Dosje

Një çantë shpine e braktisur me kokainë zbuloi trafikun e drogës drejt Italisë, mes tyre 4 vëllezër shqiptarë

Gazeta Si - Gjithçka filloi nga një çantë shpine e braktisur dhe e zbuluar në buzë të autostradës nga policia.

Disa trafikantë droge në arrati e kishin hedhur nga dritarja, por më pas, duke parë se brenda kishte pasur dy pako kokainë prej një kilogrami, ishin kthyer dhe e kishin marrë, duke gjetur në vendngjarje Policinë Rrugore të Seriates.

LEXO EDHE:
Pas përgjimeve që fundosën edhe ish-zv/ministren Voda, SPAK arreston 15 vetë mes Italisë e Shqipërisë për trafik droge

Kanë kaluar gjashtë vjet që nga ajo kohë, gjatë të cilave u zhvillua një hetim midis Italisë dhe Shqipërisë për trafikun e drogës mes dy vendeve, i cili përfundoi me një bilanc përfundimtar prej 119 personash të arrestuar dhe 26 të denoncuar.

Operacioni i fundit u zhvillua në mëngjesin e të enjtes, me ekzekutimin e 43 të arrestuarve, ku mes tyre janë edhe 4 vëllezër nga Shqipëria që banonin në Breshia. Përveç masave të igurisë, u sekuestrua edhe një pasuri me vlerë për 4.068.340 euro.

Në zonën e Bergamos, tregtarët shqiptarë të drogës u arrestuan në Terno, Azzano, Ponte San Pietro, Albano, Sarnico, Dalmine, Stezzano (ku u gjet edhe një pistoletë), plus një i tetë që jeton në Monasterolo, por u kap në Breshia.

Sipas mediave italiane, janë persona që konsiderohen të kalibrit mesatar në organizatë, të cilët shpesh ndërronin akomodimin, ishin të aftë të lëviznin kilogramët me drogë dhe të furnizonin tregtarët e vegjël.

Një hetim ishte zhvilluar pikërisht për ato dy pako të braktisura përgjatë autostradës, e cila bëhej gjithnjë e më komplekse nga faza në skenë.

Agjentët e Breshias, e nisën nga identifikimi i furnitorit të pakove, ende në mars të 2017-ës, duke konstatuar se drogën e sillte nga Shqipëria.

Më pas, dy rafineri të kokainës dhe heroinës ishin identifikuar në Kremona dhe Milano, ku droga mbërrinte në 90% të sasisë së saj dhe më pas përpunohej.

Si në një zinxhir, u kalua nga një zbulim në tjetrin: policia kishte mbërritur te një grup tjetër kriminal prej katër vëllezërish shqiptarë, që jetonin në Palazzolo sull'Oglio, prej andej te një trafikant kokaine mes Bergamos, Milanos dhe Trentos dhe më pas te dy vëllezër të tjerë shqiptarë, që drejtonin tregtinë e kokainës.

Në atë fazë, hetuesit kishin ndërhyrë kur njëri prej tyre, në Terno d'Isola, sapo i kishte dorëzuar dy kilogramë kokainë një marokeni, të cilit i ishin gjetur 100 mijë euro cash.

Sisteme gjeniale të fundeve të dyfishta ishin zbuluar në makina me motor të madh, në të cilat fshihej droga: njëra ishte në harkun e rrotës, një pas targës dhe hapej me një çelës të montuar nën timon dhe një i tretë që zhbllokohej vetëm me përdorimin e një magneti.

Prandaj hetimi ishte zgjeruar gjithnjë e më shumë dhe që nga viti 2018, ai ishte i koordinuar nga një ekip i përbashkët hetimor mes Prokurorisë së Bergamos (me prokurorin Claudio Marchisio) dhe autoritetit gjyqësor shqiptar, SPAK. Me gjithë vështirësitë e shkaktuara nga ndalesa e gjatë e pandemisë Covid 19, hetimi vijonte.

Me kalimin e viteve, hetuesit mes Shqipërisë dhe Italisë, zbuluan një organizatë kriminale shqiptare të përbërë nga njëzet e një persona që menaxhonin trafikun e drogës drejt Italisë Veriore (një nga këto grupe merrej me shpërndarje në sheshe të trafikut të drogës, si në Rogoredo), por nga Italia, trafiku vijonte edhe në Zvicër e Gjermani.

Pikërisht nga ky hetim ndaj kësaj organizate dhe falë përgjimeve ambientale (që nuk kishin lidhje direkte me çështjen), në Shqipëri pati edhe arrestime për korrupsion, si ai i ish-zëvendësministres së Brendshme, Rovena Voda dhe një prokurori në Kavajë, Edmond Karriqi.

Grupi kriminal u gjurmua vetëm nga rrjeti shqiptar, ndërsa ata që vepronin në Itali, furnizoheshin nga ç'të mundnin.

Vlerësimi përfundimtar i operacionit, solli ekzekutimin e 119 masave paraprake të sigurisë, sekuestrimin e mbi 120 kilogramëve kokainë të prodhimit holandez dhe 15 kilogramë heroinë (të dyja shumë të pastër), 92 kilogramë hashash dhe 129 kilogramë marijuanë, farat e së cilës, u importuan në Itali për kultivim në serra në dy ferma, në Mantua dhe Modena. Gjithashtu, janë sekuestruar pasuri dhe burime financiare në total 5.068.340 euro.

“Bergamo konfirmohet si një nga udhëkryqet e drogës edhe për destinacione të tjera, - komenton zëvendësprokurorja e Bergamos, Maria Cristina Rota. – Operacioni ka një rëndësi të madhe nga pikëpamja e numrave, por ishte i rëndësishëm një bashkëpunim shqiptaro-italian me një shkëmbim të vazhdueshëm informacioni. Kjo është e rëndësishme, sepse trafikantët e drogës nuk kanë barriera”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë