Trend

Një kuzhinier që nuk mund të nuhasë? Covid-19 nxiti zgjidhje krijuese

Gjëja e parë që Tom Ramsey, shef kuzhine dhe somelier në Neë Orleans, provoi pasi humbi përkohësisht aftësinë e tij për të shijuar dhe nuhatur ishte një tabaka me ushqim në spital. Për të, ai ishte një vakt sublim.

"Unë ende nuk mund të nuhasja asgjë por ushqimi më shijoi shumë. Ishte një supë me mish derri dhe oriz. Kjo më bëri të kem një vlerësim tjetër për shijen", tha Ramsey, 55 vjeç.

Ramsey është kuzhinier dhe somelir edhe gjëja më e keqe që mund ti ndodhë është që të humbë shijen dhe nuhatjen.

Shef Tom Ramsey, djathtas

Disa kuzhinierë dhe somelierë që kanë pasur probleme me shijen dhe nuhatjen për shkak të Covid-19 po gjejnë mënyra të reja për të “ringjallur” shqisat e tyre.

"Për të rifituar nuhatjen unë vazhdimisht u marr erë gjërave dhe jam gjithmonë në kërkim të erërave siç janë rozmarina apo dhe shafrani i Indisë", thotë Ramsey.

Ramsey, i cili ende nuk është shëruar plotësisht, po punon për ide të reja për recetat e restoranteve nga shtëpia, me një kuzhinier të përkohshëm që po e zëvendëson. Ai thotë se përqendrohet gjithashtu në kujtimet e erërave të fëmijërisë së tij.

"Duke u rritur në Delta e Misisipit, unë mund të vë re erën specifike kur era fryn shumë dhe kuptohet se do të ketë stuhi. Janë aroma specifike që çdo njeri i vë re nëse ka vëmendjen aty”, thotë ai.

“Që nga fillimi i pandemisë, mjekët kanë thënë që rreth 80% e pacientëve përjetojnë anosmi, një humbje të përkohshme të nuhatjes. Shumica e pacientëve e rikuperojnë nuhatjen e tyre brenda një ose dy javësh. Por një grup më i vogël e humbin nuhatjen e tyre për shumë më gjatë, dhe kur kthehet, disa prej tyre kanë parosmi, një gjendje në të cilën ushqimet e tyre të preferuara dhe aromat e njohura kanë ndryshuar”, thonë mjekët dhe studiuesit.

Dëshira ishte e madhe për një gotë verë, një muaj pasi u rikuperua nga Covid-19 për Susann Crunden, një someliere dhe menaxhere e një restoranti në Seattle. Më në fund e piu një gotë, mbas 35 ditësh që nuk kishte shije dhe nuhatje. Gjithçka që ndjeu ishte një lëng, pa shije.

Crunden, 37 vjeçe, tregon se kur ishte e re, ishte personi i parë që vinte re një erë, të mirë apo të keqe.

Pasi zbuloi se e kishte humbur shijen, ajo u trishtua por sidoqoftë vazhdonte të hante duke menduar se në një moment do të shijonte diçka.

“E përsërita atë zakon për javë të tëra dhe kam provuar shumë gjëra për të fituar shijen e nuhatjen si për shembull, agrume të djegura, spec djegës, nenexhik”, tha Crunden.

Për Julia Hinojosa Ham, një ish-someliere, gjithçka post-Covid shijonte si "të lëpinte letrën e bardhë". Ajo humbi shijen dhe nuhatjen plotësisht.

"Për një muaj të mirë hëngra çdo gjë të nxehtë", tha ajo.

Braithe Tidwell, një someliere humbi shijen dhe nuhatjen për shkak të Covid-19 dhe tani ka fituar 75% të shijes dhe nuhatjes. Ajo po planifikon që kur të shërohet plotësisht të përdorë cdo gjë në shije të fortë pasi kështu mendon se do të mbajë gjithmonë “zgjuar” shqisat.

Deri atëherë, ajo mbështetet në memorien e saj për aromat.

Burimi: Wall Street Journal. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë