Futboll

Një korçar në Baku, Sabien Lilaj rrëfen jetën në Azerbajxhan

Ç’bën një korçar në Azerbajxhan? Dikush mund të mendojë menjëherë se ka shkuar për biznes. Jo, ka shkuar për të luajtur futboll. Sabien Lilaj la Skënderbeun në verë dhe firmosi për Gabalan në Azerbajxhan, pas ofertës bindëse të kësaj skuadre dhe ambicies për të luajtur në një kampionat të huaj, me kushte më të mira ekonomike dhe profesionale. Pas 5 titujsh me Skënderbeun, lojtari i shpallur dy herë më i miri i sezonit në Shqipëri, kërkonte stimuj të rinj dhe fati i rezervoi kalimin në Azerbajxhan. Më parë ka veshur fanellën e Tiranës dhe Lokomotivës së Zagrebit.

Mesfushori i Kombëtares është një nga titullarët më të rëndësishëm të Gabalës, që mban vendin e pestë në kampionatin azer. Në një intervistë ekskluzive për Gazeta Si, 29-vjeçari ka rrëfyer gjithçka rreth aventurës në Azerbajxhan, jetës futbollistike dhe asaj jashtë fushës së blertë, vështirësive të para dhe ambientimin me vendin e pasur, që ka të veçantat e tij. Lilaj flet edhe për Kombëtaren dhe kampionatin shqiptar.    

Sabien Lilaj me vëllanë e tij dhe një shok ekipi në Baku

Si është jeta e Lilajt në Azerbajxhan?

Jeta ime tani është normalizuar disi, sepse kanë kaluar 6 muajt e parë dhe jam mësuar me gjithçka këtu. Fillimi ishte pak i vështirë, sepse temperaturat ishin shumë të larta, plus diferenca e orës. Këtu jemi 3 orë para Shqipërisë, por me kalimin e kohës u ambientova.

Çfarë është më shumë problem për ju në atë vend?

Vështirësi nuk kam pasur shumë, sepse Bakuja është si një qytet i zakonshëm europian. I vetmi problem është gjuha, sepse jo çdokush flet anglisht. Përparësi si gjuhë kanë rusishtja dhe turqishtja, për shkak të historisë në të kaluarën.

Ju mungon Korça dhe Shqipëria?

Sigurisht që më mungojnë. Nuk ka vend tjetër në botë, ku mund të ndihesh më mirë se në vendin tënd, aq më shumë Korça, që është qyteti i vendlindjes time.

Mund të na flisni pak për qytetin ku jetoni? Çfarë ka të veçantë? Koha e lirë që ju mbetet, ku e harxhoni?

Jetoj në kryeqytetin e Azerbajxhanit, në Baku. Eshtë një qytet i madh, me 4 milionë banorë, shumë i zhvilluar dhe nuk mungon asnjë gjë. Një ndër gjërat e shumta të veçanta është se këtu zhvillohet gara e Formula 1, por për këtë nuk ka një pistë të veçantë. Ajo zhvillohet në qendër të qytetit. Koha e lirë është e kufizuar, për shkak të angazhimeve me futbollin, por atë pak kohë që më mbetet mundohem ta kaloj pranë familjes ose me shokët e ekipit.

Sabien Lilaj me prindërit dhe të fejuarën

Keni mësuar diçka nga gjuha vendëse, ushqimi, kultura? A ka diçka që ju tërheq më shumë?

Gjuha është e ngjashme me turqishten dhe kam mësuar pak fjalë. Ndërsa ushqimi nuk ngjet me ushqimin tonë, por ka restorante me menu europiane. Kultura? Në këtë drejtim njohuritë i kam të kufizuara, për shkak të angazhimit në stërvitje dhe mosnjohjes së gjuhës.

Çfarë diferencash ka kampionati në Azerbajxhan me atë shqiptar, në pagesa dhe elementë të tjerë?

Futbolli këtu është i zhvilluar dhe po punohet për zhvillimin e mëtejshëm të tij. Infrastrukturën e kanë shumë të mirë. Te gjitha ekipet kanë stadiume dhe fusha stërvitore shumë të mira. Kuptohet, duke qenë një vend i pasur, i kanë mundësitë ekonomike për të pasur këtë nivel. Për këtë arsye edhe pagesat e futbollistëve janë më të mira se në kampionatin shqiptar. Diferencat midis futbollit këtu dhe në Shqipëri janë infrastruktura dhe pagesa e futbollistëve.

Me Ansi Agollin takoheni?

Sigurisht që takohemi, sa herë që na jepet mundësia, kur kemi kohë të lirë, sepse si unë edhe ai, jemi të angazhuar me ekipet tona përkatëse.

Sabien Lilaj me fanellën e Gabalas

Si po ecën skuadra juaj dhe a mendon se do të vazhdosh gjatë të luash në Azerbajxhan?

Gabala nuk e nisi mirë kampionatin, por po rritemi javë pas jave. Për momentin ndihem shumë mirë këtu. Situata sa vjen dhe përmirësohet për mua. Për të ardhmen, “të rrojmë dhe të shikojmë”...

Sabien Lilaj me fanellën e Kombëtares

Kalojmë te Kombëtarja, që po kalon një moment të vështirë. Pse, sipas jush?

Vajtja e Shqipërisë në Europian i ka rritur shumë pritshmëritë e publikut. Por për momentin kemi një ndryshim brezash dhe kuptohet që rezultatet nuk vijnë menjëherë. Arsye tjetër ka qenë mungesa e lojtarëve të dëmtuar. Asnjëherë grupi nuk ka qenë i plotë dhe për një ekip si Shqipëria kjo gjë ndikon. Por me kalimin e kohës mendoj se rezultatet do të vijnë.

Flisni me ish-shokë skuadre nga kampionati shqiptar?

Patjetër që flas, sidomos me ata që kam pasur afrimitet më shumë. Gjashtë vitet e suksesshme te Skënderbeu kanë bërë që të krijohen marrëdhënie shumë të mira me shokët e ekipit, stafin dhe me tifozët.

Cili ekip mendon se e fiton titullin këtë sezon në Superiore?

Duke parë rezultatet e arritura deri tani, mendoj se pretendentët kryesorë do të jenë Skënderbeu dhe Partizani. Kuptohet, zemra ma do të fitojë Skënderbeu, të vazhdojë traditën e bukur të krijuar gjatë këtyre viteve. Më vjen keq për Tiranën, që ka zhvilluar lojëra të mira, por nuk ka marrë atë që meriton.

Sabien Lilaj, kur luante me Skënderbeun

Intervistoi: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë