Taksa

Një ligj për start up-et. Si u hiqen taksat dhe si penalizohen

Një projektligj i përgatitur nga Ministria e Financave për startup-et në Shqipëri parashikon të rregullojë ligjërisht marrëdhëniet e këtyre bizneseve pilot me shtetin dhe mes njëri-tjetrit, pasi deria tani ka patur vakum.

Projektligji synon të nxisë krijimin e start up-eve në vend, por ka parashikuar edhe sanksione nëse thyejnë rregullat.

Projektligji  përjashton nga taksat vendore si tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, taksën vendore mbi pasurinë e paluajtshme, si dhe taksa vendore e tabelës. Kjo, për ato startup-e të certifikuara dhe të regjistruara në regjistrin tregtar. Po ashtu, gjatë periudhës së inkubimit përfitojnë grante financiare apo programe dhe masa mbështetëse.

Projektligji parashikon gjithashtu për të gjithë këto biznese të reja eksperimentale, t'u shërbehet me konsulencë falas; inkubim, mentorim dhe mbështetje të projekteve – idesë nga lehtësuesit e certifikuar.

Por, ai parashikon edhe penalitete për ata që nuk zbatojnë rregullat.

Ata që nuk raportojnë periodikisht sipas parashikimeve ligjore dhe marrëveshjes së zbatimit, penalizohen me gjobë në vlerën 50,000 lekë;

Mos zbatimi i projekt – idesë së certifikuar sipas parashikimeve ligjore dhe marrëveshjes së zbatimit penalziohet me gjobë në vlerën 20,000 lekë.

Kurse ndryshimi thelbësor i plan biznesit pa miratimin e Bordit të Vlerësimit të Start up-ve Inovative gjobitet  me 500,000 lekë.

Paraqitja e informacioneve të rreme përgjatë aplikimit dhe periudhës së monitorimit gjobitet me 1,000,000 lekë.

Ndërsa shkelja e dispozitave ligjore mbi të drejtën e autorit, pronësinë intelektuale dhe industriale, gjobitet me 1,000,000 lekë.

Shpërdorimi apo keqpërdorimi i fondeve, në ndryshim nga plan biznesi i miratuar sanksionohet me gjobë  prej 1,000,000 lekësh;

Shpërndarja e dividendit, shpërblimeve apo formave të tjera të fitimit, përgjatë periudhës së inkubimit, nëse përfiton masa mbështetëse, në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji gjobitet me  një vlerë 1,000,000 lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë