Skënderbeu iu drejtua Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë me shpresën që në mos anulimin e ndëshkimit drastik të UEFA-s, të paktën ta reduktonte përjashtimin 10-vjeçar nga Kupat e Europës.
Por, CAS-i i Lozanës nuk e mori fare parasysh kërkesën e klubit korçar dhe refuzoi që ta shqyrtojë atë, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Apelit në UEFA, që veç përjashtimit për një dekadë nga arena europiane, e gjobit edhe me 1 milionë euro.
“Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka hedhur poshtë kërkesën për masë të përkohshme të ankimuar nga Skënderbeu, duke i qëndruar ekzekutimit të vendimit të marrë nga Apeli i UEFA-s në 26 Prill 2018. Skënderbeu u gjet fajtor për disa ndeshje të manipuluara dhe është përjashtuar me 10 vjet, së bashku me një gjobë 1 milion euro. Procedura e Arbitrazhit ndërkohë është në proces dhe nuk është vendosur një seancë për dëgjimin”, lexohet në komunikatëne e CAS-it.
Vendimi është një njollë e shëmtuar, që do të mbetet në historinë e futbollit shqiptar, por jo të gjithë janë të mërzitur nga ky. Nëse në Korçë ka zi, në Kukës festohet. Nënkampionët e Kukësit janë skuadra më aktive në këtë merkato verore, duke bërë disa prezantime brenda pak ditësh pasi të premten u nisën për në Slloveni për fazën përgatitore.
Veri-lindorët e prisnin këtë vendim dhe tashmë do t’i duhet të mbajë flamurin dhe nderin e futbollit shqiptar në Ligën e Kampionëve, aventurë që e nis me turin paraeleminator.
Për momentin skuadra e Kukësit ka blerë zyrtarisht 4 lojtarë të rinj, duke filluar nga Faton Maloku, ish-portieri i Ferronikelit në kampionatin e Kosovës, Arlind Kalan ish-mesfushori i Vllaznisë, Edias Maliqin mbrojtësi nga Shkupi dhe Harallamb Qaqin ish-mbrojtësi i Laçit.
Gjithashtu pritet zyrtarizimi i dy sulmuesve të rinj, Sebino Plaku ish-sulmuesi i Kamzës dhe Rexhinaldo, ish-sulmuesi i Laçit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.