rritjes së qelizave të reja të kërcit.


Implanti është i bërë nga një material i biodegradueshëm, acidi Poly-L-laktik (ose PLLA), një lloj plastik. Kjo ka një veti, të quajtur piezo-elektricitet, që do të thotë se prodhon energji kur përthyhet. Kështu kur gjymtyrët lëvizin implanti atëherë do të gjenerojë energji.

Studimet mbi kafshët treguan se pas një deri në dy muaj kur implanti të largohet natyralisht, individët do të kenë një kërc të fortë. Sipas studimit të publikuar në revistën “Science Translational Medicine”, ka pasur pak ose aspak individë me kërc të dëmtuar. Së shpejti janë planifikuar provat klinike te njerëzit.
Mike McNicholas, një kirurg ortopedik konsulent në Spitalet Universitare të Liverpulit, tha se piezoelektriciteti është zbuluar se është tepër i përhapur në indet e trupit, e është i pranishëm në disa nga molekulat e blloqeve ndërtuese të trupit, siç është kolagjeni.
“Rezultatet e këtij studimi janë shumë mbresëlënëse. Do të jetë interesante të shihet nëse ato janë të riprodhueshme te njeriu. Zhvillimi i këtij implanti të ri terapeutik për të rivendosur vëllimin e kërcit dhe për të mbushur defektet mund të jetë një fitore në betejën kundër artritit”, shtoi ai.
Stimulimi elektrik njihet si një mënyrë për të ndihmuar kockat e thyera të shërohen më shpejt dhe ka qenë në përdorim klinik për vite me radhë.
Burimi: Daily Mail/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë