Futboll

Një cikël drejt përmbylljes, një tjetër mbetet ende projekt!

Në finalen e Kupës së Italisë u takuan dy skuadra, njëra me një cikël të çmendur trofesh, që ndoshta është duke u përmbyllur për shkak të moshës dhe tjetra një projekt 230 milionë eurosh, që mund të hapte një cikël fitoresh, por që fusha e provoi të dështuar.

Fusha e Olimpikos e tha fort e qartë: në Itali, ky Juventus nuk ka rivalë dhe vetëm oreksi për trofe i kundërshtarëve të tij nuk mjafton për të mposhtur Buffon & Co. Asnjë skuadër në Itali nuk ka as përvojën dhe as cilësinë që ka skuadra e Max Allegrit. Finalja e Kupës dhe sezoni në përgjithësi, që po shkon drejt epilogut, janë prova më e qartë për këtë.

Juventusi nuk magjeps me lojën e tij, por ndryshon marsh atëherë kur i duhet më shumë. Nuk i mbyll ndeshjet kur të gjithë e presin, por godet pikërisht atëherë kur askush nuk e mendon, as kundërshtarët në fushë, e as tifozët në shkallët e stadiumit dhe ekranet e televizorit.

Juventusi i Max Allegrit ka treguar këtë sezon se ka potencialin që të realizojë përmbysje të mëdha, pikërisht në momentin kur të gjithë e lënë “për të vdekur” në fushë. Ndeshja ndaj Interit në San Siro dhe ajo ndaj Realit në Bernabeu e treguan edhe këtë.

Një herë do të ishte rastësi, por e përsëritur jo vetëm në dy ndeshjet e sipërpërmendura, rastësia ka më pak gisht sesa energjitë që gjejnë bardhezinjtë në minutat e tyre më të vështira falë edhe përvojës së Buffon, Barzagli e Chiellini, që vazhdojnë të sfidojnë vitet që kanë mbi supe.

Kjo treshe fitonte që prej kohës së Contes, por me Allegrin janë shndërruar në “kanibalë” të vërtetë. 8 trofe, që së shpejti mund të shndërrohen në 9-të në katër vitet e tij si trajner i Juventusit.

Në shtëpinë bardhezi tani pritet të festohet titulli i shtatë radhazi, si askush tjetër më parë. Por, atmosfera nuk është si ai titull i fituar në 2011. Tashmë tifozët kërkojnë diçka më shumë dhe ajo nuk ndodhet në Itali, por në Europë.

Europa kërkon një ekuilibër perfekt mes përvojës dhe talentit. Juventusit nuk i mungon as e para dhe as e dyta. E para mund të cenohet disi në fund të këtij sezoni, pasi të famshmes BBC me gjasa do t’i bjerë “B” e Buffonit.

BBC feston kualifikimin në Ligën e Kampionëve pas fitores 1-2 ndaj Tottenham në Londër

Më pas janë edhe disa “lamtumira”, njëra prej të cilave është zyrtarizuar, ajo e Lichtsteiner e me gjasa edhe e Asamoah. Të tjera janë në kuadër të thashethemeve mediatike, si Alex Sandro, Dybala, Apo Mandzukiç. Edhe vetë e ardhmja e Max Allegrit është në një pikëpyetje të madhe.

“Unë kam një kontratë me Juventusin dhe si çdo vit, në fund të sezonit do të takohemi dhe do të programojmë të ardhmen. Të rifitosh një titull është gjithmonë e vështirë dhe ndaj, ne duhet të mendojmë vetëm si të fitojmë”, deklaroi trajneri pas ngriti trofeun e Kupës së Italisë.

Kjo deklaratë e Allegrit dëshmon se edhe trajneri, ashtu si tifozët e Juves kërkon diçka më shumë.

Kë kishin përballë?

Ngritja e trofeut të Kupës së Italisë për Rino Gattuson do të ishte mbyllja më e mirë e përpjekjeve të tij disamujore për të zgjuar e ringritur “Djallin”. Por, “All-in” i kërkuar nga tifozët kuqezinj me koreografinë spektakolare të realizuar në Olimpiko u shkërmoq me golin e parë të pësuar! U shkërmoq një “All-in” 230 milionë eurosh, që solli në San Siro disa “baste” të humbura, si Kaliniç, apo Silva e deri diku edhe vetë kapiteni Bonucci, me shpresën e hapjes së një cikli të ri për "kuqezinjtë", të hapjes së një cikli fitoresh e trofeshë.

Koreografia e tifozëve të Milanit e shpalosur para nisjes së takimit

E në fund, ëshë edhe mbrëmja për t’u harruar e Donnarumma-s. Portierit që merkaton e kaluar kushtonte 100 milionë euro, i rrëshqitën nga duart dy topa dhe që të dy përfunduan në rrjetë më pas.

Dy gafat do të rindezin debatin mes tifozëve kuqezinj, që kërkojnë që të shitet dhe me paratë e fituara prej kësaj të investohet tek skuadra e së ardhmes. E ardhmja? Edhe për të duhet të flitet, por Milani i së tashmes duhet të mendojë më shumë për të ruajtur vendin e gjashtë në Serinë A dhe të shmangë turet paraeleminatore të Ligës së Europës. Me Atalantën dhe Fiorentinën pas krahëve, do të jetë një mision i vështirë, por jo i pamundur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë