Sport

Një mbret 21-vjeçar në Londër, Zverev triumf ndaj Gjokoviç

Aleksandër Zverev ka fituar “Atp Finals” në Londër. Në finalen e turneut, ai ka përsëritur atë që bëri ndaj Roxher Federer në gjysmëfinale, mundi 2-0 (6-4, 6-3) me sete edhe numrin 1 në botë, serbin Novak Gjokoviç. Ndeshja zgjati një orë e 21 minuta, ku pas një nisjeje të ekuilibruar, Gjokoviç nuk arriti ta përballonte rivalin që shkëlqeu me formën e tij. Në fund, Zverev ka festuar fitoren më të rëndësishme në karrierën e tij.

Në momentet e para të ndeshjes, Zverev u shfaq shumë i emocionuar dhe kjo bëri që të gabonte në disa raste, por ia doli të mbrohej mirë, kur kishte radhën e shërbimit, duke treguar gjithë forcën e tij. Edhe Gjokoviç ishte efikas në shërbimet e tij, duke e vënë në vështirësi kundërshtarin, por vuajti më pas, kur rezultati ishte 4-4 në setin e parë. Tenisti serb i dha të drejtën për të fituar setin gjermanit, i cili, në entuziazëm e sipër, realizoi tre shërbime radhazi të suksesshme dhe e mbylli setin e parë 6-4. Vuajtje për Gjokoviç edhe në fillim të setit të dytë, ku pasi ia doli të “shpëtonte” dy herë, u gjend sërish në vështirësi, pasi kundërshtari ishte shumë afër fitores. Por Zverev, “viktimë” e përvojës së paktë, pasi është vetëm 21 vjeç, papritur i bëri një “dhuratë” Gjokoviçit, duke gabuar katër herë radhazi, dy herë me faulle të dyfishtë.

Zverev, i shtrirë në fushë, pas triumfit ndaj Gjokoviçit

Problemi i Gjokoviçit me gjuajtjet e drejta i dha mundësinë e një tjetër shansi për ta fituar ndeshjen Zverevit. Serbi pati një reagim në gejmin e pestë, duke e lënë kundërshtarin me 0 pikë, por dy gabime të tjera të pafalshme në gjuajtjet e drejta bënë që rezultati të shkojë 4-2 në favor të gjermanit. Numri 1 në botë nuk kishte më forcën për ta ndryshuar fatin e ndeshjes dhe në gejmin e 9-të u dorëzua ndaj Zverev, “mbretit” më të ri të Londrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë