Ngjarje

Një fije shprese për viktimat e përdhunimit në Kosovë

Një projekt i ri synon të ofrojë mbështetje mjekësore dhe psikologjike, të mbijetuarve nga dhunimi dhe përdhunimi në Kosovë, shumë prej të cilëve, prej një kohe shumë të gjatë ende nuk kanë marrë ndihmë.
“Duhet të kalonte një kohë e gjatë përpara se të mbijetuarit e përdhunimeve në luftën e Kosovës të gjejnë shërim,” thotë Mirlinda Sada, kryetare e organizatës joqeveritare Medica Gjakova.
Kjo organizatë ka ofruar mbështetje shëndetësore dhe ekonomike për të paktën 2000 viktima të dhunës seksuale dhe në qytetin e Gjakovës, së shpejti do të filloje një projekt ndërkombëtar që ofron mbështetje edhe për të dhunuar në vende të tjera. Projekti, i cili do të vijë në bashkëpunim me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, do të ofrojë shërbime psikologjike dhe shëndetësore për viktimat. Ky projekt po drejtohet pikërisht nga organizata dhe financohet nga qeveria gjermane, duke u implementuar edhe në vende të tjera përveç Kosovës, si Bosnja dhe Hercegovina, Iraku dhe Afganistani.
“Objektet shëndetësore të përfshira në projekt tani kanë filluar të institucionalizojnë shërbimet shëndetësore të ndjeshme ndaj stresit dhe traumës për gratë dhe vajzat e prekura nga dhuna seksuale” shpjegoi Sada.

Mirlinda Sada, kryetare e organizatës jo fitimprurëse Medica Gjakova

Ajo beson se projekti do të kontribuojë në ngritjen e standardeve ndërkombëtare kur bëhet fjalë për "përmirësimin e qasjes në këto shërbime në krizë dhe në vendet pas konfliktit". Megjithëse nuk ekzistojnë statistika gjithëpërfshirëse për përdhunimin si një mjet lufte, vlerësimet e tanishme tregojnë se ky fenomen ka ndodhur në një shkallë masive rreth Kosovës në fund të viteve 1990 dhe përfshinte mijëra gra.
Shumica e tyre, nuk kanë folur kurrë rreth historive të tyre dhe duke qenë se ato janë perceptuar si "negative” në shoqërinë patriarkale të Kosovës, ka bërë që ato të vetëvriten. Vetëm disa kanë pasur guximin të flasin e për rrjellojë kanë marrë shërbimin e terapive psikologjike nga profesionalistë.
“Gjithashtu, një numër i këtyre viktimave vdiqën si pasojë e dhunës në familje, në emër të nderit,” është shkruar në një raport të KOB në vitin 2016, për gjendjen e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë.
Gjatë vitit të kaluar, qeveria e Kosovës filloi një proces verifikimi që lejon të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës të marrin statusin e viktimës dhe të kërkojnë pensionin mujor që i’u është caktuar.

Projekti pilot do të kryhet në të gjithë vendin.
Sada thotë se fillimisht do të jetë një staf prej 16 mjekësh , që do të merren me këto raste, me pas ato do të diskutojnë informacionet e marra edhe me 100 mjekë të tjerë. Projekti tashmë ka filluar në dy komuna të Kosovës, siç është Gjakova dhe Prizreni, por së shpejti do të përfshijë të gjithë sistemin e shëndetit publik në Kosovë.
Sada shpjegon se 60 përqind e stafit të përzgjedhur janë gra dhe gjithashtu përveç mjekëve do të krijohet edhe një grup drejtues që do të monitorojë procesin.
“Projekti synon të përmirësoje jetën dhe mundësitë e grave që kanë përjetuar dhunë seksuale, kështu që do të përqendrohemi fillimisht në aspektin shëndetësor,”shton Sada
Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Klinike Universitare, Basra Sejdi, tha se projekti do të forcojë aftësitë profesionale të stafit mjekësor në sektorin publik dhe do të bëjë të mundur që të mbijetuarit e luftës nga dhuna seksuale dhe të tjerët të marrin shërbime më të mira.
"Ne synojmë të përfshijmë stafin tonë sa më shumë që të jetë e mundur. Kjo është një mënyrë tjetër për t'u ofruar viktimave ndihmën e duhur mjekësore. Ky lloj shërbimi është i nevojshëm për viktimat në të gjitha kategoritë, "tha Sejdiu.
Sada shprehet se lufta e vitit 1998-1999 kishte prekur gjithashtu, edhe fëmijët e atyre që vuajnë nga stresi post-traumatik. Ajo tha se programe të tilla tashmë po i ndihmojnë viktimat të kapërcejnë traumat e tyre.
“Ne shohim që ato po ndryshojnë dhe po fuqizohen çdo ditë. Në të shkuarën ato as nuk mund të flisnin. Tani kanë zë për të treguar gjithçka” tha ajo.

Procesi i verifikimit nuk është pa probleme
Procesi i ri i verifikimit që lejon viktimat të kërkojnë pension nuk jep përfitime të mëtejshme dhe nuk i jep statusin e viktimës atyre që kanë vdekur si rezultat i përdhunimit në kohë lufte ose kanë kryer vetëvrasje. Sada thotë gjithashtu se procesi i verifikimit është i ngadaltë, kryesisht sepse anëtarët e Komisionit të qeverisë për të njohur dhe verifikuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, nuk e kanë kryer këtë çështje si një ndër detyrat më kryesorë që duhet të kenë.
Ajo vuri në dukje gjithashtu se numri i aplikantëve për verifikim, i cili ka arritur në më shumë se 1.000, tashmë ka rënë në mënyrë të befasishme që nga fillimi i procesit të parë.
Qasja në shërbime shëndetësore, punësimi, arsimi dhe aftësimi është e vështirë për shumicën e të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë, veçanërisht për ato që jetojnë në zona të cilat nuk përfshihen, nga organizata si Medica Gjakova.
"Ndërsa nevojat e tyre nuk janë uniforme, ne po punojmë për të lehtësuar integrimin social dhe ekonomik të të mbijetuarve. Rrëfimet janë ende të pakta, po ne po përpiqemi t’i mësojmë të mbijetuarve që tashmë nuk janë më vetëm,” shprehet Sada./ BIRN/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë