Ne rrjet

Një kroate do të pasojë Johannes Hahn në portofolin e Zgjerimit në BE?

Kroacia duket se do të udhëheqë e negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për katër vitet e ardhshme. Burime për “European Western Blakans” në Bruksel, bëjnë të ditur se kroatja Dubravka Šuica do të emërohet si Komisionerja e ardhshme e Zgjerimit në Komisionin e ri Europian.

Edhe pse lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht, zgjedhja e saj ka të ngjarë të vijë si rezultat i një lufte të brendshme, pasi shumë vende anëtare nuk duan që ky portofol të merret në dore nga Hungaria, e cila po lobon fuqishëm që komisionari i saj të pasojë Johannes Hahn. Austriaku do të vazhdojë të jetë pjesë e KE-së, por do të marrë një portofol të ndryshëm.

Šuica u emërua nga Qeveria e Kroacisë si një nga 27 anëtarët e Komisionit të ri Europian. Por lajmi prietet të konfirmohet të martën, kur Ursula von der Leyen pritet të zbulojë listën e komisionerëve të saj. Komisioni do të miratohet nga Parlamenti Europian dhe me pas do të marrë mandatin e tij në 1 nëntor 2019.

Suica është anëtare e partisë Bashkimit Demokratik (HDZ) që nga viti 1990. Ajo ka qenë po ashtu për dy mandate radhazi kryebashkiake e Dubrovnikut nga 2001 deri në 2009. Ajo ka shërbyer po ashtu si nënkryetare e HDZ.

Dubravka Šuica, Gazeta Si, 9 shtator 2019

Që nga hyrja e Kroacisë në Bashkimin Evropian në 2013, Šuica ka qenë anëtare e Parlamentit Evropian, ku i përket grupit të Partisë Popullore Europiane. Ajo u bë nënkryetare e grupit PPE-së pas zgjedhjeve të vitit 2019.

Që nga viti 2014, Šuica është anëtare e Komisionit të Parlamentit Evropian për Çështjet e Jashtme (AFET). Ajo ishte gjithashtu nënkryetare e këtij komisioni nga viti 2016 deri në 2019, si dhe anëtare e Delegacionit të PE për marrëdhëniet me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kosovën.

Edhe pse shprehet vazhdimisht pro anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, veçanërisht për Bosnjë dhe Hercegovinën, Šuica ka thënë disa herë se është joreale që Serbia të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2025.

Gjatë një vizite në maj të këtij viti në Beograd, Šuica deklaroi Serbia duhet të paraqesë një listë të personave të zhdukur dhe të kthejë trashëgiminë kulturore nga lufta e viteve 1990, si dhe të sigurojë që pakica kombëtare kroate në Serbi të ketë të njëjtin nivel të të drejtave si pakica serbe në Kroaci.

Dubravka Šuica, Gazeta Si, 9 shtator 2019

Ndërkohë përsa i përket Shqipërisë dy vite më parë, Šuica do t’i niste një letër Komisionit Evropian duke ngritur shqëtësimin për menaxhimin e mbeturinave nga qytetet shqiptare që përfundojnë në detet kroate.

"Fatkeqësisht, është e njëjta gjë çdo vit. Tone me mbeturinave vijnë nga Adriatiku jugor. Nga etiketat e tyre kemi vërejtur se ato vijnë nga Mali i Zi, Shqipëria, Greqia dhe madje edhe nga Turqia. Disa nga këto vende janë anëtare të BE-së, disa janë vende kandidate. Në mos Komisioni, Agjencia e Mjedisit, ose BE-ja, duhet të ndërhyjë. Unë mendoj se mbeturinat nuk menaxhohen mire nga vende si Shqipëria dhe Greqia dhe kjo është arsyeja pse unë kërkova vetëdijen e publikut”, do të shprehej ajo.

Përmendja e emrit të saj ishte një suprizë për shumë ekspertë, pasi gjatë gjithë verës është spekuluar se Sllovenia dhe Hungaria mund të ishin ato që do të merrnin ne dorë portofolin e Zgjerimit.

Të dyja këto vendeve janë mbështetëse të forta të zgjerimit, por shqetësimi i vërtetë është nëse Komisioneri i ardhëm do të mbështesë jo vetëm integrimin ekonomik dhe politik, por edhe atë ideologjik të Ballkanit Perëndimor.

Victor Orban dhe Angela Merkel , Gazeta Si, 9 gusht 2019

Hungaria propozoi László Trócsányi, ish-Ministrin e Drejtësisë dhe anëtarin aktual të Parlamentit Europian. Ai nuk nguroi të shprehte interes për t’u bërë Komisioneri i ardhshëm Europian për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit.
Por ekspertët janë të bindur se zgjedhja e një Komisioneri nga Hungaria për të udhëhequr negociatat e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor do të ishte një ide e keqe.

Koordinatori i Grupit Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Evropë, Florian Bieber, beson se edhe pse ka një sërë kandidatësh profesionistë nga Hungaria që mund të merren me portofolin e zgjerimit, sinjal i zgjedhjes së një komisioneri hungarez do të ishte fatale për Ballkanin Perëndimor.

“Do të ishte një kujtesë e vazhdueshme për vendet më skeptike ndaj zgjerimit, si Franca dhe Holanda, për erozionin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Për më tepër të gjitha vendet anëtare do të ishin të vetëdijshme se zgjerimi është në duar të këqija” thotë Bieber.
Ai thekson se edhe pse Hungaria mund të mbështesë fuqishëm zgjerimin, qëllimi kryesor i saj është të dobësojë BE-në me qeveritë e tjera jo liberale. Profesori Bieber thekson se zgjedha e Hungarisë për portofolin e zgjerimit do të forcojë kundërshtimin e vendeve skeptikëve dhe mbi të gjitha, ajo do të forcojë qeveritë autoritare në rajon.

“Një vend që po pret dhe po i jep azil ish-kryeministrit maqedonas të akuzuar për abuzim serioz me detyrën nuk është në gjendje të promovojë sundimin e ligjit,” thotë Bieber.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë