Dosje

Një familje shqiptare në krye të trafikut të drogës në Itali, konfiskohen pasuri me vlerë 1 mln euro

Gazeta Si - Në familje shqiptare, e cila drejtonte një organizatë të trafikut të drogës është goditur në Itali nga policia.

Sipas mediave italiane, gjatë operacionit janë arrestuar 19 persona, mes tyre krerët e grupit, babai, bashkëshortja dhe djali, të cilët u ndaluan në Tiranë nga policia shqiptare një ditë më parë.

Burime nga policia shqiptare bëjnë me dije se këta persona janë Ardian Korriku 54 vjeç, Etleva Adami 46 vjeç dhe Jurgen Korriku 27 vjeç.

Të tre këta persona u arrestuan dje në Shqipëri në kuadër të operacionit “PUZZLE 2020” me kërkesë të autoriteteve italiane pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Kjo organizatë trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali, si dhe nga Holanda në Shqipëri nëpërmjet Gjermanisë.

18 nga 19 të arrestuarit janë shtetas shqiptarë, ndërsa 1 italian. Nga 19 fletë-arresti, 14 janë me masë sigurie “arrest në burg”, ndërsa 5 të tjerë në “arrest shtëpie”.

Një nga 18 shqiptarët u kap në Gjermani, në qytetin Hanover dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Banda ka qarkulluar lëndë narkotike me vlerë 34 milionë euro në total. Bëhet fjalë për 420 kilogramë drogë, nga të cilat 70 kg kokainë, 66 kg heroinë, 206 kg hashash dhe 80 kg marijuanë. Kjo sasi droge është shitur me pakicë përgjatë viteve.

Përveç 19 të arrestuarve, 65 persona të tjerë, kryesisht shqiptarë, rezultojnë që të jenë të dyshuar për përfshirje në trafikun e paligjshëm të drogës nga Holanda në Shqipëri.

Hetimet për këtë grup kriminal nisën nga autoritetet italiane në janar të vitit 2020, kur u arrestua një çift që trafikonte 2 kg heroinë.

Përgjimet dhe ndjekja hetimore zbuloi më pas një zinxhir të trafikut dhe personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal që drejtohej nga familja shqiptare me banim në Trevizo të Italisë.

Anëtarët e organizatës përdornin celularë të koduar për të menaxhuar porositë e klientëve të drogës. Policia italiane ka konfiskuar pasuri me vlerë 1 milion euro, makina luksoze dhe ora me vlerë mijëra euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë