Njerez

Një familje shqiptare në Valle D’Aosta që sfidon italianët në gatimet e picave

“Ishte dhjetor 2002 kur shkela për herë të parë tokën italiane. Sapo kam mbushur 20 vjet që jetoj e punoj me familjen time në një qytezë të provincës së Aostës, Gignod”.

Majlinda Lallinaj, 50-vjeçarja, nënë e 3 fëmijëve tregon se si shumë shqiptarë të larguar drejt Italisë në ato vite, nuk e kishte fare të lehtë të integrohej në vend të huaj.

Jo për shkak të dëshirës së saj, por kushteve në të cilën ndodhej, nënë e re me 3 fëmijë fare të vegjël, pa profesion e mbi të gjitha gjuha fluente.

Mungesa e një profesioni por edhe gjuha e pengonte të gjente punë, ndaj në 8 vitet e para provoi çdo gjë, babysiterin, pastrim shtëpie, pjatalarëse, kamariere në sallë e deri tek puna në vreshta,  krasitje e deri tek vjelja, gjithçka që i ofrohej, për të plotësuar nevojat në familje.

Majlinda Lallinaj

“Në Shqipëri kisha ikur me idenë që do të ndërtoja jetën time këtu në Itali. Bashkëshorti ishte larguar më herët dhe kishte krijuar për ne mundësinë e një strehe, të tjerat i ndërtuam bashkë gjatë viteve”, tregon Majlinda.

Derisa një ditë, ishte janar 2013, kur vendosi të investonte në një biznes familjar.

Pak kush e besuan gruan e re, 39-vjeçare në vendimarrjen e saj, madje as bashkëshorti, i cili e shihte me risk aktivitetin në një qytet të vogël ku njiheshin të gjithë.

“Ideja se ishim shqiptarë, që nuk do të na përkrahnin, e stepte Kriston, bashkëshortin. I dukej para e hedhur më kot, por të gjithë i dimë risqet në biznes. Ama unë isha e bindur në intuitën time. Kisha punuar 7 vite si kamariere në restorant dhe kisha parë me detaje si organizohej puna. Por sigurisht nuk ishte e njëjta, si ta kesh biznesin tënd”, thotë Linda.

Majlinda e nisi biznesin familjar në fillimet e para e vetme.

Fëmijët ishin të vegjël, djemtë njëri 17 e tjetri 15 dhe vajza vetëm 8 vjeçe. Por dhe ata kur mundeshin, e ndihmonin nënën në bar-kafenë që do të bëhej si shtëpia e tyre e dytë.

Klientët e parë ishin fqinjët e familjes me origjinë nga veriu i Shqipërisë.

Linda tregon se sipas traditës shqiptare, ata u ofruan komshinjve miqësinë, që në vitet e para nuk ishte aq e lehtë të pranohej nga vendasit, të njohur si njerëz të ftohtë.

“Nuk e kishim të lehtë, por unë dhe im shoq u bëmë ftesa komshinjve për drekë dhe hapëm dyert për ta. Pas 20 vitesh, ata sot janë miqtë tanë më të mirë. Na njohin si familje që punojmë me djersën tonë dhe jemi korrekt dhe respektojmë rregullat e ligjet si qytetarë të përgjegjshëm”, thotë ajo.

Me rritjen e djemve u shtua dhe dëshira për të shtuar aktivitetin e biznesit. Nga bar-kafe tashmë në piceri.

A ishte e lehtë? Aspak jo.

Majlinda thotë se të hapje piceri e të gatuaje për italianët, kur njihet kuzhina e tyre, nuk ishte e lehtë.

Majlinda në biznesin e saj

Sepse dhe vetë shefi i kuzhinës nuk ishte Italian, por shqiptar.

“Djali im i madh, Aldi, sot 27-vjeç ka marrë përsipër kuzhinën, ai gatuan picat dhe klientela jonë është shumë e kënaqur.

Restoranti ishte një vendimmarrje në kohën e karantinës dhe isha sërish unë që propozova investim në lokal. Mbështetja e djemve më dha krahë. Tani punojmë unë dhe ata, dy djemtë dhe Aldi dhe Geri i cili e ka një punë me kontratë dhe na bashkohet pasditeve. Ndërsa Blerta vajza ime e vetme që sapo ka mbushur 18-vjeç shërben në sallë si kamariere, kur vjen nga shkolla. Jemi një grup që punojmë në harmoni. Disiplina ime që herët me fëmijët më ka lehtësuar punën në restorant sepse më dëgjojnë dhe ndjekin çfarë u them.

Nëse do më pyesni se çfarë bëj unë, ju them gjithçka. Jam syri dhe veshi i biznesit. Që nga arredimi, ngjyrat e mureve, jam kujdesur për të gjitha e deri tek pastrimi, puna si bariste etj”, thotë Majlinda Lallinaj, pronarja e picerisë në rajonin Saraillon të Aostës.

Teksa flet për kokteilet, Linda buzëqesh sepse në mend i vijnë kujtime nga viti i parë në biznesin e saj.

“Nuk dija të përgatisja kokteilet derisa ja mora dorën. Kam qenë me fat që rrethohem nga miq italianë, klientë të mi prej 10 vitesh”, thotë ajo.

Në 10-vjetorin e biznesit të saj familjar, Majlinda Lallinaj organizoi një festë falenderimi për të gjithë ata që e mbështetën.

Shqiptarja me buzëqeshjen e saj të çiltër i ka shprehur mirënjohjen kujtdo që besoi tek ajo.

Me thjeshtësi ajo thotë se në punën e saj ka vënë para fitimit, korrektësinë me klientët, besën si një grua veriore, duke garantuar cilësi dhe një shërbim sa më të mirë.

“Sepse unë dua që në qytet të më njohin si shqiptarja korrekte dhe jo biznesmenia që përfiton nga mirësia e tyre”, mbyll historinë e saj Majlinda.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë